Edvini nuk mund ta rrijë në politikë, sipas traditës “dridhe Bajame”
Shprehja “Dridhe, Bajame”, është e njohur. Por se cila është Bajamja, në të vërtetë dhe si e dridhte ajo, këtë ende nuk e kam marrë vesh. Në rastin për të cilin po shkruajmë, Bajamja është Edi Rama. Është personifikimi i dredhje-përdredhjeve. Thonë se këto huqe i ka mësuar pranë disa basifondeve afër lumit të Senës, në disa bunkere, që janë të vetmet që kanë mbetur nga koha e Luftës II Botërore, në Francë.
Që nga koha kur F. Nano na e bëri peshqesh, as atij vetë nuk do t’ia kishte marrë mendja se parvënyja do të ishte aq përdredhës në politikë, madje do të ishte aq pehlivan sa do ta nxirrte edhe mecenatin e vet, kreun historik të PS-së, prapa listës së Lipe Shtogut!
U bë kryetar bashkie, me certifikatat e asaj kohe, që kishin cilësinë e keqpërfolur se pillnin vetveten jo me duzina, por me dhjetëra të tilla. E kështu pati një sukses të rëndësishëm me nominimin e tij me një të gjashtën e të regjistruarve në të ashtuquajturat lista elektorale, ku militantët e zgjedhur socialistë mund të votonin në numra dyshifrorë. Ishte bërë edhe si një hobi ky lloj votimi. Ishin vënë baste, madje, që të merrej edhe shpërblimi i këtij “mundimi”! Ishte një garë votimi, për të zëvendësuar “të zhdukurit” nga listat , të cilat morën emrin e Bashkim Firos!
I dehur nga këto suksese, duke përfituar nga dorëheqja e paraardhësit që iu përmbajt statutit të partisë pas humbjes së 3 korrikut të 2005-s, Bajamja e drodhi belin këtë herë me përfitim të madh, në zbatimin e kriterit të tij të shpallur në mënyrë të bujshme, “një anëtar - një votë”. - E, siç na ka mësuar ai i paharruari ynë, që të jemi gju më gju me popullin, - mendonte ai me vete, - nuk la cep e fshat pa bredhur e pa gjezdisur, për të marrë takim me kapoanëtarët e organizatave të tij, të cilët ia shtronin për shtatë palë qejfe (Shpenzim i vogël, përkundrejt leverdive, kur të bëhej deti kos!). Dhe ky vrull vetjak, se zakonisht shkonte edhe vetëm, - jo si në ato inkursionet e ardhshme me autokolona për të bërë fushatë para vaktit, - këto mundime, pra, iu shpërblyen paq. Se këpëdarët ishin bash të zgjedhurit e tij, një për një, kokërr më kokërr, në Keshillin e Përgjithshëm Drejtues, domethënë në KPD-në, nga doli edhe emri simpatik këpëdarët, të cilët disa qerratenj të Fiksit të atëhershëm i quanin, me ironi, kongresmenë! Veçse pyetjeve, pas zgjedhjes së sigurt të kryetarit të tyre, këta “zgjedhës” iu përgjigjën në mënyrë aq të pagdhendur gazetarëve, sa u bë një emision që të mbaje brinjët me duar nga të qeshurit!
Por në zgjedhjet e tanishme Bajamja pati një mpirje patologjike në atë aftësinë e veçantë të dredhjes së belit. Mbase u sëmur sepse u bë edhe supersticioz(e): - Si, xhanëm, 28 data e zgjedhjeve dhe po 28 ai neni i mallkuar i statutit të partisë: “Mandati i kryetarit të partisë ndërpritet para kohe, kur partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative”. Si për dreq, edhe kongresi, më 28 gusht! Ç’tersllëk!
Dhe filluan piruetat: “Zgjedhjet nuk nxorën as humbës, as fitues”, - u ngarkua të thotë kryetari i PS-së së degës së Tiranës, Sokol Bare. Por i përjashtuari nga lista zgjedhore, Elmaz Sherifi, ish-titullari i organeve të larta drejtuese të PS-së, e quajti një nonsens atë marifetin idiotesk “as humbës, as fitues”. Po nuk qé fitues, je humbës! Madje e theu atë “Tutiusin” (drynin në gojë) që e përmendte një intelektual që qahej nga diktatori E. Hoxha i cili s’e lejonte të shprehte të vërtetat, por që ankuesi ia lejonte vetes rrenat në dobi të konsolidimit të pushtetit despotik të E.H.-s. Sherifi Helmazi nuk ia vuri veshin Bares dhe e quajti Ramën si shkaktarin numër një të humbjes, meqë “e kishte trajtuar PS-në si një instrument për interesa personale”. Dhe foli troç, pa dyzime: “Rama nuk ka të drejtë morale dhe ligjore që të rikandidojë”.
I gjendur në një rrugë pa krye, Rama filloi të bëjë të fortin, me fjalë që kanë vlerë vetëm për militantët fanatikë pa tru, të partisë së vet: Filloi t’u japë urdhra nga Selia e tij, ku e ndjente se ishte i vetmuar, KZZA-ve, KQZ-së, Kolegjit Zgjedhor: Të pranueshme do të quante ato vendime, që ta nxirrnin fitues. Përndryshe, do t’i quante zgjedhjet të paligjshme dhe socialistët nuk do të hynin në një parlament të paligjshëm. Domethënë: bojkot! Më shumë akoma: Do të nxirrte socialistët në protestat e rrugëve!
Vetëm se harroi që një gjë të tillë e bëri në Fier, kur lejtënanti i tij Gramoz Ruçi, nxiti disa dhjetëra militantë që të çmendnin qytetin me britma e ulërima, për të mos ia dorëzuar materialet zgjedhore KQZ-së, që kishte prurë kamionin e mbyllur për t’i marrë këto materiale. Ky kamion për pak sa nuk u përmbys nga kjo kryengritje në miniaturë. Pas disa orëve gjendja u normalizua. Vetë Rama, që ishte në udhëtim nga Tirana drejt Fierit, për t’i trimëruar edhe më tej kontestuesit, u kthye nga rruga, me veshët ulur. Kishte ngrënë një dajak të mirë nga faktori ndërkombëtar. Bajames i shkoi huq dredhja e belit! Iluzionet se mund të bëhej diçka si në atë ’97-n e lavdishme, u kthyen në zhgënjim!
Blushi e sfidoi në një mënyrë interesante: “Nëse Rama i njeh zgjedhjet, ai duhet të largohet, sepse nuk e solli PS-në në pushtet dhe s’duhet të rikandidojë”. Si të thuash, atij nuk i mbetet veçse të mos njohë zgjedhjet! S’ka sesi e tund bishtin më tej. Ose tani Bajames nuk i bën më lazëm tundja e belit! Hiret e saj kanë marrë fund se i mungon, tashmë, thembra e Akilit. . .
* * *
Në 28-n e dytë, ditën e martë (ditë ters!) një ditë pas së hënës, mblidhet Asambleja Kombëtare e PS-së. Të hënën shpallet rezultati përfundimtar i humbjes së PS-së. Një numër i madh personash të rëndësishëm në krye të PS-së, janë prononcuar qysh tani se shkaku i kësaj humbjeje e ka burimin te personalizimi i zgjedhjeve nga ana e prepotentit Rama.
Sigurisht Bajamja edhe këtu do të bëjë dredhjen e radhës së belit. Por këto dredhje bishti janë konsumuar, tashmë. Dhe nuk duket të ketë sukses, kur edhe Ruçi ka dhënë shenja se po i tregon bërrylin!
Por kanë dalë edhe dy probleme të tjera të rëndësishme: duke ua bërë shesh me lule militantëve të tij fitoren e padiskutueshme, madje pa ndihma koalicionesh, këta militantë, - me zhvillim mendor si ai i këpëdarëve, - po ushqenin shpresa se ishin në pritmëni të një katërvjeçari të artë për ta, së paku. Pavarësisht se pykë nga kultura dhe nga aftësia administrative, këta mëtonin së tepërmi, për kontributin militantist. Tani mbeten të shesin banane!
Së dyti, biznese të mëdha që do të shtonin të ardhurat në progresion gjeometrik pas zgjedhjeve, i boshatisën kasafortat e tyre për të subvencionuar Ramën, sepse llogarisnin që 200 mln do të bëheshin 300 mln. Ata biznesmenë ishin sevdallinj të dredhjeve të belit! Por ja që hesapet dolën gabim. Tani ata do të bëjnë presion për paret, që shkuan, siç i thonë, për dhjamë qeni! Ramës nuk i mbetet veçse t’u premtojë apartamente pallatesh, që kanë zënë vendin e lulishteve! Por besimi i tyre është shndërruar në mosbesim. “Ne kemi dhënë pare të pastra, ai kërkon të na i kthejë në pare të pista! - “Eja e merru vesh edhe me këta që po na varin buzët, tani!”.
Një bezdi tjetër është se Rama, kur është në majë të fikut, bëhet harbut i madh. Kur zihet në abuzime financiare, ngarkon atë krimbin xhepaxhí që të sajojë disa shifra të hamendësuara dhe hidhet në kundërsulm, duke buçitur.
Tani po ua paguan, të dyve, me të njëjtën monedhë, deputeti i sapozgjedhur i PD-së, Lefter Maliqi: Në një intervistë të datës 26 korrik, thotë: - “Rama nuk mund të udhëheqë një familje të madhe, siç është PS-ja, sepse ai njeri ka shkatërruar familjen e tij dhe është i tillë që paturpësinë e vet e ka fshehur me gjethe fiku!”. Kurse për Erion Braçen: - “ Këtë shkurtabiqin Braçe, nuk do ta lejoj në parlament që të tallet dhe të pasurohet me djersën e popullit të Beratit, sepse kjo qenie komike njihet mirë sesi édhe në 2005-n e rrëmbeu mandatin me anë të bandave të atëhershme dhe të blerjes së votave. Mund të them me bindje se krimbi Braçe ia ka vjedhur votat G99-s!”.
Përfundimisht mund të themi se Bajamja tanimë është bërë bullafiqe, si hamëse e madhe dhe e papërmbajtur. Dhe i ka zënë dhjamë beli, e s’mund ta dredhë më si dikur, kur dinte ta dridhte për katër palë qejfe.
Tani e marta po vjen dhe gallataxhinjtë do të zbaviten me piruetat e fundit për mbijetesë. Nëse do të bllokojë parlamentin, socialistët duhet të jenë naivë që të bien në këtë kurth. Nëse do të bëjë trazira rrugësh, kjo do t’i dalë për hundësh. Sepse brukselasit po nxiten që ta afrojnë sa më shumë datën e kandidimit të Shqipërisë për në BE, pa le të orvatet Rama që të bëjë të kundërtën, duke rënë ndesh jo vetëm me PD-në, por edhe me LS Integrimin. Do ta zbulojë veten edhe më tej lakuriq, se nuk është as për progresin e vendit të tij, as për PS-në, por për pushtetin vetjak të pakufizuar. Veçse uthulla e fortë prish fuçinë e vet. Për më tepër: Mendja e madhe e zeza e të zot!
...