E Diel, 1 Nëntor 2026

“Letërnjoftimi elektronik, nuk është kartë votuesi, por dokumenti bazë për identitetin e çdo qytetari”

Reagon kreu i FRPD-së Gerti Bogdani për pasaportat elektornike

TIRANE - Forumi Rinor i Partisë Demokratike, hodhi poshtë dje si të pabaza deklaratat e Erionit të 99-shave, se letërnjoftimi elektronik është kartë votuesi dhe se qeveria duhet të heqë taksën për kartat e identitetit. Kreu i FRPD-së, Gerti Bogdani, deklaroi se është për të ardhur keq që një i ri, por tashmë i vjetruar, i cili akuzohet nga ish kolegët e tij të Mjaft se u pasurua me paratë e kësaj organizate, bëhet megafon i politikës së vjetruar të Edi Ramës dhe përsërit trillimin se pagesa për letër-njoftimin elektronik është taksë për votën.
Bogdani tha se hipokrizia arrin kulmin kur përmend edhe Amerikën, ku ai duhet ta dijë mirë, se edhe për t’u pajisur me kartë studenti duhet të paguash një tarifë.
“Është e lehtë të kuptosh që fjalët e tij janë mashtrim sepse: Së pari, letërnjoftimi elektronik nuk është vetëm kartë votuesi, por është dokumenti ligjor bazë për identitetin e çdo qytetari, i detyrueshëm për çdo qytetar në çdo vend të botës për t’u paraqitur sa herë atij i kërkohet nga autoritetet shtetërore ose jo shtetërore, gjykata, posta, banka, zyra punësimi dhe regjistrimi, tërheqje pensionesh, ambasada etj., dhe një herë në katër vjet për të provuar identitetin në qendrën e votimit. Së dyti, pretendimi se letërnjoftimi elektronik është taksë për votën është thjeshtë trillim, sepse qeveria jo vetëm që ka hequr taksën për çmimin e tyre, por ka marrë përsipër të paguajë nga buxheti i shtetit 80-100% të çmimit të tyre për rreth 700,000 qytetarë shqiptarë.
Qytetarët do të marrin letërnjoftimin që u vlen për tërë jetën, me aq sa paguajnë për 4 certifikata. Kjo do të jetë e mundur për familjet në nevojë, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, pensionistët dhe sidomos studentët”, u shpreh Bogdani.
Kreu i FRPD-së, shtoi se tellallët e Edi Ramës, me zhurmën e tyre duan veçse të fshehin trefishimin e taksave vendore të pastrimit dhe gjelbërimit.
“Në fund të ditës, ata dhe Rama duan veçse t’i shohin qytetarët shqiptarë në radha pa fund duke pritur për një certifikatë dhe jo si qytetarë evropianë, siç u takon”, deklaroi Bogdani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›