E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini i rikthehet prapë kushtrimit tragjikomik për opozitë radikale

11-01-2012 / Redaksionale

Edi Rama i thirri dha ata u përgjigjën: gatitu! Kreu i Partisë Socialiste rreshtoi dje në një stërvitje aleatët e majtë për të diskutuar mbi zvarritjen politike në vend, si dhe për marshimin politik të opozitës në vazhdim. Mbledhja karakteristike, e cila ishte e para për vitin 2012, u zhvillua në ambientet e selisë rozë. Në fakt, ky takim erdhi si domosdoshmëri për ekzistencën e opozitës, ngase fillimi i “kursit të ri” të PS-së pati lënë me gisht në gojë të gjithë krerët e opozitës radikale. Domethënë të organizatorëve kryesorë të opozitarizmit radikal, i cilësuar për bojkote, protesta, bllokime rrugës me djegie gomash e makinash, greva urie rekord “guiness” përballë kryeministrisë dhe demonstrata të dhunshme në bulevard, me pasojë 4 të vdekur me 21 janar.
Kuptohet vetiu, që ishin të irrituar tejmase me kthesën 180 gradë të Ramës pas humbjes së zgjedhjeve lokale të 8 majit dhe gjetjen e konsensusit me mazhorancën për miratimin e disa ligjeve me tre të pestat dhe plotësimin e vendeve vakant në Bankën e Shqipërisë dhe zgjedhjen e Guvernatorit, si dhe pranimi i kandidaturës socialiste për Avokatin e Popullit. Partitë e vogla të opozitës, më saktë Gjinushi, Milo, Ndoka, Koçi, Ngjela dhe Dule kishin shpenzuar aq energji në mbështetje të aksioneve të Partisë Socialiste saqë iu duk një pabesi e Ramës kundrejt tyre. Prandaj, disa herë këto personazhe refuzuan të uleshin në tryezën e opozitës, për shembull Ngjela tha: “nuk mund të diskutoj çështje të mëdha në një kasolle”.
Megjithatë pas mbledhjes së opozitës grusht-bashkuar kundra qeverisë Berisha, zëdhënësi i kësaj kimere politike, Preç Zogaj njoftoi: “Ne diskutuam mbi reformën zgjedhore. Reforma duhet të jetë garant për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për një administrim të ri zgjedhor dhe korrekt. Opozita ka publikuar një platformë lidhur me këtë çështje, por patëm diskutime edhe rreth rekomandimeve të OSBE. Megjithatë theksojmë se opozita nuk do të kushtëzoj reformën zgjedhore”. Me leximin e kësaj deklarate të vjen të thuash, po kur i ka pyetur Edi Rama ndonjëherë aleatët për çështjet zgjedhore? Asnjëherë. Përkundrazi Gjinushi dhe Milo jo pak herë kanë lëshuar alarmin për një sipërmarrje “me kokë të saj” të PS-së përsa i përket reformës. Në një farë mënyrë mund të konstatohet se, nëse ka një bashkëpunim pa komplekse të dy partive të mëdha është pikërisht, reforma zgjedhore, e cila është propozuar sa herë nga PS-ja dhe votuar bashkërisht në Kuvend, ose anasjelltas. Dhe çka është më interesante, të gjithë krerët e partive të vogla e dinë këtë procedurë hipokrite, por takohen “gjasme” për të biseduar në parim. Reforma zgjedhore ka filluar dhe me siguri do të mbarojë përpara zgjedhjeve parlamentare të 2013, me rregullimet e ndryshme të bazuara në rekomandimet arnuese të OSBE-ODIHR, pasi thelbi i Kodi Zgjedhor nuk ndryshon aspak. Thuhet nga ekspertët e çështjeve elektorale se ky Kod Zgjedhor është nga më të mirët që ka prodhuar politika konsensuale 20 vjeçare. Dialogu për reformën është në agjendën e pikave të rëndësishme për të përmbushur standardet e vendosura nga Bashkimi Europian, përmbushja e të cilave është primare për integrimin e Shqipërisë në strukturat europiane. 
Si përfundim mbledhja rutinë e opozitës pa platformë politike të qartë, jo solide, jo të frymëzuar moralisht apo të pikëzuar në ca propozime konkrete, jep idenë e një amalgame tunduese midis tragjikes dhe komikes. Edi Rama e ka tredhur PS-në dhe opozitën më synimin për të mbetur i vetmi burrë që vendos për nahijen e paracaktuar të minorancës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›