E Diel, 1 Nëntor 2026

“Parlamenti do të hetojë rastin më skandaloz të historisë së korrupsionit”

PD nuk do të tërhiqet nga nisma për ngritjen e komisionit hetimor

TIRANE - Shumica parlamentare deklaron se nuk do të tërhiqet nga nisma e saj parlamentare, për ngritjen e komisionit hetimor, lidhur me hetimin e aferave të Edi Ramës, në dhënien e lejeve të ndërtimit. Deputeti dhe njëherazi sekretari për marrëdhëniet me publikun në Partinë Demokratike, Ferdinand Xhaferri, deklaroi dje se askush dhe asgjë nuk do të frenojë hetimin e Edi Ramës për 19 lejet e mbledhjes së fundit të Këshilli të Rregullimit të Territorit të Tiranës. Një përgjigje e prerë kjo nga mazhoranca e cila deklarohet e vendosur t’i shkojë deri në fund komisionit hetimor për kryesocialistin, që sipas saj është në përputhje të plotë me kushtetutën.
“Kori i zyrtarëve socialistë që ka dalë në publik ka pranuar faktin se Edi Rama në mbledhjen e fundit të KRT-së me 19 lejet e ndërtimit të dhëna për ish shefin e tij të Urbanistikës dhe aktualisht anëtarin e tij të KRT- së, Alban Eftimin, ka vulosur aktin më skandaloz të historisë së korrupsionit në këtë vend. Të gjithë zyrtarët socialistë pranojnë faktin se Edi Rama ka vjedhur duke thënë se; Edi Rama nuk mund të hetohet. Ky qëndrim nxjerr qartë se Ramën po e nxjerrin lakuriq edhe të vetët”, u shpreh Xhaferri.
Ai vuri në dukje se askush nuk mund të dalë mbi kuvendin e Shqipërisë dhe askush nuk mund të ndalojë Parlamentin për të ushtruar pushtetin e tij që buron nga vullneti i qytetarëve.
“Kuvendi i Shqipërisë në zbatim të pushtetit të vet sovran do të hetojë se si është zbatuar ligji për “Urbanistikën” nga Edi Rama? Ai në konflikt të hapur interesi në mënyrën më klienteliste ka gllabëruar paratë e qytetarëve të Tiranës dhe nuk ka shpëtim. Kuvendi do të hetojë Edi Ramën. Pavarësia e pushtetit vendor ku mundohet dhe zvarritet të fshihet Rama nuk mund të shërbejë si licencë për korrupsion dhe nuk është e tillë. Bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjin për komisionet hetimore Parlamenti do të hetojë rastin më skandaloz të historisë së korrupsionit në vend”, përfundoi Xhaferri.   

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›