E Diel, 1 Nëntor 2026

Konturimi i modelit shqiptar të tregut të energjisë elektrike

Privatizim, Efiçensë dhe Transparencë

Privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore është sigurisht objektivi i duhur i reformave ekonomike, por ai kërkon një shkallë të lartë aftësish institucionale për ta zbatuar si duhet, aftësi të cilat në rastin e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) shfaqen me efikasitet të plotë.
Milton Friedman, dekani  I ekonomistëve të tregut të lirë, në vitet ’90 për vendet që kryenin tranzicionin  nga socializmi në kapitalizëm tha vetëm tre fjalë: “Privatizoni, Privatizoni, Privatizoni”.
Por e kisha gabim, shton ai në një intervistë ne vitin 2002 duke theksuar: “Doli se shteti ligjor është më i domosdoshëm se Privatizimi”.
E ky i sotmi, privatizimi në sektorin energjitikë të shpërndrjes është Privatizim në një Shtet Ligjor, Privatizim në transparencë të plotë, Privatizim në konsulencë të plotë me Institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare.
Koorporata Elektro-Energjitike Shqiptare, K.E.SH -  u krijua me VKM nr. 340 datë 12.08.1992, si një ndërmarjë shtetërore me funksione të gjenerimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike si një strukturë vertikalisht e integruar.
Në vitin 1995 në zbatim të ligjit “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare” dhe ligjit “Për energjinë elektrike” KESH-i kaloi në një shoqëri aksionere, aksionet e së cilës ishin 100%  pronë e shtetit, pra filloi të funksiononte si një shoqëri tregtare në përputhje me legjislacionin e shoqërive tregtare, si një operator i vetëm në sektorin e energjisë.
Në dhjetor 2003 Qeveria krijoi  Operatorin e Sistemit të Transmetimit (O.S.T), për menaxhimin dhe operimin e sistemit të transmetimit. Pra u nda O.S.T nga K.E.SH-i.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, O.S.SH  është krijuar me VKM nr. 862 datë 20.12.2006 “Për krijimin e shoqërisë “Operatorii Sistemit të Shpërndrjes” sh.a. Tiranë” dhe funksionon prej afro dy vjetësh.
Me ligjin nr. 9889 datë 20.03.2008 “Për përcaktimin e formës dhe strukturës së privatizimit” të O.S..SH”, të miratuar në këtë Parlament, ne hodhëm një tjetër hap që lejonte/detyronte Qeverinë të privatizonte O.S.SH (kuota aksionesh 51-76%  me konsultimin e Bankës Botërore).
Këto hapa, të finalizuara sot, përbëjnë dokumenta serioz të angazhimit të Qeverisë përkundrejt  obligimeve me direktivat e Bashkimit Europian, MSA-së  dhe Traktatin e Energjisë.
Traktati i Athinës, firmosur në tetor 2005, që ka hyrë në fuqi në korrik 2006, inkurajon krijimin dhe integrimin e tregjeve te energjisë elektrike dhe të gazit në rajon (vendet e Europës JugLindore) nën Tregun e Brëndshëm Energjitik të Komunitetit Europian. Hapja e tregut të brendshëm   të energjisë elektrike dhe pjesëmarrja aktive në tregun rajonal bazohet në Direktivën 54/2003 të BE-së.
Ky privatizim i sotëm është pjesë thelbësore e prioriteteve  që shtron vizioni i Strategjisë Kombëtare të Energjsë që ka si kryefjalë  të saj: ristrukturimin e sistemit energjitik shqiptar, bazuar në parimet e ekonomisë së tregut dhe zhvillimin e një politike bashkëkohore energjitike.
Privatizimi i sektorit të shpërndarjes si dhe inkurajimi i investimeve private në gjenerimin e energjisë elektrike janë dëshmi të pakontestueshme të suksesit të reformave në energjitikë.
Metoda e privatizimit, përmes një procesi tenderimi ndërkombëtar  dhe transparent, në bashkëpunim me Bankën Botërore, e cila e këshilloi privatizimin përmes Koorporatës Financiare  ndërkombëtare (I.F.C), (dhe kontribuoi si kompani ndërkombëtare vlerësimi KPMG), ishte një proces  i hapur për publikun, ekspertët  në veçanti, investitorët potencialë e më gjerë dhe që kaloi përmes një vështirësie  të madhe, konstante në këto vite siç ishin humbjet e mëdha të Koorporatës.
Ky privatizim për konsumatorin shqiptar në të ardhmen përmirëson cilësinë dhe garanton siguri në furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike, por për vetë kontributin në vlerë monetare 100 milion Euro (që Kompania “ÇEZ”, A.S paguan në këtë blerje aksionesh) njëherësh nxit  përfitimet për qytetarët shqiptarë e shërben si faktor  plus për nxitjen e rritjes ekonomike në përgjithësi edhe përmes menaxhimit  privat e teknologjisë moderne në këtë sektorë.
Ekonomia shqiptare nuk mund të shkojë përpara pa zhvillimin e sektorit energjitik si një pjesë e rëndësishme  e infrastrukturës. Shitja e aksioneve  në O.S.Sh, privatizimi i këtij shërbimi do krijojë oportunitete për futjen e burimeve të reja të kapitalit, menaxhimit  bashkëkohor dhe teknologjisë moderne duke sjellë dhe përfitime dytësore përmes çlirimit të fondeve shtetërore për probleme të tjera zhvillimi, inkurajimi ekonomik.
Ky sektor do të ecë krahas vendeve të rajonit, pasi me këtë strukturë aktuale ishte e pamundur që Shqipëria të ecte me të njëjtin hap me vendet e rajonit. Kur flas strukturë aktuale kam parasysh edhe legjislacionin përkatës.
Privatizimi shpërndarjes të energjisë elektrike gjithashtu shërben si nxitës për tërheqjen e investimeve private në projekte gjeneruese të mëdha dhe të vogla si dhe do të integrojë më tej sistemin shqiptarë të energjisë në sistemet rajonale dhe europiane, duke përmbushur dhe angazhimet që Shqipëria ka ndaj sistemit në tërësi, rrjedhojë e ratifikimit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
Humbjet  në shpërndarje sipas E.R.E janë 2 miliardë këh në vit, nga të cilat mbi gjysmat janë humbje jo teknike.
Privatizimi i O.S.SH do të implementojë indirekt dhe politikat e Qeverisë, që konsumatorët duhet dhe do të paguajnë për energjinë që ata konsumojnë, siç bën pjesa më e madhe qytetare sot. Asnjë prej qytetarëve dhe shoqëria në tërësi nuk përfitojnë prej atyre që vjedhin energjinë elektrike, as edhe këta të fundit vetë. Përkundrazi! Ne të gjithë, si subjekte privatë apo publikë, familjar apo tregtar kemi nevojë të plotësojmë detyrimet ndaj sistemit të ekonomisë së tregut, që kemi marrë përsipër të ndërtojmë dhe përmes,  dhe patjetër  të pagimit të plotë të kostove të drejta të shërbimeve të përdorura.
Mospagesa, vjedhjet e pjesshme dhe mungesa e luftës efektive ndaj tyre kanë inkurajuar korrupsionin në drejtues të veçantë të nivelit të ulët, të mesëm pse jo dhe të lartë të kompanive energjitike duke krijuar një percepsion për KESH-in, O.S.Sh apo të tjera institucione të këtij lloji si institucione të korruptuara. Nuk mund të ecim drejt zhvillimit në energjitik e kudo në ekonomi me perceptim për kompani të tilla shtetërore, si kompani të korruptuara.
Vëmendje të veçantë Qeveria i ka kushtuar dhe duhet t’i kushtojë rakordimit të politikave të drejta për të balancuar shndërrimin e drejtë të sektorit energjitik të shpërndarjes e të prodhimit drejt privatizimit të suksesshëm e me rentabilitet teknik e ekonomik me mbrojtjen e interesave të qytetarëve, (gjë e cila është detyrë parësore e çdo qeverije).
Qeveria duhet, dhe unë kam besim për këtë, të zhvillojë politikën e zhvillimit të mekanizmave dhe kapaciteteve efektive rregullatore për të mbrojtur si të liçensuarit në sektorin elektrik, ashtu edhe  konsumatorët e energjisë elektrike. Gjithashtu është për tu përshëndetur në këtë privatizim  fakti i vëmendjes ndaj punonjësve aktualë të kompanisë për të zgjidhur cështjen e punësimit, gjatë ristrukturimit dhe transaksioneve ndërmjetëse të privatizimit.
Qeveria përjashtoi elementët që në mënyrë automatike mund të rëndonin mbi kurrizin e qytetarëve shqiptarë dhe kjo është merita e dytë e madhe e këtij privatizimi.
Bazuar në vlerësimin e KPMG-së dhe që është i vetmi vlerësim që konkurenca ndërkombëtare merr parasysh, kompania Çeke ka ofruar dyfishin e vlerës dhe është përjashtuar çdo element (përmes  një viti negociatash me I.F.C) që të jepte një formulë privatizimi përmes përballimit nga qytetarët të këtij privatizimi, të këtij shërbimi, furnizimi jetik për popullsinë por debitor financiarisht për kompaninë shërbyese dhe shtetin deri më sot.
Me të drejtë Kryeministri ka përmendur, (më 29.10.2008), se: “Me privatizimin e KESH-it mbyllet seriali i privatizimeve të sipërmarrjeve të mëdha shtetërore, të cilat duhet ta pranojmë, kanë qënë të shndërruara në kompani thellësisht problematike në menaxhim  dhe palcërisht të korruptuara. Duke i kaluar në pronësi  e menaxhim privat, nuk ka mëdyshje se shërbimet ndaj qytetarëve shqiptarë përmirësohen ndjeshëm. Shërbimet që ofrojnë këto sipërmarrje janë shumë të rëndësishme dhe në mënyrë të padiskutueshme rritet efiçensa dhe hapet plotësisht prespektiva e tyre për modernizim”.
Me këtë privatizim konturohet: Modeli Shqiptar i Tregut të Energjisë Elektrike, i cili parashikon zhvillimin mbi baza më të konsoliduara të tregut të energjisë elektrik, dhe përpuethshmëri më të plotë me Direktivat e BE-së. Pra tashmë tregu shqiptarë paraqitet me këto tipare: 1. Nga një strukturë vertikale e integruar e sektorit elektro-energjitik, e ngurtë, 15 vjet më parë në një strukturë me veprimtari gjenrimi/transmetimi/ dhe shpërndarje/ligjërisht, funksionalisht dhe financiarisht të ndara. 2. Konkretizimi i privatizimit të sektorit të sektorit të shpërndarjes të sistemit në fjalë. 3. Përshtatje të legjislacionit të energjisë elektrike me atë të Bashkimit Europian. 4. Përfitime për klientët në drejtim të sigurisë të furnizimit  me energji elektrike dhe shërbim cilesor e të qëndrueshëm. 5. Vendosje aksesi për palët e treat, për të marrë pjesë në tregun e energjisë elektrike, në një treg transparent dhe jo diskriminues. 6. Përpjekje të vazhdueshme për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike duke krijuar një strukturë tregu që rrit interesin dhe numrin e pjesmarrësve në të.
Shprehur në një fjali të vetme, me të drejtë nga specialistët theksohet fakti që: privatizimi i O.S.Sh sjell rritje të cilësisë dhe sigurisë së operimit në rrjet, tërheqje të kapitalit të huaj në investime e nevojshme në rrjet duke sjellë përfundimisht eliminimin e efekteve negative të sektorit të energjisë elektrike në buxhetin e shtetit. Njëherësh ky privatizim është dhe sukses për politikat dhe reformat e ndërmarrë nga Qeveria Berisha dhe posaçërisht Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE). Teorikisht sot në botë pranohet se, privatizimi pashmangshmërisht krijon asimetri të mëdha informacioni dhe është puna e qeverisë t’i korrigjojë ato. Në këtë privatizim Qeveria ka vepruar drejt duke i identifikuar, vlerësuar dhe transferuar në mënyrë transparente asetet dhe të drejtat e pronësisë, duke marrë maksimumin e vlerës financiare e çka është më e rëndësishme duke krijuar stabilitet e siguri për të ardhmen.

Fjala e mbajtur dje në Parlament gjatë diskutimit të projektligjit: “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të Operatorit të Sisitemit të Shpërndarjes (O.S.SH), SHA –së, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, së Republikës së Shqipërisë, dhe “ÇEZ”, A.S-së”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›