E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini, fshesë më 18 prill për “politikanët – njëpërdorimësha” që s’i duhen më

Në Asamblenë e fundit, shumë ylberistë të rinj kanë protestuar për ndryshimet e mundshme në kongresin e 18 prillit, pasi kanë ndjerë se ata do të jenë “njëpërdorimësha”, pasi ristrukturimi do të sjellë përkrahjen e deputetëve-biznesmenë si Gaçi, Abazi apo Toçi dhe largimin e tyre nga kryesia e partisë

Mbajtja e kongresit të 18 prillit në radhët e PS po hap disa fronte të reja të luftës së brendshme politike, të cilat duket se do të rrezikojnë edhe të ardhmen politike të atyre që cilësoheshin si më besnikët e Edvinit, të ardhmen e të rinjve, të të ardhurve rishtaz në grupit parlamentar. Mungesa e respektit që drejtuesi i PS ka për parlamentarizmin po ndërgjegjëson ylberistët e rinj, të cilët kanë nisur të marrin vesh se janë veç njëpërdorimësha në një formacion të ndërlikuar si Partia Socialiste, e cila në prag të zgjedhjeve vendore, ka të tjera probleme, si gjetja e fondeve dhe e të fortëve për përplasjen e vështirë që mund të rrezikojë edhe shpërndarjen e krejt frontit ish-komunist. Për të ndalur këtë katrahurë, duket se në “rifreskimin” e Asamblesë dhe të strukturave partiake në kongresin e 18 prillit, Edi Rama do të mbështetet edhe më shumë tek partnerët e tij biznesmenë, më të sigurt për një përdorim afatmesëm, sesa tek ylberistët e rinj, të cilët as vota kanë sjellë e as po paraqiten si duhet në përballjet njëorëshe në seancat plenare të të enjteve.
Duke nuhatur këtë rrezik, në mbledhjen e fundit të Asamblesë, zërat kritikë për ndryshimin e statutit kanë ardhur kryesisht nga ky grup. Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri, Olta Xhaçka e Ditmir Bushati janë treguar më skeptikët, duke kërkuar që gjërat të vazhdojnë ashtu siç janë, ndërkohë që zërat e korridoreve tregojnë yllin që po lind për Artan Gaçin, Sadri Abazin apo Fatmir Toçin. Lufta e bërrylave po vë në rrezik ylberistët e rinj, të cilët tashmë në media po etiketohen si “njëpërdorimëshat e Edvinit”, për shkak të pensionit politik, që po u vjen bashkë me hyrjen në parlament.
“Njëpërdorimëshat” nuk mund të kënaqen më me ndonjë post të vockël në organizatat e gruas apo të rinisë. Ata po shfaqen formalisht në parlament dhe kërkojnë përfaqësim konsistent në kryesinë e ardhshme, por kjo perspektivë do të shoqërohej me pasoja të rënda elektorale, për shkak se ajo do të sillte jo vetëm përjashtimin nga kryesia dhe sekretariati të deputetëve që janë rreshtuar me LMN-në (protagonistë të vendosur në Listën e Armiqve të Partisë), por edhe të të tjerëve, që kanë investuar karrierën në PS e që tani do të donin të ushtronin ndikimin e tyre në përzgjedhjen e përfaqësuesve që do të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Në situatën aktuale, kongresi i 18 prillit po dizenjohet si një aksion politik që do të çimentosë të ardhmen afatmesme politike të biznesmenëve pranë Edi Ramës, por edhe mund të përvijojë ndonjë përpjekje për ruajtjen e “status-quo”-së së disa politikanëve të karrierës. Ata që po dëmtohen janë parveny-të e partisë, “njëpërdorimshat” e Edvinit, të cilët e kuptojnë se si njëpërdorimësha që janë, s’kanë as mundësinë e revoltës, pasi janë tokë e shkulur, që s’ngjisin dot as në anëtarësinë socialiste e as në oborrin e Kullës së Pezës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›