E Shtunë, 31 Tetor 2026

A është e sigurt të bëhet biznes në Kinë?

Autori i Lajmit: Nga Gordon Çang

Më dhjetë shkurt, agjencia zyrtare kineze e lajmeve, “Xinhua”, njoftonte se katër punëtorë të “Rio Tinto”-s, një miniere anglo-australiane, akuzoheshin për mitë dhe vjedhje të sekreteve shtetërore.
Prokurori popullor i Shangait akuzoi Stern Hu-në, menaxherin e përgjithshëm të divizionit të arit të minierës “Rio Tinto”, si dhe tre persona të tjerë, për “përfitim nga posti i tyre për të kërkuar përfitim për të tjerët, si dhe duke kërkuar, apo duke marrë ilegalisht, sasi të mëdha parash nga kompanitë kineze të çelikut”. Autoritetet po ashtu thonë se katër punëtorët, në raste të ndryshme, kanë përdorur premtimet dhe mënyrat e tjera joligjore për të mësuar sekretet tregtare të këtyre kompanive. Sipas prokurorisë, rezultat i kësaj ishin “pasojat tepër serioze” për kompanitë kineze.
Shpallja e këtyre akuzave ishte e papritur për kompaninë “Rio Tinto”, Qeverinë australiane, po ashtu edhe për avokatët e të akuzuarve. Ka të tillë që spekulojnë se Pekini dëshiron që ta heqë qafe këtë aferë sa më shpejt. Pas një procesi të shpejtë gjyqësor, që pasoi pas hetimeve po ashtu të shpejta, Qeveria kineze mund të thotë se ka fituar, duke liruar të katër të akuzuarit, me qëllim që të fitojë simpati në botë, për gjoja zemërbutësinë e saj.
Kjo do të ishte strategji e mençur për Pekinin, meqë deri tani taktikat e saj të ashpra kanë dështuar. Arrestimi i Stern Hu-së në korrikun e kaluar, shkaktoi një potere të madhe në komunitetin e të huajve në Kinë, kishte shkaktuar zemërim në qarqet australiane të biznesit dhe tmerr në Kanberrë. Asokohe, dukej sikur zyrtarët kinezë e përdornin atë dhe tre kolegët e tij si pengje.
Verën që shkoi, shumica e vëzhguesve besonin se lidershipi kinez mbante të arrestuarit për tu hakmarrë kundër kompanisë “Rio”, e cila me gjasë kishte zemëruar Pekinin me manovrat e saj të shumta, duke përfshirë edhe refuzimin e një propozimi për investim në sektorin e minierave, si dhe për shkak të mosarritjes së marrëveshjes për çmimet e xehes së hekurit.
Teoria e hakmarrjes ka hasur në një pranim aq të gjerë në komunitetin e biznesit, saqë “Wall Street Journal” njoftonte këtë javë se, të paktën dy kompani të jashtme të minierave, para se të hynin në negociata tregtare, kishin kërkuar përjashtim të punëtorëve të tyre nga ndjekja penale për veprimet që kishin të bënin me punën e tyre. Kjo kërkesë e jashtëzakonshme tregon se bota e biznesit thuajse nuk ka fare besim te Qeveria kineze.
Deri tani, Pekini nuk ka lëshuar aspak pe në rastin e Stern Hu-së.
Tre nga katër të arrestuarit: Uang Jong, Ge Minqiang dhe Liu Caikui, janë qytetarë të Kinës. Si të tillë, ata ishin të ballafaquar sidomos me presione nga zyrtarët kinezë. Stern Hu mendohej se do të kursehej më shumë, meqë përkundër asaj se kishte lindur në Kinë, ishte bërë qytetar i Australisë. Por, doli se pasaporta e huaj e tij nuk e mbrojti fare nga përndjekjet e autoriteteve kineze.
Nga ana tjetër, menaxheri i ri i kompanisë, Ajen Bauert, i cili u emërua nga kompania australiane, me qëllim të tentimit të ftohjes së gjakrave, jo vetëm që është shtetas i huaj, por po ashtu është edhe kaukazian, gjë që e bën atë një subjekt më të vogël të presioneve të Qeverisë kineze. Gjatë viteve të fundit, kompanitë e mëdha multinacionale kanë pasur në Kinë një staf kryesisht vendor, me qëllim të zvogëlimit të shpenzimeve të tyre, por këto veprime të fundit mund ta ndryshojnë këtë realitet.
Arrestimi i Stern Hu-së tregon se posedimi i një pasaporte të huaj nuk paraqet një mbrojtje të mjaftueshme. Zyrtarët kinezë zakonisht injorojnë rregullat diplomatike me rastin e arrestimit të shtetasve të huaj, të cilët dikur ishin shtetas të Kinës.
Deri tani, Pekini ka treguar një respekt shumë më të madh për ata qytetarë të huaj, që nuk kanë qenë kurrë qytetarë të Kinës. Në fakt, Pekini kurrë nuk ka përndjekur biznesmenët e racës së bardhë, të dyshuar për krime ekonomike. Kështu që emërimi i Bauertit mund ta fillojë një trend të ri. Është fatkeqe, por duket se zyrtarët kinezë janë duke i shtyrë kompanitë e huaja që të injorojnë ekspertët e vendit, duke punësuar në stafin e tyre ekspertë kaukazianë. Pas rastit me kompaninë “Rio Tinto”, kjo mund të jetë mënyra më e mirë për mbrojtjen e biznesit të huaj atje.
(Gordon G. Çang është autor i librit “The Coming Collapse of China”).

Ky lajm është publikuar: 15/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›