Kodi i ri Zgjedhor duhet të amendohet brenda korrikut

Deputeti Islami shpërfill injorimin e Edvinit: Propozimi i kryeministrit Berisha, për votimin elektronik, tepër korrekt
Deputeti i socialist i LMN-së Kastriot Islami hedh idenë e ngritjes së një grupi ekspertësh, për të adaptuar teknologjinë më moderne në botë. Pas propozimit të kryeministrit Sali Berisha se metoda më e re e votimit do t’i jepte fund pretendimeve të pabaza të partive politike, lidhur me procesin elektoral, një pjesë e faktorëve politikë në vend e përshëndetën këtë, ndërsa vetë kryesocialisti Edi Rama e injoroi atë.
Deputeti Islami thotë se duhet trajtuar me seriozitet metodika e votimit elektronik, e cila është vlerësuar në mbarë botën si më efikase në procesin e zgjedhjeve.
Sipas Ismanit, në një rast të tillë, nuk do të kishte kontestime të zgjedhjeve, pasi nuk do të kishte më komisionerë partizanë të partive dhe as tentativa apo jo për të arritur standardet e ndërkombëtarëve, porsa kohë procesi bëhet në mënyrë elektronike.
“Mendoj se është e rëndësishme futja e elementëve elektronikë që shmangin ndërhyrjen e njeriut në procesin e votimit, në atë të numërimit dhe të nxjerrjes së rezultatit”, u shpreh Islami.
Gjithashtu, deputeti socialist i LMN-së deklaron se duhet të nisë nga puna hartimi i kodit të ri zgjedhor. Për këtë ai shton se duhet të amendohet, brenda korrikut.
Ish bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, Kastriot Islami e sheh urgjente nevojën e ringritjes së këtij komisioni para se presidenti të dekretojë datën e zgjedhjeve në gusht.
“është urgjente krijimi i komisionit ad hoc të reformës zgjedhore, për të kryer reformën zgjedhore të nevojshme, bazuar dhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR në mënyrë që brenda këtij sesioni të përfundojë reflektimi i të gjithë këtyre amendimeve lidhur me ndryshimet që duhet të bëhen në Kodin Zgjedhor. Në mënyrë që në shtator të gjithë institucionet që merren me administrimin e zgjedhjeve të kenë bazën ligjore”, u shpreh deputeti i PS-së, Kastriot Islami.
Djegia e fletëve të votimit nga KQZ do të amplifikojë edhe më shumë ngërçin politik, tha Islami.
Për këtë arsye ai kërkon që ky institucion të mos vendosë pa konsensus unanim.
“Do të theksoja që do të ishte mirë që fletët e votimit të mos digjeshin, mos të aplikohej kodi zgjedhor, veçse në qoftë se do të kishte një vendim konsesual nga të gjithë anëtarët e KQZ. Meqenëse afrohemi dhe me zgjedhjet e ardhshme vendore nuk është mirë që çështja e transparencës së 28 qershorit të bëhet pjesë e debatit për zgjedhjet e ardhshme vendore”, vijoi ai.
Deputeti socialist e sheh si një betejë të fortë politike 2011-n për këtë arsye baza ligjore duhet të mos lerë shteg për polemika të mëtejshme.
Propozimi për të ndjekur eksperiencën botërore të votimit elektronik, u hodh nga kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi të zhvilluar me kryeministrin e Estonisë, Ansip, vendi i të cilit aplikon prej kohësh një standard të tillë votimi.