Berisha thyen rekordin e ngjitjes në murin kinez, e cilëson si një ngjitje me frymë elektorale
Kreu i ekzekutivit e ka cilësuar këtë një ngjitje sa kulturore, aq edhe elektorale
TIRANE - Në kuadër të zhvillimit të vizitës zyrtare në Kinë, kryeministri Sali Berisha vizitoi dje murin e madh kinez në Badaling, pjesa me strategjike e murit mijëravjeçarë të ndërtuar për të mbrojtur Kinën nga sulmet e jashtme. Kreu i qeverisë shqiptare ka regjistruar një rekord origjinal, teksa ngjiti mbi 1500 shkallët, që të çojnë në njërën nga majat e këtij segmenti dhe ju akordua nga autoritetet lokale, një certifikatë si Kryeministri që është ngjitur në pikën më të lartë të murit, mes 400 krerësh shtetesh dhe qeverish që e kanë vizituar këtë mur. Kreu i ekzekutivit e ka cilësuar këtë një ngjitje sa kulturore aq edhe elektorale. “Ngjitja është gjithnjë e këndshme, të lodh, por të lartëson. Kjo është merita e ngjitjes. Por të ngjitesh në një nga monumentet më madhështore të historisë së njerëzimit, lodhja shkrihet. Miku im kinez më thotë se është ngjitja më e lartë në mur se çdo kryeministër tjetër që e ka vizituar atë. Iu përgjigja se kjo ngjitje është një ngjitje sa kulturore aq edhe elektorale, ndaj dhe e bëj me shumë kënaqësi. Le ta quajmë këtë pra edhe një komponent kulturor-elektoral të udhëtimit tim. Pjesa tjetër është pjesa zyrtare”, u shpreh kreu i qeverisë Sali Berisha.
Pjesa e murit në Badaling, e mbiquajtur edhe “çelësi i portës veriore të Pekinit”, është pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s që nga viti 1987. Më shumë së 400 kryeministra dhe presidentë të vendeve të ndryshme të botës e kanë vizituar këtë mur në Badaling, i cili konsiderohet si një simbol paqeje dhe miqësie midis popullit kinez dhe popujve të tjerë të botës.
L.Q