"Montanelli iku nga Shqipëria në kohën e gabuar"
Alma Mile
Kur erdhi për herë të parë në Shqipëri e urdhëruan të mos merrej me politikë dhe ai u mor me romët. Në vitin 1939, Indro Montanelli, asaj kohe akoma gazetar i ri do të shkruante 8 artikuj për komunitetin rom në Shqipëri, gjë që ishte e rrallë për gazetat e Italisë fashiste. Po atë vit Montanelli do të shkruante librin "Shqipëria një dhe një mijë". Të gjitha këto i tregon biografi i tij Sandro Gerbi, që ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në aktivitetin organizuar nga Biblioteka Kombëtare dhe Instituti Italian i Kulturës, kushtuar Indro Montanellit. Ai tregon për Montanellin gazetar dhe njeri. Ardhjen e tij në Shqipëri dhe kronikat që shkroi prej këtej.
Përse Montanelli, edhe pas vdekjes, vijon të hapë debat?
Unë kam listuar një seri arsyesh, për shijen e tij, për bukurinë e të shkruarit, për polemikën, për jetëgjatësinë e artikujve, por edhe për sasinë e atyre që ka shkruar, por mbi të gjitha sepse ishte një gazetar, të cilit i pëlqente polemika. Ndaj edhe sot ka njerëz që përdorin fjalë që ai ka shkruar apo ka thënë dhe i tundin si flamuj. Edhe për pak kohë do të jetë kështu, por me kalimin e kohës do të kthehen në një objekt historie e kaq. Por sot janë ende objekt politik.
Gjatë karrierës së tij, Montanelli ka shkruar edhe për Shqipërinë, kronika e libra...
Ai ka shkruar librin "Albania una e mille", ("Shqipëria një dhe 1 mijë" (Torino, 1939). Ai thotë se e ka mbyllur në fund të vitit 1939 dhe është botuar në gusht të këtij viti. Ky libër i dedikohet një të panjohure, Norma Mayer, që për mua mund të ketë qenë një flirt i momentit. Fakti është që në të gjitha botimet për Montanellin pretendohet për të tjetër libër mbi Shqipërinë, "Vechia, nuova Albania", ("Garzanti", Milano 1939), i cili nuk gjendet në asnjë katalog, në asnjë bibliotekë, madje dhe as në katalogët historikë të "Garzanti"-t. Ndoshta është gabuar me faktin që në të njëjtën kohë ka dalë në revistën "Antologjia e re" një pjesë e shkruar nga Montaneli, që nuk pati vazhdim më tej, që pati pikërisht këtë titull. Ky titull ekziston, por është i përfshirë në një revistë. Pastaj për Shqipërinë ka shkruar të tjera gjëra, të cilat mund të përfshihen në një antologji të veçantë, ose madje mund edhe të bëhet një libër i veçantë me gjithçka që ka shkruar për Shqipërinë dhe që nuk i janë publikuar më parë.
Cili ishte qëndrimi Montanellit ndaj Shqipërisë?
Ai nuk ka folur më për Shqipërinë dhe mendoj se nuk është kthyer më në vendin tuaj. Kam përshtypjen se këtu ka përjetuar një eksperiencë shumë të fortë. Eksperienca e tij e parë ka nisur mes viteve '38-'39 edhe pse ka bërë një gabim, pasi ai u largua nga Shqipëria në fund të muajit mars të vitit 1939, ndërsa Italia e pushtoi Shqipërinë në prill të vitit 1939. Drejtori i tij i kishte kërkuar që të qëndronte në Shqipëri edhe për pak kohë, sepse ndoshta mund edhe të ndodhte diçka, por Montanelli nuk iu bind dhe kështu humbi një ngjarje të rëndësishme të historisë, për të cilën ai mund të shkruante.
Ç'e shtyu të vinte këtu?
Arsyeja se përse erdhi në Shqipëri lidhet me faktin që këtu gjendej babai i tij, i cili ishte i ngarkuar i Ministrisë Italiane të Arsimit, me organizimin e sistemit shkollor shqiptar në vitet '38-'39. Ai ishte një drejtor shkolle që më pas u bë funksionar në ministri. Ka punuar shumë në realizimin e një guide shumë interesante, e cila u publikua në vitet '40 nga shoqata turistike italiane. Një tjetër lidhje me Shqipërinë është mbulimi si gazetar i luftës Italo-Greke. Ai rrëfeu shumë episode nga kjo luftë, shpesh herë edhe të rrezikshme. I ka qëlluar të jetë në mes shkëmbimesh zjarri. Pastaj u kthye sërish në '42 kur iu kërkua të bënte disa artikuj të ndryshëm, por edhe shumë propagandistikë. Ka intervistuar ish-kryeministrin e asaj kohe, Mustafa Krujën, por ka bërë edhe një shkrim për ndërtesën e qeverisë, ku qëndronte tenente Jakomoni. Puna e tij ishte që të bënte të mundur nëpërmjet artikujve se Italia i garantonte Shqipërisë autonomi të plotë, por në të vërtetë fashizmi ishte një kontroll i ashpër dhe Shqipëria i ishte nënshtruar Italisë.
Mendoni se një tjetër arsye është joshja ekzotike që paraqiste Shqipëria?
Kjo është e vërtetë. Ai thotë: "Dua të shkoj në Shqipëri, sepse aty sipas meje ka elemente shumë interesante për të shkruar". Drejtori i tij, Aldo Morelli i përgjigjet: "Shqipëria mund të jetë një minierë legjendash dhe historish të gjalla, moderne dhe të freskëta, që mund të të nxisin për artikuj vërtetë interesantë. Shkruani artikuj të gjallë, të hollë e direktë, por mos u përfshini në politikë". Kjo është edhe faza e parë kur ai bën edhe ato që quhen artikuj të larmishëm.
Ju thatë Se Montanelli ka shkruar edhe 8 artikuj mbi komunitetin rom në Shqipëri...
Janë artikuj të cilët janë shkuar në gazetat italiane e madje as nuk janë ribotuar ndonjëherë. Artikujt mbi romët e Shqipërisë, të cilët datojnë në janar-shkurt '39, paraqesin një kuriozitet të madh, sepse është një argument që nuk ishte trajtuar asnjëherë në gazetat fashiste. Për motive politike, romët ishin dëbuar nga Italia e megjithatë shfaqen në një gazetë shumë të rëndësishme italiane. Janë shkrime mbi festat pafund, për kërcimet, kostumet.. Në këtë periudhë Montanelli ende nuk e ka fituar autoritetin që do të gëzonte më vonë. Ishte një djalosh në fillimet e krijimtarisë së tij, që prej pak muajsh kishte nisur të shkruante për "Corriere della Sera". Në vitin '39, pikërisht kur shkruan e publikon këto artikuj, ai ishte 30 vjeç.
Mendoni se ka ende për të zbuluar e për të thënë mbi Montanellin?
Është shkruar kaq shumë mbi Montanellin sa duket sikur pjesa më e madhe e aspekteve më të rëndësishme në jetën e tij janë shkruar. Një vajzë ka mbrojtur një tezë diplome, e cila i është kushtuar fëmijërisë në Rieti të Montanellit. Mendoj se do të meritonte të paktën një ese, për ta njohur si ka qenë fëmijë dhe për ta krahasuar me burrin që do të bëhej më pas. Por shumë gjëra nuk do të zbardhen kurrë, sepse ne që studiojmë historinë e gazetarisë, më shumë shikojmë rezultatin final. Ne nuk e dimë në ka pasur ndonjë urdhër censure, apo nëse dikush ka sugjeruar, ka ndryshuar tituj. Por ka edhe raste që dihen e që zbulohen prej letrave. Gjëra misterioze ka e do të zbulohen edhe pse pjesa më e madhe e tyre ka dalë në dritë.
Jeta personale e Montanellit
“Ka qenë një burrë që dashuronte shumë dhe shpesh”, - thotë biografi Sandro Gerbi për Indro Montanellin. “Kemi realizuar një biografi intelektuale dhe nuk kemi hyrë në këtë pjesë të jetës. Duket se ka qenë një burrë shumë i suksesshëm dhe kishte një jetë private, që mund të konsiderohej tepër të lirë. Kishte bashkëshorten në Romë dhe një të dashur në Milano. Kur ishte në Romë qëndronte me bashkëshorten dhe kur ishte në Milano me të dashurën. Me sa duket bashkëshortes, shkrimtares Colette Roselli, nuk kishte më pretendime sa i përket jetës në çift e ndaj edhe nuk thoshte asgjë. Ka qenë i martuar me një austriake, me të cilën u divorcua menjëherë pas luftës. Ka pasur edhe një djalë nga një dashuri islandeze, të cilin asnjëherë nuk pati dëshirë ta njihte. Montanelli ishte një njeri që i donte të rinjtë, e ndoshta ka bërë këtë jetë sepse kishte frikë të merrte përgjegjësinë për të pasur një familje me fëmijë”
Skicat e Lasgushit në ekspozitë
Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, hapet një ekspozitë e veçantë në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me skica të realizuara nga poeti Lasgush Poradeci. Skicat e tij sjellin në vëmendje figura të njohura e anonime, të cilat e kanë grishur poetin. Gjen aty Zef Skiroin, Naim Frashërin, Asdrenin etj., ndërsa të bie në sy edhe një portret i Bethovenit. Spikat në këtë ekspozitë edhe një faksimile e poemës "Naim Frashërit", e korrigjuar prej Lasgushit. Gjithashtu është edhe një koleksion fotografish. Bashkë me Lasgushin do të shikojmë edhe personalitete të kohës, siç janë Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Asdreni, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Mitrush Kuteli, por edhe Dritëro Agolli, Ismail Kadare e shumë shkrimtarë të tjerë.
Moravia dhe Montanelli në "Zenit"
Sot në orën 20.00, Galeria "Zenit" organizon një mbrëmje me rastin e Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit. Në bashkëpunim me Shpend Bengun është programuar të shfaqet një film-arkiv, ku personazhet Indro Montanelli, Renato Guttuso dhe Alberto Moravia përmes bisedës transgresive na shpallin edhe një aleancë mes librit, pikturës dhe gazetarisë. Do të shoqërohet edhe me leximin e pamfletit "Shpërthim i manierës" nga Moravia. Dhe pse jo, me lexime poezish, në dëshirën e të ftuarve. Rasti e bie që përbri librave, pranë galerisë është edhe një pikë shitjeje lulesh.