Strasburg, ikën avokatja e Shqipërisë
Fatos Mahmutaj
Humbja e çështjeve shqiptare në Gjyka-tën e Strasburgut ka sjellë shkarkimin e përfaqësueses së qev-erisë, Suela Mneri. Lajmin e konfirmon kreu i Avokatisë së Shtetit, Eduard Halimi, i cili pohon gjithashtu se tashmë në këtë post është emëruar Enkelejdi Hajro, ish-drejtoresha e Kodifikimeve në ministrinë e Drejtësisë. Po kështu Halimi pohon se Struktura që tashmë do drejtohet nga Hajro, ka kaluar në varësi të Avokatit të Shtetit. Dosja “Hajdari” ka përfunduar së shqyrtuari në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ndërsa pritet vetëm shpallja e vendimit. Avokati e Shtetit, institucioni, i cili tashmë ka marrë në dorë përfaqësimin e shtetit shqiptar në Strasburg pohon se vendimi për ankesën e Jaho Mulosmanit është i treti në radhën e shpalljeve dhe më pas vijnë ankimet e dy vëllezërve Ismet dhe Izet Haxhia. Në fakt janë 39 dosje me palë shtetin shqiptar, që pritet të shpallen në ditët në vazhdim nga Gjykata e Strasburgut, e cila ka konfirmuar zyrtarisht se ka mbaruar shqyrtimin e tyre. Po kështu në të njëjtën fazë ndodhen edhe dosjet “Grori” dhe “Mishgjoni”. Ndërsa dosjet e fundit që janë shpallur, për të cilat shteti shqiptar është penalizuar janë “Dauti”, “Hamzaraj” dhe “Xheraj”. Burime pranë Avokatisë së Shtetit pohojnë se ankimet për këto dosje janë depozituar në Strasburg vite më parë, ndërsa shqyrtimi i tyre është bërë gjatë vitit 2008. Këto çështje janë ato që kanë arritur të kalojnë të dy filtrat e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe janë marrë në shqyrtim në këtë institucion.
Dosja “Hajdari”
Ankimi në Strasburg i tre të dënuarve për vrasjen e liderit demokrat Azem Hajdari ka mbërritur rreth katër vjet më parë, menjëherë pasi u konsumuan të gjitha rrugët ligjore të kësaj çështje në Shqipëri. Të tre të akuzuarit, me ankime të veçanta kërkojnë pafajësi, duke pretenduar se nuk janë autorë të krimit, për të cilin kanë marrë: Mulosmani burg të përjetshëm, Izet Haxhia 25 vjet dhe Ismet Haxhia 20 vjet burg. Gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje shtetit shqiptar iu desh të dërgonte një gjykatës “ad hoc”, (për këtë rast). Kjo për shkak se gjykatësi i emëruar nga qeveria shqiptare, Ledio Bianku, hoqi dorë nga gjykimi i çështjes për faktin se gjatë kohës që punonte në Tiranë ishte shprehur publikisht në lidhje dosjen. Në mënyrë që të shmangte çdo keqkuptim apo dyshim për njëanshmëri në këtë çështje, ai hoqi dorë ndërsa qeveria nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë caktoi gjykatësin durrsak Markelian Koçi.
Dosja “Grori”
Arben Grori, 38-vjeçari kryeqytetas i është drejtuar Gjykatës Evropiane të Strasburgut, për të rrëzuar vendimin e burgimit të përjetshëm që ka dhënë Gjykata Penale e Apelit në Milano, Itali. Ky vendim është njohur nga Gjykata e Tiranës, por më pas është rrëzuar nga Gjykata e Lartë. Rikthimi i çështjes në Shkallën e Parë dhe rigjykimi, nuk i ndryshuan asgjë vendimit italian, i cili mbeti në fuqi në të gjitha shkallët e Gjyqësorit Shqiptar. Kërkuesi Arben Grori, së bashku me mbrojtësin e vet Ardian Kasapi, iu drejtuan Strasburgut, duke pretenduar se ndaj tij është zhvilluar një proces i parregullt ligjor. Sipas tij, Gjykata e Lartë ka vepruar në tejkalim të funksionit dhe kompetencave; duke u mbështetur në norma ndërkombëtare të karakterit të përgjithshëm, arrihet në përfundimin për njohjen e vendimit penal të huaj edhe pse në bazë të konventës ai nuk quhet vendim penal evropian dhe se midis Shqipërisë dhe Italisë nuk ka marrëveshje për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale. Po kështu Grori dhe mbrojtësi i tij pretendojnë se gjykatat shqiptare kanë shkelur procedurat që kanë të bëjnë me mospranimin e rekursit nga Gjykata e Lartë; për Gjykatën e Apelit disponohen dy vendime me të njëjtin numër e datë, por me ndryshim të kryesuesit të trupit gjykues; Kolegjet e Bashkuara kanë vendosur për çështje të përcaktuara nga Konventa Evropiane “Për vlefshmërinë ndërkombëtare të gjykimeve penale”, kur ajo nuk ishte ratifikuar në kohën e shqyrtimit të çështjes, si dhe pretendimi se vendimi i Gjykatës së Tiranës është absolutisht i pavlefshëm sepse çështja është gjykuar me trup gjykues me tre gjyqtarë, kur duhej të gjykohej me një gjyqtar të vetëm.
Çeshtjet
PRITET VENDIMI
1 ELTARI
2 KARAGJOZI
3 MULOSMANI
4 SELIMAJ
5 SPAHIU
6 ZENELI
7 LASKA & LIKAJ
8 MULLAI
9 BUSHI
10 PUTO M
11 SILIQI & SHUNDI
12 BUSHATI
13 CAKAJ
14 DAUTI
15 GRORI
16 HAMZARAJ
17 IS. HAXHIA
18 NURI
19 URUCI
20 VEVECKA
21 GJYLI
22 DELVINA
23 RAMAJ
24 BESHIRI 2
25 PUTO R
26 DRIZA 2
27 PLEPI F
28 JAKUPI
29 VRIONI
30 VRIONI 2
31 KOCO
32 TOPALLAJ
33 CANI
34 MISHGJONI
35 HAXHIA
36 BUDINI
37 HAJNAJ
38 XHAÇKA
39 RAMAJ
JANE SHPALLUR
1 DAUTI 1
2 HAZARAJ
3 XHERAJ
Avokatia e Shtetit merr në dorë mbrojtjen e qeverisë në Strasburg
TIRANE - Avokatia e Shtetit merr në dorë mbrojtjen e Shqipërisë në Strasburg. Që prej pak ditësh zyra e përfaqësimit të shtetit shqiptar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut nuk do të jetë më strukturë e Ministrisë së Jashtme, por e asaj të Drejtësisë. E thënë ndryshe, varësia direkt e kësaj strukture të re është nga Avokatia e Shtetit dhe më pas edhe nga ministri. Kjo edhe për faktin se Avokatia e Shtetit është institucioni që ligjërisht duhet të mbrojë interesat e qeverisë në të gjitha gjykatat, përfshi këtu edhe arbitrazhet, kombëtare apo ndërkombëtare. Po kështu është ndryshuar edhe struktura e përfaqësimit të Shqipërisë në Starsburg, e cila do të përbëhet nga një sektor i veçantë, nën drejtimin e juristes Enkelejdi Hajro, e cila ka katër vartës, ish-studentë të drejtësisë në vendet Perëndimore. Hajro, deri pak kohë më parë mbante postin e kreut të Kodifikimeve në Ministrinë e Drejtësisë. Tashmë në varësi të Avokatit të Shtetit, Eduard Halimi, ajo do të përfaqësojë shtetin shqiptar në Strasburg. I kontaktuar nga Gazeta, kreu u Avokatisë së Shtetit, Eduard Halimi, e konfirmoi këtë fakt duke pohuar se shkak për ndryshimet ishin humbjet e njëpasnjëshme të çështjeve nga shteti në Strasburg. Sipas tij, vetëm brenda pak muajsh qeveria shqiptare humbi në tre dosje dhe për më tepër u penalizua me gjoba që në total shkojnë në dhjetëra mijë e euro. Bëhet fjalë për çështjet “Dauti”, “Harizaj” dhe “Xheraj”, si dhe për disa dosje të tjera që janë humbur më parë. Sipas tij, u pa e udhës që të bëheshin ndryshime në mënyrën e përfaqësimit të Shqipërisë në Gjykatën e Strasburgut, kjo për faktin se paditësit i kishin humbur çështjet në të gjitha Shkallët e Gjyqësorit Shqiptar, ndërsa Strasburgu i rrëzon të gjitha vendimet e mëparshme, duke bërë që në këtë mënyrë të mendohet për një mbrojtje të dobët të interesave të shtetit shqiptar. Po kështu burime, të tjera pohojnë se edhe për pjesën dërmuese të çështjeve ende të pashpallura, por që janë shqyrtuar, paraprakisht Strasburgu është shprehur për rrëzimin e pretendimeve të qeverisë shqiptare. fa.ma