Korçë, pa mbaruar punimet, superstrada merr tetë jetë
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Superstrada e re, Korçë-Qafë Plloçë, ndonëse ende nuk ka përfunduar, ka marrë jetën e tetë personave në har-kun e 10 muajve. Katër prej këtyre viktimave janë shënuar vetëm në dy javët e fundit. Mungesa e mbikalimeve dhe sinjalistikave janë shkaqet kryesore në përgjakjen e këtij aksi. Disa prej viktimave janë drejtues të mjeteve, por më të shumtët janë banorë të zonës. Në tentativë për të kaluar nga njëri kah i autostradës në tjetrin, ata janë aksidentuar nga mjete të cilat lëvizin me shpejtësi skëterrë. Tashmë superstrada është kthyer në një aks rrugor të rrezikshëm për qarkullimin e mjeteve. Burime të policisë rrugore bënë të ditur se katër aksidentet me vdekje të ndodhura javët e fundit janë shënuar në aksin rrugor Korçë–Maliq dhe në kryqëzimin e autostradës që lidhet me rrugën dytësore të fshatit Petrushë. Sipas shefit të qarkullimit rrugor në Korçë, Leonard Dinkollari, shumica e aksidenteve kanë qenë pasojë e mungesës së sinjalistikës së nevojshme. Drejtuesit e mjeteve sipas tij, duke qenë me shpejtësi tej normave të lejuara dhe nga pakujdesia kanë kryer aksidente të lehta e të rënda dhe me pasoja për jetën apo gjendjen fizike të vetë drejtuesve e pasagjerëve të tyre. Superstrada Korçë–Qafë Plloçë po arrin drejt përfundimit të saj. Por në këtë aks rrugor vërehen mungesa të shumta të mbikalimeve apo nënkalimeve për këmbësorët, gjë që kushtëzon kryerjen e aksidenteve të shumta. Më të rrezikshme paraqiten akset pranë kryqëzimeve të superstradës me rrugët dytësore që dalin nga fshatrat Bulgarec, Vashmi, Libonik e Pirg, fshatra që janë relativisht shumë të populluara. Mungesa e mbikalimeve për këmbësorët u vu re sidomos gjatë shtimit të fluksit të qarkullimit në këtë autostradë për festat e Pashkëve. Për të shmangur aksidentet e emigrantëve, qarkullimi rrugor punoi me shërbime të shtuara dhe për 24 orë pa ndërprerje, në akset rrugore Korçë–Kapshticë dhe Korçë–Pogradec. Objekt kontrolli ishte shpejtësia tej normave të lejuara dhe vendosja e rripave të sigurimit. Për kundërvajtësit janë vendosur gjoba, ndërsa mësohet se janë hequr 27 leje drejtimi. Ndërkohë shërbimet e qarkullimit rrugor, gjatë 24 orëve që kanë kryer shërbim të pandërprerë gjatë kohës që kishte fluks maksimal të emigrantëve kanë pasur në qendër të vëmendjes dhënien e ndihmës për të shmangur aksidentet e mundshme në këto akse. Rrugorët informonin drejtuesit e mjeteve për gjendjen e rrugës dhe tërhiqnin vëmendjen e tyre për të pasur kujdes për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.