E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksioni i një maturanti

Edlira Abazi* 

Para disa ditësh u gjenda në Mbledhjen e Këshillit Disiplinor të shkollës “Sinan Tafaj”. Për të gjithë ata që dinë pak për të po tregoj se është shkollë e mesme, që në eksplorimin tim rezulton nga më të mirat në Tiranë, nxënëse e së cilës është dhe vajza ime.Pa dashur të mërzis lexuesin me para-ecejaket e mbledhjes ju tregoj se në drejtorinë e shkollës u përballa me një problem sa të hasur, aq dhe shqetësues në shkollat tona. Nxënësve iu kishte rënë në dorë regjistri, kishin hedhur mes kutive bosh nota fiktive dhe falë përditshmërisë së kontrollit të drejtorisë së shkollës ishin evidentuar rastet. Unë dhe të tjerët, prindër e mësues të zgjedhur me kujdes nga drejtoria ishim në mbledhje për të gjykuar mësues e nxënës. Se çfarë u bë në atë mbledhje nuk është qëllimi i shkrimit tim, por ajo që më ka mbetur në mendje dhe dua ta ndaj me ju është diskutimi i një nxënësi, njërit prej atyre fajtorëve të notave fiktive, që bashkë me fajtorët e tjerë ishin aty dhe prisnin gjykimin tonë.
“Unë erdha vetë në drejtori dhe thashë që kisha vendosur notën që nuk e meritoja. Ndjehem keq për këtë dhe kërkoj ndjesë. Nuk di se si ju do të më gjykoni, por ju them se cilido qoftë gjykimi juaj, më shumë sesa më ka vrarë dhe vret vetvetja, ndërgjegjja ime, ju nuk do mund ta bëni dot”. Kaq tha maturanti i skuqur sakaq deri tek veshët dhe uli kokën.
Pyetjet që më erdhën në kokë ishin shumë. A duhej dënuar ai dhe të tjerët? Nëse po deri ku duhej të shkonte masa dhe nëse jo, si do justifikohej ajo që kishte ndodhur? Kuptova se dhe të tjerët kishin bërë me vete pyetje të tilla dhe në heshtje u bëmë dy grupe që qëndronim mes dënimit dhe të kundërtës. Pjesa e gatshme për dënim i takoi përfaqësueses së Drejtorisë Arsimore dhe një pakice tjetër, e cila më duhet të pohoj me keqardhje, se më kujtoi kohën që lamë pas dhe agresivitetin që i kapte njerëzit tek ‘gjenin armikun e klasës”. Diskutimi i ashpër mbi “krimin” e bërë nga mësues e nxënës mu duk se do të përfundonte në kryqëzimin e fajtorëve më keq se Krishti këtu e 2000 vjet më parë. Kurse pjesa tjetër, pjesë e të cilëve vendosa të jem, e solli ngjarjen jo si rastësi të një shkolle, por si fenomen shqetësues në shkollat tona. Besoj se për të gjithë, e sidomos për ata që kanë fëmijët në shkolla, është ende e freskët vjedhja e regjistrave në shkollën “Sami Frashëri”, por dhe shumë fenomene të tjera të qortueshme dhe të ndëshkueshme që hasen çdo ditë. A duheshin ndëshkuar fajtorët? Unë votova për jo, në bindjen time mjaftonte evidentimi dhe qortimi për rastin. Dhe e argumentova kështu votën time:
Për mua si prind dhe qytetar mjaftonte që Drejtoria e shkollës ishte treguar sistematike në kontrollet e saj dhe jo vetëm kishte kapur rastin, por me seriozitetin e saj në punë, i tillë që është rrallë të gjendet sot, të krijonte besimin se në atë shkollën jo shumë të dëgjuar, shteti ekzistonte. Dhe besoj se atje ku shteti është prezent edukata e respektit për ligjin vjen e rrënjoset.
Për çdo njeri leximtar është i ditur se qëllimi kryesor i ligjit nuk është ndëshkimi, por parandalimi i krimit dhe edukimi i individit me respektin ndaj ligjit. Kur ligji vjen dhe vepron në ndëshkim, shteti është në disavantazh me qytetarët e tij. Në rastin konkret, karakteri edukues i ligjit duhet të mbizotëronte. Aq më tepër që ishte rasti i parë i ndodhur dhe në bindjen time asnjë nuk duhet t’i japë vetes të drejtën të tejkalojë masat ligjore dhe të urdhërojë masën ekstreme pa kaluar nga një shkallë ndëshkimi në tjetrën. Kështu votova qortimin.
Në fund u ktheva tek nxënësi. Mu kujtua shprehja e Gëtes se “...cilido akt vullneti i ka rrënjët të mbjella mirë në natyrën e një njeriu”. Dhe natyra e nxënësit të “Sinan Tafajt” rezultoi se ishte ajo e duhura, e drejtë, e fortë për të përballuar gabime e sfida, e aftë për të përballur të drejtën njerëzore në sy. Natyra e maturantit rezultoi e duhura, por vulosja e karakterit të tij, dukej sikur priste vendimin tonë, mësues e prindër bashkë. Mund ta thyenim deri në shkatërrim ose ta certifikonim si karakterin e duhur. Nuk kisha dhe nuk kam as tani dyshimin më të vogël se rasti i tij duhej stimuluar. Madje, rasti i tij me entuziazmoi. Eshtë kaq vështirë të gjesh sot njerëz me karakter, që kanë kurajë të të shohin në sy e të të thonë “po unë e bëra”, “më falni” e të tjera ‘fjalë burrash’ si këto. Jo “fjalë burrash” në sensin e mashkullit, por të përdorimit shqiptar të burrërisë që lidhet me karakterin. Sot, etika false është përdorur si kostum për të fshehur pakaraktere ose më keq akoma, karaktere që duke mos i rezistuar dot trysnisë së kohës, ndrydhen e u transformohen në atavizma që po na bëjnë keq të gjithëve. E sotmja na përball me presione që thyejnë dhe karakterformuarit, me të tjerë, të pamundur të flasin drejt e sy ulur, me të tjerë që njohin e mësojnë çdo rrugë dredharake e të pandershme, por që nuk munden asnjëherë të drejtojnë shtyllat e tyre kurrizore. Të gjithë këta rrezikojnë të mbysin të nesërmen tonë të përbashkët.
 Ndaj ai maturanti me fytyrën e tij me pulla të kuqe nga turpi më bëri të pyes gjithë sa ishin në atë sallë. “A duhet t’i vrasim karaktere të tilla apo t’i stimulojmë e t’i nisim drejt së nesërmes”? Përgjigjja ishte optimiste dhe votimi po kaq edukues. Sa për mua natyrisht u ndjeva mirë. Ishte fitore (nëse është termi i duhur), ishte fitore e virtytit, ishte fitorja jonë e përbashkët dhe në këto kohë denigruese.
...Unë nuk di nëse do ta takoj prapë atë maturantin krenar dhe në gabim, atë fajtorin dinjitoz që na dha të gjithëve në atë sallë një leksion edukimi, në këto kohë kur vetëm për edukim nuk flasim. Por e di mirë se leksioni, që ai dha për mua dhe të tjerët në këto kohë të çuditshme, tek na pa në sy e na foli, ishte gati i barabartë me parullën fitimprurëse të Presidentit Obama “Po ne mundemi”.
*Drejtore e Marrëdhënieve me Publikun në Gjykatën Kushtetuese

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›