Reagimi/Deputetët e PD-së kanë lënë postet lokale para 28 qershorit
Të gjithë deputetët e mazhorancës kanë dhënë dorëheqjet para se të fitonin mandatin në 28 qershor. Bedri Hoxha, ish kryebashkiaku i Klosit, tashmë deputet nën siglën e PD-së, konfirmon këtë fakt dhe i quan tërësisht politike akuzat në adresë të tij dhe 4 kolegëve të së njëjtës parti. “Kam dhënë dorëheqje më 28 maj, pra një muaj para fillimit të fushatës elektorale dhe kam respektuar të gjithë procedurat ligjore për dhënien e dorëheqjes. Ia kam paraqitur sekretarit bashkiak të bashkisë Klos dhe sekretari ka njoftuar qoftë këshillin e bashkisë, qoftë dhe prefektin e qarkut Dibër. Komisioni i verifikimit të mandateve ka verifikuar mandatet tona në shtator të vitit që kaloi dhe ka rezultuar që këto mandate janë të vlefshme, konform ligjeve në fuqi”, u shpreh deputeti i PD-së, Bedri Hoxha.
Hoxha së bashku me Ndue Palucën ish kryekomunarin e Fushë-Arrëzit, Lefter Maliqin, ish kryetar komune në Otllak, Besnik Dushajn në Fierzë dhe Gerti Bogdanin në njësinë nr. 10 në Tiranë, janë bërë pre e akuzave të socialistëve se nuk kanë dhënë dorëheqjen nga postet e mëparshme duke shkelur ligjin.
Por ish kryetari i komisionit të përkohshëm të mandateve dhe rregullores, Jemin Gjana, deklaron se asnjë nga deputetet nuk ushtronte detyrë tjetër në funksion tjeter në momentin kur u zgjodh deputet.
Komisioni verifikoi në shtator një për një të gjithë mandatet e 140 të zgjedhurve dhe i quajti ato të gjitha konform ligjit.