Edvini mban peng planin rregullues të Tiranës, duke shpërdoruar 10 milionë dollarë të dhëna për këtë qëllim
PD akuzon drejtpërsëdrejti kryebashkiakun e kryeqytetit si megakorruptori i Tiranës
TIRANE - Plot 9 vite në dispozicion, 10 milionë dollarë nga taksat, pa llogaritur donacionet, dhe një drejtori urbanistike me 70 specialistë dhe Edi Rama e ndërtoi Tiranën në kaos, pa plan urbanistik. Deputeti demokrat Aldo Bumçi bën të ditura fakte dhe të dhëna, që vërtetojnë abuzimet galoponte të kryebashkiakut Edi Rama, duke mos bërë kryeqendrën e Shqipërisë me plan rregullues, por duke e lënë në kaos të plotë dhe pa rrugë zgjidhje.
Zëdhënësi i grupit parlamentar në PD, Aldo Bumçi tha se bërja e Tiranës me plan të përgjithshëm rregullues ishte premtimi i parë dhe kryesor i Edi Ramës në zgjedhjet e vitit 2000. Bumçi tha se ky premtim elektoral i pambajtur i kreut të bashkisë, njëkohësisht dhe kreu i opozitës, për 9 vite rresht ka sjellë pasoja shumë të mëdha për kryeqytetin e vendit.
Deputeti demokrat theksoi se sjellja e Ramës ndaj planit është e pa pranueshme, sepse ai ka sulmuar çdo qeveri apo donator që kanë tentuar të vënë në jetë një plan urbanistik si çdo qytet evropian.
Zëdhënësi i grupit Kuvendor Demokrat theksoi se Plani Strategjik për Tiranën e madhe, financuar nga Banka Botërore, i mbaruar në vitin 2002 parashikonte zhvillimin e metropolit, duke përfshirë dhe bashkinë e Tiranës. “Ky plan i paraprinte presionit të ndërtimeve të larta dhe interesit të madh dhe shmangte zhvillimin e pakontrolluar të territorit në Tiranë. Ishte ky plan që do të shmangte dëmtimet të cilat ka shkaktuar kreu i bashkisë Rama apo ato për të cilat është ankuar ai për Farkën, Dajtin e Kasharin”, tha Bumçi.
Ai bëri të ditur 6 pikat e Planit Strategjik. Pika e parë e tij plani, planifikonte me kritere të rregullta urbane të gjithë zonën e metropolit të Tiranës. Pika dy e këtij plani, tha zëdhënësi i Grupit Kuvendor demokrat, përcaktonte një zhvillim të balancuar ekonomik të gjithë sektorëve në Tiranë dhe jo vetëm të tregut të banesës. Pika 3 e planit përcaktonte zonat, me intensitet të ulët, mesatar apo të lartë banimi. Deputeti demokrat theksoi se Rama nuk mori parasysh as pikën 4 të këtij plani i cili përcaktonte zonat për zhvillim industrial së bashku me sistemet e përmirësuara të transportit, si dhe shërbimet e duhura të furnizimit me ujë dhe energji elektrike.
Deputeti Bumçi tha para mediave se Rama nuk zbatoi as pikën 5 të cilën e kishte propozuar vetë. Krijimi i dy qarqeve rajonal në Farkë e Paskuqan, tani është i pamundur sepse ndërtimet dolën jashtë kontrollit, për shkak se nuk kishte një plan urbanistik për Tiranën. Pika ku Rama nuk bie dakord me planin strategjik tha Bumçi është përcaktimi i një brezi të gjelbër, rretheqark metropoli, në të cilën do të lejoheshin vetëm ndërtime me intensitet të ulët. Zëdhënësi i Grupit Kuvendor demokrat theksoi se kjo pikë po shkelet në çdo mbledhje KRRT-je, nga ku nxirren para të pandershme për kreun e Bashkisë.
Bumçi theksoi se Rama u ka vjelë ndërtuesve të Tiranës taksën 1% të investimit në funksion të studimeve urbanistike, e cila për periudhën 2002-2008 arrin vlerën 10 milionë dollarë, shumë kjo e mjaftueshme për të hartuar 8 plane rregulluese.
Në vijim Bumçi solli një shembull që qytetarët e Tiranës e kanë makth nga mungesa e këtij plani. Mungesa e parkimit pavarësisht se Tirana ka makina më pak se çdo qytet i rajonit është kthyer në makth për banorët e Tiranës. Megjithëse numri i makinave do vijë gjithnjë në rritje Tirana do vazhdojë të vuajë këtë mungesë të planit urbanistik.
Ndonëse demagogjia e Ramës po bëhet qesharake kur deklaron se ka hartuar një program prej 1000 faqesh për qeverisjen e vendit, ndërkohë që për 9 vite, mblodhi 10 milionë dollarë dhe e la Tiranën pa plan.
Pra ai ka pasur 9 vjet në dispozicion, 10 milionë dollarë nga taksat pa llogaritur donacionet dhe një drejtori urbanistike me 70 specialistë dhe e ndërtoi Tiranën në kaos, pa plan.