E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini në panik, bën thirrje të mos hetohet, se do i prishë zgjedhjet

Parlamenti ka miratuar dje përbërjen e komisionit hetimor që do të hetojë sistemin e korrupsionit, që ka ngritur Edvin Rama me sekserët e tij Eftimi, Shkreli e Biçoku, duke monopolizuar të gjithë industrinë e ndërtimit. Edvini del pa gjak në fytyrë në një konferencë shtypi, duke kërcënuar se po u hetua, do të bëjë çmos që të prishë zgjedhjet e të mos pranojë humbjen e 28 qershorit

TIRANE - Me 68 vota, pro 6 kundër dhe 3 abstenim, Parlamenti miratoi seancën e djeshme, ngritjen e një komisioni hetimor që do të ketë si objekt të punës së tij dhënien e lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës, dhe konkretisht nga kryebashkiaku Edi Rama. Në këtë mënyrë mazhoranca konkretizoi nismën e paralajmëruar pak ditë më parë, për hetimin e aferave që sipas saj implikojnë direkt kreun e bashkisë Edi Rama. Pas këtij votimi, Edi Rama, u shfaq para gazetarëve, i frikur për këtë hetim, jo aq pse do t’i dalin të palarat, por edhe për prishjen e pazareve të mundshme, me firmat ndërtuese, që ishin shpërblyer me leje ndërtimi, në prag të zgjedhjeve.
Duke u kapur pas fjalëve, Edi Rama, argument të vetëm që kundërshtoi dje komisionin hetimor, kishte një vendim të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit nuk lejohet hetimi parlamentar ndaj pushtetit vendor.
Kryeministri Berisha i pranishëm në seancën e djeshme parlamentare deklaroi se “Qeveria nuk është si bashkia. Ai e ka bërë bashkinë si familje, që i jep 90 leje vetes me Eftimin, dhe këta njerëz ikin kur votohet kjo licencë. Nuk guxojnë të thonë gjysme fjale për 90 leje ndërtimi që jepen, që Rama merr me Eftimin. Që t’i biesh planetit kryq e tërthor rast si ky nuk gjen dhe pastaj duan të flasin për korrupsionin. Këta zotërinj janë shumë të rrezikshëm”.
Projektvendimi “Për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për hetimin e praktikave dhe procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në bashkinë e Tiranës”, u nënshkrua nga 40 deputetë të mazhorancës. Ferdinand Xhaferri, deputeti i PD-së i cili është dhe kryetar i këtij komisioni, bëri të ditur dje në Kuvend se “komisioni do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi, bllokimin dhe mosdërgimin e planit të ri Rregullues të bashkisë së Tiranës për miratim, sipas ligjit, dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij Plani Rregullues”.
Komisioni hetimor do të përbëhet nga 9 anëtarë, 5 nga shumica parlamentare dhe 4 nga opozita. Kryetari i tij do të jetë nga grupi politik nismëtar, ndërsa nënkryetari nga opozita. Veprimtaria e këtij komisioni do të përfshijë një periudhë tre javore nga krijimi i tij, një kohë kjo e mjaftueshme për përfundimin e hetimeve dhe hartimin e raportit.
Kjo është hera e dytë që për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Rama kërkohet një hetim parlamentar. Në shkurt të vitit 2003, Kuvendi i Shqipërisë miratoi krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e përdorimit të fondeve publike, që më 1992, nga bashkia e Tiranës, ku spikaste veprimtaria abuzive e kryetarit të bashkisë së Tiranës Edi Rama, për të cilin përfaqësuesit e së djathtës, që në atë kohë ishin në opozitë, sollën fakte të shumta për abuzimet e tij me fondet publike që në vitin 1998 kur drejtonte Ministrinë e Kulturës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›