Kryebashkiaku shfaqet në shesh, por refuzon mejdanin e debatit

Edvini nuk ndal çmendurinë tek “Skënderbej”, por mazhoranca paralajmëron zbatimin e ligjit.
Kreu i këshillit Bashkiak të Tiranës Sokol Dervishi: “Plani rregullues, urgjent në KRRT, Edi Rama po cenon marrëdhëniet edhe me donatorët”
Në një kohë kur bashkia e Tiranës nuk ka marrë lejen e KRRT-së për zbatimin e planit belg në sheshin “Skënderbej”, Edvin Rama deklaroi dje se për të nuk përbën kurrfarë problemi mungesa e dokumentacionit dhe se është i vendosur për të çuar përpara aksionet e shkatërrimit të qendrës së kryeqytetit. I vendosur për të mos ndaluar vazhdimin e punimeve në sheshin “Skëndërbej”, Edvini kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për kolapsin dhe goditjen fatale që do t’i japë trafikut në qendër të kryeqytetit.
Në këtë amulli veprimesh dhe kundërveprimesh të institucioneve vendimmarrëse, bashkia e Tiranës, vazhdon të polemizojë dhe njëherazi të shpërfillë ligjet, për sa i takon planit rregullues të qendrës së Tiranës.
Përmes një plani të paqartë dhe të bazuar në interesa të ngushta klienteliste, Edvini, përcolli dje kërcënimin absurd ndaj institucioneve shtetërore dhe qeverisë, se askush nuk do ta ndalojë në çmendurinë e tij, për të parcelizuar edhe qendrën e Tiranës, me Koçon, Dashin dhe Fidelin. Pavarësisht, mazhoranca ka paralajmëruar për veprimin e ligjit, menjëherë pas një vendimi të institucioneve përgjegjëse.
Ministria e Punëve Publike, e Mjedisit dhe ajo e Kulturës, i kanë bërë thirrje Bashkisë së Tiranës, që të pezullojë punimet në qendër të Tiranës, me arsyetimin se ato janë në shkelje me ligjet në fuqi, madje dhe me ato vendime e ligje të firmosura pak vite më parë nga Edi Rama.
Kreu i këshillit Bashkiak të Tiranës Sokol Dervishi: “Plani rregullues, urgjent në KRRT, Edi Rama po cenon marrëdhëniet edhe me donatorët”/Kryetari i këshillit bashkiak të Tiranës Sokol Dervishi, përfaqësues i LSI-së në këtë institucion, deklaroi se bashkia e Tiranës duhet të marrë miratimin e KRRTRSH-së për planin belg për rikonstruktimin e sheshit “Skënderbej”.
Dervishi thotë se krijimi i probleme ligjore mbi objekt është shqetësues edhe për sa i përket marrëdhënieve me donatorin kryesor i cili në këtë rast është qeveria e Kuvajtit.
“Pa dyshim që për vendime të tilla duhet marrë miratimi i të gjitha instancave përkatëse. Pa dyshim që dhe KRRTRSH-ja, në bazë të ligjit për urbanistikën, ka rolin e saj në këtë vendimmarrje. Ky shesh po ndërtohet me një donacion bujar të qeverisë kuvajtiane dhe politizimi i skajshëm, dhe mosrespektimi i procedurave nuk dëmton thjesht punimet e sheshit, po dhe një raport shumë më të rëndësishëm, që është raporti me donatorët”, u shpreh Devishaj, kryetar i Këshillit Bashkiak, Tiranë.
Ai i bëri thirrje qeverise dhe bashkisë së Tiranës që të jenë të kujdesshme në trajtimin e çështjes së rikonstruksionit të sheshit, në mënyrë që të mos përsëritet historia si në rastin e mbikalimit tek “Zogu i Zi”.
“Nuk duhet të ripërsëritet një rast i tillë. Pa dyshim që asnjëra prej palëve nuk duhet të tejkalojë kompetencat e saj, apo të ndërhyjë në kompetencat e palës tjetër, por që të dy palët, qoftë qeverisja vendore, qoftë qeverisja qendrore, kanë përgjegjësi ligjore të përcaktuara në ligjet mbi të cila funksionon vendi dhe mbi ligjet mbi urbanistikën për të ushtruar kompetencat e tyre dhe për të dhënë kontributin e tyre në realizimin e këtij projekti”, vijoi Dervishi.
Kryetari i këshillit bashkiak të Tiranës Dervishi deklaroi se brenda muajit prill ky organ do të miratojë buxhetin e bashkisë së Tiranës për vitin 2010 dhe njoftoi se së shpejti drejt KRRTRSH-së do te dërgohet për shqyrtim plani rregullues i përgjithshëm i kryeqytetit.
Shkeljet flagrante të ligjit nga ana e Edvin Ramës, në nisjen e punimeve në sheshin qendror të kryeqytetit
Sheshi “Skënderbej” është shpallur ansambël i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, shpallur kjo 10 vjet më parë nga qeveria socialiste me propozim të ministrit të Kulturës të asaj kohe, Edi Rama. Ky propozim ka qenë plotësisht i drejtë dhe i bazuar, pasi sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe “Zogu I” me ndërtesat që rrethojnë, përbëjnë një trashëgimi të çmuar kulturore për Tiranën dhe kombin në tërësi. Pavarësisht kësaj, Edi Rama dhe firma zbatuese në terren kanë vijuar punimet, duke dhunuar kështu një prej zonave më nevralgjike të kryeqytetit dhe të mbrojtur nga shteti.
Shkeljet
Sipas planit belg, në sheshin qendror, do të ndërtohet një kullë, e cila bllokon bulevardin, apo ndan bulevardin “Zogu I” me sheshin “Skënderbeu” dhe e shndërron atë në një rrugë qorre, nga një bulevard me hapësirë madhështore, e pret dhe e shndërron në një rrugë qorre, i pret tërësinë e tij. Gjithashtu, parashikohen edhe kulla të tjera, për të cilat instituti gjykon dhe vlerëson se janë një largim madhore nga identiteti i kompleksit.
Instituti i Monumenteve të Kulturës, i ka kërkuar Rama, që të ruhen blloqet, me të cilat është ndërtuar sheshi, ndërsa nga ana tjetër kryebashkiaku duke se do të përdorë rrasat në vend të tyre.
Instituti i Monumenteve të Kulturës, kundërshton ndërtimin e piramidës
Kjo piramidë ngrihet kundër pjerrësisë 2.7 për qind dhe nuk është se e zhduk tërësisht pjerrësinë për shkak të drenimit të ujërave, pranon pjerrësi vetëm me 1 për qind. Me 2.7 për qind pritet pamja, 1 për qind nuk pret pamjen, nuk ka asgjë dhe e lejon drenimin më të mirë të ujërave.
Instituti ngrihet edhe kundër kullave, të cilat sipas institutit prishin, largojnë shumë nga identiteti ansamblin e trashëgimisë sheshin “Skënderbej” dhe dy bulevardet e mëdha.
Ka një përcaktueshmëri të qartë në ligjet e urbanistikës së vendit, që është kushtetuta mbi të cilën ndërtohen të gjitha planet, të cilat e detyrojnë Edvinin, që ndryshimet e planeve të tilla të mëdha, që kapin sipërfaqe jo mbi 5 mijë, por këto janë edhe mbi 20 mijë metër, duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit të Këshillit të Rregullimit të Territori. Në rast se gjykata bën fjalë për leje ndërtimi, KRRTRSH nuk merret me lejet e ndërtimit, por merret me miratimin në tërësi të ndryshimit ose jo.
Projekti i sheshit “Skënderbej”, duhet të kalojë në disa seancë konsultimesh, me grupe të ndryshme të specializuara dhe me qytetarët e Tiranës dhe të të gjithë Shqipërisë
Në bazë të projektit, i cili nuk është bërë transparent, nuk parashikohet asnjë zgjidhej për trafikun në sheshin “Skënderbej”, përveç disa deklaratave të paqarta dhe manipulative të Edi Ramës. Sipas tij, disa rrugica nga hotel “Peza” deri te “INSIG”-u, nuk janë në gjendje të përballojnë të gjithë trafikun e automjeteve të sheshit “Skënderbej”.
Një tjetër aferë e rëndë e kryebashkiakut, është dhënia e hesapeve të pazarit me Dash Pezën, Koço Kokëdhimën apo edhe Fidel Yllin, në parcelizimin e qendrës së Tiranës.