Edvini mallkon mediat, i kërkon të gjitha nën sqetull në mënyrë që të përhapë katastrofat që ka në tru
Nuk mbulohet dielli me shoshë thotë populli. Po kështu s’mund të përdhoset aksioni ekzemplar i strukturave shtetërore për të asistuar popullsinë e dëmtuar nga përmbytja. Por Edvin Ramës nuk i resht vullneti i zi dhe dy ditë më parë mallkoi të gjitha mediat dhe pronarët e tyre, që s’i bindeshin linjës katastrofike që kishte përcaktuar për pasqyrimin e emergjencës. I mësuar t’i krihet bishti nga karteli i mediave që hanë në grazhdin e bashkisë, Edvini ndërmori pardje në kërcënim të pastër ndaj mediave, duke konfirmuar linjën bolshevike me të cilën po qeveris bashkinë e PS-në dhe mungesën e mekanizmave të kontrollit që do të kishim ndaj tij, nëse - prite Zot rrezikun – ai do të mund të merrte në dorë edhe qeverinë e vendit. Kërcënimet se herët a vonë këto media do ta paguajnë interpretohen si një thirrje e dëshpëruar për të realizuar – edhe pse në opozitë – “press capture”-in që e majta e ka pasur fort për zemër gjithë këto vite e që po tenton ta mbyllë rrethin me linjën nekropolitike të këtyre kohëve. Tashmë hesapet merret vesh se po bëhen pa hanxhinë dhe se linja e Edi Ramës po has vështirësi edhe brenda mediave të grazhdit, të cilat përditë e më tepër kuptojnë se kufiri po kalohet dhe po minimizojnë urdhrat për panik e katastrofë që zbresin si fatva talebane për zyrës së Edvinit.Ndaj këtij qendimi anti-shtyp ka reaguar dje edhe partia më e madhe e mazhorancës. Zëdhënësja e Partisë Demokratike Erla Mëhilli u shpreh se faji nuk qëndron tek mediat, por tek ligësia e shpirtit të tij që kërkon të manipulojë fatkeqësitë natyrore. “Edvin Kristaq Rama, në një akt tërbimi të plotë ndaj efiçencës së operacionit të shpëtimit të Komitetit Ndërministror për menaxhimin e situatës së përmbytjes në rrethin e Shkodrës, nuk kurseu në sulmin e tij as edhe mediat e lira të vendit. Ai i kërcënoi ato në mënyrën më të denjë për etërit e tij biologjik e historik, dhe kjo vetëm e vetëm se ato kanë raportuar 24 orë në 24 nga të katër anët e zonave të përmbytura, gjendjen reale të operacionit të shpëtimit, evakuimit dhe ndihmës për qytetarët e këtyre zonave. Edvini u tha mediave se keni shitur lirinë tuaj vetëm se ato raportojnë të vërtetën mbi operacionet e ndërmarra nga qeveria në zonën e përmbytur”, u shpreh zëdhënësja e selisë së PD-së. Partia Demokratike i kërkon Edvin Ramës të heqë dorë nga presioni politik mbi mediat e pavarura të vendit. “Ato kanë bërë dhe po bëjnë detyrën me profesionalizëm të plotë. Telekronistët e tyre së bashku me mijëra zyrtarë lokalë e qendrorë, civil e ushtarak, anëtarë të Policisë së Shtetit dhe qytetarë të zonave të përmbytura po përballen prej më se dy javësh me pasojat e rënda të një fatkeqësie natyrore, ndërkohë që ti bridhje hoteleve luksoze të Parisit dhe resorteve turistike të detrave të nxehta. Edvin nuk ta kanë fajin gazetarët se raportojnë të vërtetën dhe nuk shpifin trillojnë e mashtrojnë siç do ti, por faji qëndron në ligësinë e shpirtit tënd që do të manipulojë edhe fatkeqësitë madhore natyrore”, përfundon deklarata për shtyp e zëdhënëses së Partisë Demokratike....