Edvini ndjen vdekjen politike me mbarimin e bojkotit
Pasi kuptoi se linja e politikës së rrugës nuk iu imponua dot as presidentit të republikës dhe as faktorit ndërkombëtar, Edi Rama ka kuptuar se mund të mbijetojë politikisht vetëm nëpërmjet bojkotit. Dje ai ka nxjerrë një felë politikë, por është shfaqur i gatshëm për çdo haxhiqamilizëm, mjaft që dikush ta mbështesë në përpjekjen për të bllokuar reformat dhe heqjen e vizave për shqiptarët
Edi Rama kaloi dje kufirin dhe dëmtoi rëndë dialogun mes dy poleve politike në vend, kur nxori një besnike të vetën për të deklaruar se tashmë s’bëhej më fjalë për dialog e se parakushti i kësaj pune ishte shpërndarja e parlamentit, tashmë të votuar nga shqiptarët dhe të njohur ndërkombëtarisht si të tillë. Ish-prokurorja Ermonela Felaj, me një sjellje të pabesë, të denjë veç për politikat e Edvin Ramës, kërkoi dje as më shumë e as më pak por shpërndarjen e parlamentit, si një vendim i mbramë që s’kishte të bënte shumë me hapjen e kutive të votimit, por veç me marrjen e pushtetit në tavolinë prej soc-komunistëve. “Ilir Meta ishte ai që lëshoi ulërimën me të madhe pas zgjedhjeve për vjedhjet e Saliut dhe pastaj u bë pulë sa u fut në kotecin e qeverisë, tha dje Ermonela Felaj. S’ka asgjë më qesharake që po kjo pulë e majmur ndjeshëm nga shitja e votave opozitare për një karrige, të bëjë edhe gjelin duke kënduar maj karriges refrenin e Saliut për moslejimin e transparencës. Ne nuk kemi punë me gjykatat, por me të drejtën për të hetuar. Një parlament që nuk kurajo të respektojë të drejtën tonë kushtetuese duhet të shpërndahet”, lëshoi Ermonela dje fatva-n e vet, pa u shqetësuar se ç’po lëshonte nga goja, pa u merakosur se sa shumë po e përdornin Edi Rama dhe ylberistët e tjerë dhe se sa pa shpresë ishte në përpjekjen për të ndalur njollat në jetëshkrimin e saj në institucionin e akuzës. Pasi ishte konfirmuar një ditë më përpara se Bamir Topit do t’i lihej kohë që të “eksploronte” mundësitë e konvergjencave mes palëve, që të arrihej kapërcimi i ngërçit politik, dhe pasi pak orë më përpara edhe Edi Rama me ylberistët e tjerë të “frontit” opozitar kishin shqiptuar të njëjtën garanci, “zërat nga lart” e shtynë Edvinin të nxirrte “Felën” e të dënonte me vdekje tryezën e dialogut. Pasioni i Ramës për autopsitë duket se s’ka shumë lidhje, pasi kryesorja është bindja se ai tashmë s’ka më kohë e se pa bojkotin, ai s’trashëgon dot as Partinë Socialiste, as Bashkinë e Tiranës e aq më pak ndonjë hipotekë më të vogël politike. Përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe zërat relevantë në PS me kohë i kanë lënë shëndenë, LMN-ja, me afrimin e 4 marsit po bëhet përditë e më e rëndësishme, prandaj edhe lëvizja e mbrame e një politike të mbaruar mbetet nxjerrja e “Felës” për të kërkuar shpërndarjen e parlamentit. Mbijetesa politike ka lidhje me bojkotin, prandaj edhe kjo llogore do mbajtur fort, veçanërisht në momentet kur ajo është krejt e dobët, siç janë javët finale para javës së parë të marsit. Djegia e mandateve është një realitet tashmë i pranuar edhe nga organizmat ndërkombëtare dhe i shqiptuar dje edhe nga ambasadori i presidencës së BE-së, kështuqë mbijetesa lidhet fort me mbijetesën e bojkotit. Pas mosimponimit në tryezën e presidentit të republikës, linja haxhiqamiliste ka mbetur referenca finale, por me praninë fillestare të Felës dhe me praninë e mbrame të Grupit të Pezës, linja apatride s’mundet veçse të demaskojë vetveten dhe ta dënojë atë me asgjësim (politik).
Fokus-Kërkesat e opozitës, asnjë bazë ligjore, veç tymnajë që synon fshehjen e krizës majtiste/Pretendimet e ngritura nga Partia Socialiste po shkojnë hap pas hapi drejt skarcitetit të tyre, pasi një kërkesë që nuk merret përsipër nga autoritetet gjyqësore, atëherë jo vetëm është në shkelje me ligjin, por njëherazi përbën një absurditet të paqartë lidhur me objektin e kërkuar. Edi Rama, ka qenë më i informuari që në krye të herës se kërkesat e ngritura nga vetë ai, ishin të destinuara të binin poshtë, pa u shqyrtuar ende, por interesat e ulëta politike, e detyruan t’i matrikulojë ato në mënyrën më të padrejtë të mundshme, duke konfirmuar kështu përballë institucioneve një ngërç të keq sajuar dhe pa asnjë bazë të mirëfilltë. Humbja e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe përgjegjësitë ndaj elektoratit socialist, e detyruan kryesocialistin Edi Rama, të ndjekë rrugën e shtrembër, për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve dhe njëherazi bojkotimin pa afat të parlamentit.
Një problem i krijuar ndërmjet Partisë Socialiste dhe Gjykatës së Apelit, po tentohet të integrohet tashmë si një problem institucional, nëse mazhoranca vazhdon të bëjë lëshime të panevojshme në drejtim të joshjes së hienave destabilizuese socialiste.
Vetë kryeministri Sali Berisha u shpreh dy ditë më parë, pikërisht të shtunën, vetëm pak minuta pas përfundimit të takimit të parë në tryezën e Topit, se problemet me gjykatat nuk do të kthehen në probleme politike.
Kreu i qeverisë, u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me opozitën dhe t’i bëjë asaj çdo koncesion përveç diskutimit të vendimeve të gjykatave.
Berisha artikuloi qëndrimin e shumicës me argumentin se hapja e kutive, kërkesë kjo e insistuar fort nga PS, nuk është çështje e mazhorancës dhe as e Partisë Demokratike, por një problem i opozitës me gjykatat.
Berisha i kujtoi opozitës, raportin e OSBE/ODIHR, i cili shprehet me nota të larta vlerësuese mbi progresin e Shqipërisë dhe përparimin e dukshëm të shënuar në procesin e pajisjes së qytetarëve me dokumentet e reja të identitetit dhe mbarëvajtjen në tërësi të procesit të zgjedhjeve.
Edhe rezoluta e Parlamentit Evropian, shprehet me të njëjtin ritëm vlerësimi. Ndërsa e veçanta e kësaj është se i bëhet apel opozitës të lerë bojkotin dhe t’i rikthehet jetës parlamentare.
Përpos kësaj, rezoluta e fundit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, është një tjetër apel i ndërkombëtarëve, për rikthimin e opozitës në Kuvend dhe nisjen aty të dialogut politik. Thirrje këto, që jo vetëm nuk janë dëgjuar nga opozita, por edhe janë injoruar në mënyrën më vulgare nga Edvin Kristaq Rama, i cili vazhdon të mbajë jashtë dyerve të parlamentit opozitën e votuar më 28 qershor 2009.