E Diel, 1 Nëntor 2026

Në 4 vjet PD ka rritur rrogat dhe pensionet, ndërsa Edi Rama në 9 vjet ka rritur taksat

Kryetarja e Kuvendit takohet me banorë të komunës së Bushatit

TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është ndalur dje në komunën e Bushatit, dhe më konkretisht në fshatin Ashtë, për të inauguruar një rrugë tjetër të re prej 3 km, një investim prej 700 milionë lekësh. Kryeparlamentarja tha se vetëm në bujqësi gjatë tre viteve janë investuar 1.6 miliardë dollarë dhe vetëm në komunën tuaj janë investuar 8 milionë euro, një shifër kjo e paimagjinueshme për një komunë të Shqipërisë. Gjatë këtyre tre viteve, në bujqësi janë investuar më shumë seç janë investuar 15 vjet përpara.
Kyeparlamentarja Topalli tha se PD do të shkojë në çdo fshat, në çdo komunë e çdo qytet për të dëgjuar banorët, “për të marrë sugjerime e për të marrë edhe projekte të tjera të reja që ne do t'i zbatojmë në vitet e ardhshme”. Duke bërë një bilanc të punës së bërë ndër këto 4 vite nga qeverisja aktuale, krahasuar me atë çka bën kryetari socialist, Kryetarja e Kuvendit tha se “Në 4 vjet ne kemi rritur rrogat, ne kemi rritur pensionet, kurse në 9 vjet Kryetari i Bashkisë të Tiranës ka rritur vetëm taksat”.
Topalli deklaroi më tej se “Ne, Partia Demokratike kemi ndërtuar dhe po vazhdojmë të ndërtojmë në çdo cep të Shqipërisë, ndërsa në 9 vjet Edi Rama në fakt u morr vetëm me fasadat dhe nuk arriti të ndërtonte as qendrën e kryeqytetit tonë, Tiranës”. Kryeparlamentarja Topalli gjatë fjalës së saj foli dhe për investimet që janë bërë në sistemin arsimor “Në 4 vite ne ndërtuam 1600 shkolla të reja apo të rikonstruktuara, një shifër rekord në shërbim të fëmijëve dhe të arsimimit të tyre”.
Duke vijuar më tej, Topalli deklaroi se “Në 9 vjet kryetari i bashkisë të Tiranës ka thyer vetëm rekordin e lejeve të ndërtimit, ka thyer vetëm rekordin e dhënieve të këtyre lejeve për miqtë dhe dashamirësit e tyre. Ju e kuptoni cili është kontrasti, ju e kuptoni cila është diferenca, ju e kuptoni kush e ka seriozisht, ju e kuptoni kush e do vërtet këtë vend, kush e do Shqipërinë tonë, kush e do vendin tone”.
Zgjedhjet e 28 qershorit ishin një pikë tjetër ku Kryparlamentarja Topalli u ndal gjatë fjalës së saj, duke u kërkuar qytetarëve që të shkojnë në kutitë e votimit “jo vetëm për të na votuar për Shqipërinë e ndryshuar, ne ju themi na votoni për ato që ne do të bëjmë”. Në këtë kontekst, Topalli u ka bërë thirrje banorëve që të shkojnë dhe të aplikojnë për t`u pajisur me kartë identiteti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›