E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi politik/Bllokohet KRRT-ja e Tiranës, në mënyrë që Edvini të ndalë shitjen e lejeve të ndërtimit

Në prag të votëbesimit masiv kundër praktikave korruptive të administratës “Rama”, Edvini ka thirrur një KRRT të njëanshme, ku njofton akordimin pa transparencë të 30 lejeve të reja të ndërtimit. Mazhoranca merr vendimin politik për të bllokuar mbajtjen e një forumi, i cili mund të dëmtojë rëndë interesat e të gjithë taksapaguesve kryeqytetas

TIRANE - Drejtori i Politikave të Planifikimit Urban në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Marin Biçoku akuzoi dje kreun e Bashkësi së Tiranës, Edi Rama se po vazhdon që të abuzojë me lejet e ndërtimit. “Ne si profesionistë e të votuar të Këshillit Bashkiak të Tiranës nuk do të marrim pjesë në mbledhjen e KRRT-së të Tiranës, pasi nuk mund të bëhemi palë në shkatërrimin e kryeqytetit dhe nuk mund të pranojmë trajtimin e Tiranës si pulla e njolla sheshesh ndërtimi”, deklaroi Biçoku.
Deklarata e kreut të Urbanistikës pranë MPPTT-së erdhi një ditë pasi kreu i bashkisë së Tiranës kërkoi mbledhjen e KRRT-së së Tiranës, anëtar i së cilës është dhe Biçoku. “Dje në mbrëmje kryebashkiaku Rama na lajmëroi për mbledhjen e KRRT-së me një rend dite për 30 leje ndërtimi të klienteve të tij e 20 investime elektorale. Kjo do të thotë vërtetim i faktit që Rama vazhdon të abuzojë me lejet e ndërtimit dhe ta përdorë pushtetin e tij në shërbim të klientëve të 15 për qind”, tha ai.
Duke e konsideruar kryebashkiakun Rama si pengesë reale qe e ka lënë Tiranën pa plan rregullues prej 10 vjetësh, Biçoku shtoi se kjo shaka e ripërsëritur e tij duhet të marrë fund. Tirana, siç u shpreh ai, nuk është çifligu i tij dhe KRRT-ja nuk është bandë që të grabisë qytetin. Biçoku kërkoi miratimin e planit rregullues në Këshill Bashkiak e deri në KRRTRSH, sikurse ligji e kërkon. “Ne kërkojmë një proces të thellë shqyrtimi që të ketë në fokus interesat më të mira të Tiranës dhe qytetareve të saj dhe jo lejet e ndërtimit të Koçove të Kryetarit të Bashkisë”, vijoi ai në deklaratën e tij.
Sipas Biçokut, kontrata për hartimin e planit rregullues është lidhur më 1 nëntor 2006 dhe duhet të mbaronte në korrik 2007.
“Më dhjetor 2008 na kërkoi të miratojmë në parim në KRRT-në e Tiranës draftin e planit rregullues duke na premtuar që boshllëqet do të plotësoheshin urgjentisht dhe problemet ligjore të tij do të korrigjoheshin, theksoi Biçoku, ndërsa shtoi se në këtë situatë të paprecedent babëzie e paaftësie, Kryetari i bashkisë në vend të pranojë dështimin e tij kërkon të vazhdojë të drejtojë qytetin pa plan”.
Ai informoi se në nëntor 2004 bashkisë së Tiranës i janë vënë në dispozicion nga donatorët 1.46 milionë dollarë plus financimin shtesë të qeverisë shqiptare për të hartuar planin rregullues, të cilin nuk e ka mbaruar ende. Debati rindizet tashmë kur edhe buxheti i bashkisë është në kolaps, për shkak se Rama refuzon të detajojë projektet ku do të shpenzohen 14 milionë euro të taksapaguesve të kryeqytetit. Sipas ligjit aktual, në rast se këshilltarët e PD-së dhe përfaqësuesit e MPPTT-së nuk marrin pjesë në mbledhjen e radhës të KRRT-së së bashkisë, kryebashkiaku Rama e ka ligjërisht të pamundur që të lëvrojë fondet e përcaktuara për klientët e tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›