E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekordi i zi/Edi Rama jep në 2 orë brenda bunkerit, 30 leje ndërtimi për kompanitë klienteliste

Nxiton Edvini të shpërndajë këstet e fundit të aferave korruptive, meqenëse atij do t’i duhet të dorëzojë njëkohësisht partinë dhe bashkinë, 28 qershorin e ardhshëm. Ministria e Punëve Publike e denoncoi dje mbledhjen e korrupsionit dhe deklaroi se nuk do t’i njohë vendimet e saj, për shkak se nuk po dorëzohet plani rregullues i qytetit. Pritet një qendrim zyrtar i KRRTRSH-së

TIRANE - Nën shembullin e shtetit të “Maliqit” që vetë vendos dhe vetë vulos, kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka vendosur dje nje tjetër rekord negativ e njëherësh mjaft shqetësues, porsa i përket funksionimit demokratik dhe transparent të njësisë
më të madhe vendore në vend. Ashtu sikundër ishte paralajmëruar ditën e shtunë
nga ana e Drejtorit të Politikave të Planifikimit Urban në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Marin Biçoku, kryebashkiaku ka mbledhur dje
Këshillin e Rregullimit të Territorit të Tiranës dhe aprovoi në rreth 2 orë 30 leje ndërtimi për godina shumë katërshe në zona të ndryshme të kryeqytetit, çka sipas Ministrisë së Transporteve vërteton katërcipërisht faktin që në themel të mos miratimit të Planit Rregullues të kryeqytetit qëndron vendosmëria e Ramës “për të keqpërdorur pushtetin
e tij për leje ndërtimi klienteliste dhe për të financuar me këto leje ambiciet e tij elektorale”.
“Prej muajsh me radhë, ne po kërkojmë që Plani Urbanistik i Tiranës të ndjekë procedurat e miratimit, në mënyrë që kryeqyteti të mos zhvillohet sipas trilleve elektorale dhe nevojave për para të Edi Ramës. MPPTT deklaron se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të frenuar keqpërdorimin politik të bashkisë sipas parimit një pallat një votë”, deklaroi dje në një komunikatë për mediat MPTT.
“Ne, vijon më tej deklarata, do të përdorim çdo mekanizëm administrativ dhe ligjor dhe do të bëjmë nul të gjithë vendimet e dala nga pazari i sotëm në KRRT e bashkisë së Tiranës. Asnjë vendim nuk do të mund të merret me votat e blera të KRRT-së bashkisë për sa kohë Plani i Përgjithshëm Rregullues nuk dorëzohet dhe nuk futet për procedurat e shqyrtimit e të miratimit”, përfundon deklarata.
Kontrata për hartimin e planit rregullues është lidhur më 1 nëntor 2006 dhe duhet të mbaronte në korrik 2007. Ndërsa në dhjetor 2008 Rama kërkoi nga qeveria miratimin në parim në KRRT-në e Tiranës draftin e planit rregullues duke na premtuar që boshllëqet do të plotësoheshin urgjentisht dhe problemet ligjore të tij do të korrigjoheshin në një kohë që në këtë situatë të paprecedent babëzie e paaftësie, Kryetari i bashkisë në vend të pranojë dështimin e tij kërkon të vazhdojë të drejtojë qytetin pa plan. 
Në nëntor 2004 bashkisë së Tiranës i janë vënë në dispozicion nga donatorët 1.46 milionë dollarë plus financimin shtesë të qeverisë shqiptare për të hartuar planin rregullues, të cilin nuk e ka mbaruar ende.
Debati rindizet tashmë kur edhe buxheti i bashkisë është në kolaps, për shkak se Rama refuzon të detajojë projektet ku do të shpenzohen 14 milionë euro të taksapaguesve të kryeqytetit. Sipas ligjit aktual, në rast se këshilltarët e PD-së dhe përfaqësuesit e MPPTT-së nuk marrin pjesë në mbledhjen e radhës të KRRT-së së bashkisë, kryebashkiaku Rama e ka ligjërisht të pamundur që të lëvrojë fondet e përcaktuara për klientët e tij. Për Drejtorin e Politikave të Planifikimit Urban në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Marin Biçoku 30 lejet e ndërtimit dhëna dje në mungesë totale transparente janë një investim i mirëfilltë elektoral.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›