Edvini, jo vetëm kuçedra e ujit, por edhe e barit

PD denoncon shifrat që tregojnë se raporti i hapësirave të gjelbra për banor në Tiranë është më i ulët se në vitin 2000, për shkak se në 9 vitet e fundit, Edi Rama i ka uzurpuar hapësirat e blerta për t’i dhënë si leje ndërtimi për partnerët e vet në biznes
TIRANE - Partia Demokratike ka denoncuar dje nismën demagogjike e mashtruese të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama për rivitalizimin i parkut të madh të Liqenit Artificial me qëllim shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në kryeqytet. “Në vitin 2005, në Strategjinë Lokale për një Mjedis të Shëndetshëm në Qytetin e Tiranës 2005-2008, Edi Rama u deklaroi qytetarëve se sipërfaqja e gjelbër në Tiranë është 4.5 m2/banorë dhe synohej të arrihej në 7 m2/banorë në fund të vitit 2008. Sot në vitin 2009, i njëjti person pretendon se në vitet 2000-2009, sipërfaqja e gjelbër në Tiranë është rritur nga 3.1 në 4.3 m2/frymë. Pra më pak se në vitin 2005 dhe shumë më pak se ajo çka ai u premtoi qytetareve të Tiranës për fundin e vitit 2008. Pikësëpari Partia Demokratike denoncon Ramën për vetëpërmbajtjen e treguar në mashtrim. Shifra 4.3 m2/frymë tregon se vetë kryetari dhe aparati i tij bashkiak janë të ndërgjegjshëm për deklaratën e pabazuar të vitit 2005 ndaj dhe sjellin sot një korrigjim të parë dhe shpresojmë jo të fundit”, deklaroi Taulant Bino, zëvendësministër, i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave.
Sipas tij Tirana e vitit 2000 numëronte 470 mijë banorë dhe atëherë sipërfaqja totale e gjelbër në qytet ishte 150 ha. “Sot, në vitin 2009, kur qyteti ka 604 mijë banorë dhe kur kryetari në mungesë pretendon një sipërfaqe të gjelbër prej 4.3 m2/frymë duhet të rezultojë që hapësira e gjelbër të jetë 260 ha. Në bazë të këtyre pretendimeve, vijoi ai, në 9 vjet sipërfaqja e gjelbër në kryeqytet është rritur me 110 ha, sipërfaqe kjo e barazvlefshme me 36 herë me Parkun Rinia (me sipërfaqe prej 3 ha), ose e thënë ndryshe në Tiranë duhet të ishin dhe 36 parqe të tjera Rinia. Ku janë? Këtë pyetje e shtrojnë çdo ditë qytetarët e Tiranës kur fëmijët e tyre dalin nga kopshtet dhe shkollat dhe u duhet të argëtohen në rrugët me pluhur e trafik të rënduar apo në betonishtet pa lodra! Këtë pyetje e shtrojnë çdo ditë qytetaret e Tiranës në ditët e pushimit kur kuptojnë se hapësirat e gjelbra tashmë janë kthyer në sipërfaqe ndërtimi dhe kur lulishtet e vogla janë kthyer në betonishte! Këtë pyetje e shtrojnë të gjithë banorët e Laprakës, lulishtja e të cilëve në qendër të lagjes u zu nga një ndërtim me leje të vetë zotit Rama! Këtë pyetje e shtrojnë të gjithë banorët e Rrugës ‘Bardhyl’, kur panë që hapësira e gjelbër e ‘Xhamllëkut’ u kthye në betonishte. Këtë pyetje e shtrojnë të gjithë banorët e Tiranës së Re kur panë që hapësirat e gjelbra të stadiumit Dinamo dhe pallateve Moskat u kthyen sërish në betonishte. Këtë pyetje e shtrojnë të gjithë banorët që në 9 vjet ishin dëshmitarë të betonizimit të hapësirave të gjelbra përfshirë ish-fidanishten, pjesë nga Parku i Liqenit artificial etj”, theksoi më tej Bino.
Sipas tij aktualisht sipërfaqja e gjelbër ka mbetur apo ka zbritur më poshtë se në vitin 2000, pra më pak ose 3.1 m2/banorë.
Ndërsa edhe ideja e një Parku në Fushën e Aviacionit është propozuar për herë të parë në vitin 2006 nga deputeti Lulzim Basha, asokohe Ministër i Puneve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. u kalua në KRT-në e Tiranës me propozim të MPPTT dhe u miratua pak kohë me vonë më vendimin e KRTRSH-së. Edhe më shqetësuese, sipas zëvendësministrit të Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, është fakti se planet e reja rregulluese po propozojnë reduktim të mëtejshëm të hapësirave të gjelbra, ndërsa shtoi se “në fakt, plani rregullues i urbanizimit mbahet peng nga plani betonizues bashkiak”.
Duke u bërë thirrje qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë që të mos gënjehen nga deklarata e nismat pompoze e plot mashtrime të kryebashkiakut Rama.
“Mos u gënjeni nga shfaqjet e Ramës! Një kryetar që nuk ndreq dot ‘kopshtin’
e vet nuk mund kurrsesi të ndreqë ‘kopshtin’ tuaj! Qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë! Në ndryshim të standardeve të mësipërme sot qeveria mbjell çdo vit
mbi 1 milionë fidanë pyjore duke përmirësuar kështu jetesën e qindra mijëra banorëve anekënd Shqipërisë. Besoni në fjalën tonë! Shqipëria po ndryshon!”, përfundoi zëvendësministri Taulant Bino.