Zbulimi - Valentina Leskaj i kërkoi leje Edvinit që të braktisë parlamentin
Përfundon procesi i shndërrimit të grupit parlamentar të PS-së në një gumbull kamikazësh, të cilët u përgjigjen interesave private të Edvinit. Dje Valentina Leskaj, si deputete jodixhitale ka nisur gabimisht SMS-në që duhej t’i shkonte Edvinit, të cilit i kërkohet leje që të dilet nga parlamenti, të braktiset procesi e të prishen zgjedhjet. Për shqiptarët bëhet edhe më e thjeshtë çlirimi me votë i parlamentit edhe nga fosilet e politikës së majtë
TIRANE - Seanca e djeshme plenare ka nxjerrë edhe njëherë në skenë mekanizmin e obstruksionit që funksionon tek Partia Socialiste, rolin e arkitektit që po luan Edvini si dhe shndërrimin e Grupit Parlamentar në një mashë atavike të perversitetit politik të ylberizmit. Valentina Leskaj, një eksponente e fosilizmit politik që mbijeton ende në PS është zënë dje gafil teksa po i raportonte Edvinit se e kishte kryer si duhet detyrën e saj të përdhosjes së reformës zgjedhore dhe aksionit të pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti e se tashmë i kërkonte leje në distancë që të urdhëronte kalecët e vet deputetë që të braktisnin sallën e Kuvendit.
Në një SMS që deputetja jo e epokës moderne, jo e epokës dixhitale, jo e ylberizmit e jo e celularit, i niste Edvinit (por që gabimisht i ka dhënë opcionin “bluetooth” në vend të opcionit “SMS”), i raporton lidhur me performancën e obstruksionit dhe i kërkon leje që të vijohet me show-n e braktisjes së Parlamentit derisa të “jepen karta falas”. E mbijetuara-fosile e Bashkimit të Grave Komuniste, më vonë e bashkëpunimit me organizatat luftënxitëse palestineze, e më tutje akoma e sistemit korruptiv të OJQ-ve fondegllabëruese, ka konfirmuar dje në parlament shndërrimin e Partisë Socialiste në një organizatë paramilitare, e cila është vënë në funksion të Edvinit dhe interesave të tij korruptive. Asgjë s’e shqetëson Edvinin, as aksioni i zgjedhjeve të lira, as barazia para ligjit e as forcimi i institucioneve. Partia Socialiste tashmë ka përfunduar procesin e privatizimit dhe është vënë në funksion të një grupi njerëzish që kryeministri Sali Berisha i cilësoi dje në parlament si “njerëz shumë të rrezikshëm”, të cilët nuk kanë asnjë skrupull. Deputetja jodxhitale Valentina Leskaj dje ka dekonspiruar arkitektin e sjelljes antizgjedhje. Ai është antiparlamentari Edvin Rama, i cili s’ka ndërmend të futet ndonjëherë në parlament, por që po bën çmos ta degradojë rëndësinë e këtij institucioni. Ai ka fobi ndaj kontrollit të parlamentit, prandaj edhe atje i duhet të çojë kalecët e tij më besnikë, por edhe maskime me deputetë jodixhitalë, pa shtyllë kurrizore e pa skrupuj që mund të paraqesin nesër pengesë për zbatimin e taktikave revolucionare të institucioneve. Me verbërinë e Leskajt dje është kuptuar se ka përfunduar procesi i shndërrimit të grupit parlamentar të PS-së në një grup kamikazësh politikë, megjithatë loja tashmë është e hapur dhe shqiptarët e kanë më të thjeshtë që të nxjerrin jashtë parlamentit edhe Leskajn, Ruçin, Daden e fosile të tjerë të politikës sesa të sjellin aty edhe kreun e ylberizmit.