Konrad Adenauer, BE dhe Antibiotiku

I treti i vërteti. I treti i vërteti i Evropës së bashkuar është Konrad Adenauer, një nga tre gurthemeltarët e kësaj shtëpie të përbashkët që quhet BE. Shtati i tij politik, moral dhe njerëzor as që vihet në dyshim në analet e kronikës së shekullit XX. Vetëm një fakt mund të tregoj, si dëshmi për ajkën e identitetit dhe të integritetit të tij - dhe ajkëmatës nuk jam unë, por vetë presidenti i SHBA-së, Dwight David Eisenhower, i cili tha: “Ai ka qenë një nga të paktat figura politike të vendit të vet, që pati guximin të kundërshtonte qysh në fillim Adolf Hitlerin. Edhe pas momentit kur nazizmi e pat marrë pushtetin, Konrad vazhdoi të predikonte me vendosmëri principet e demokracisë, çka në mënyrë të pashmangshme i kushtoi heqjen e lirisë”. Për kuriozitet të lexuesve të 55-s, mund të shtoj se atij nuk i pëlqenin lajkat e përgëzimet. Gjithmonë, kur e pyesnin me habi për këtë përbuzje, Ai, shkurt, shpjegonte se nëse do të kuptosh karakterin e një njeriu shihi mënyrën se si ai i mbledh përgëzimet dhe lajkat. Fjalë që sot mund të përkthehen: përdor veshët më shumë sesa gjuhën. Nuk ishin të shumtë heronjtë në kohën e barbarisë së totalitarizmave. Trimat në Evropën e atyre kohëve mbytëse nuk kishin shumë shokë.
Për kronikë duhet thënë se Konrad ishte i biri i një buxhetori me frymë katolike, që me sakrificë i dha atij mundësinë të studionte jurisprudencë dhe ekonomi në Frajburg, Bon e Mynih. Ky formim i shumanshëm do t’i hynte në punë disa herë gjatë jetës së tij: sidomos në përpunimin e doktrinës “ekonomia e tregut social”. Kalitja e tij shpirtërore e politike nuk ishte vetëm akademike. Takimet me individë të pasur në ideale si De Gasperi në 1921 dhe besimi i tij i patundur te njeriu, e mbuluan me një gëzof për dimrat e gjatë të viteve 1921-1945. Pasi kaloi furtuna, u aktivizua në idenë e krijimin të një boshti kristian-demokrat brenda Gjermanisë perëndimore, ku edhe mund të themi se ia doli mbanë me nxjerrjen në jetë të formacionit që sot quhet CDU. Në një kohë kur Gjermania e kishte humbur busullën në Evropë, vetëm një njeri me principe të forta dhe vlera solide mund ta ngrinte nga gjunjëzimi mbas lufte. E ky nuk ishte Mesia, ai ishte vetëm Konrad Adenauer. Një politikan që ka kaluar shumë vështirësi në aktivitetin e vet publik, por siç thonë, njeriut me virtyte vështirësitë ia forcojnë mendjen, ashtu si lodhja forcon trupin. Pasi i fitoi zgjedhjet, duke u bërë kështu Kancelar i Gjermanisë Perëndimorë më 1948-n, ai nuk u ndal më. Gjatë një takimi që pati me De Gasperin, ky i fundit e pat këshilluar me fjalët: “një politikan i thjeshtë shikon tej për zgjedhjet e ardhshme, kurse një burrë shteti shikon përtej një gjenerate”. Këtë mësim, Kancelari do ta mishëronte me politikën e vet, duke e marrë vendin përdore që nga 1948-a e deri më 1963-in, kur u lodh nga përballja me moshën e me sëmundjen, duke u klasifikuar përfundimisht si një atlet i jashtëzakonshëm i klubit të demokracisë botërore.
Edhe Adenaueri hapi dy fronte, por në ndryshim nga Hitleri, ato s’ishin fronte lufte, por fronte pune. Njëri front qe ringritja e Gjermanisë nga humnera jo vetëm materiale e ekonomike, por edhe shpirtërore. Fronti i dytë u hap më 1948-n, bashkë me disa figura të tjera të nderuara të kontinentit të vjetër, fronti i realizimit të një bashkëpunimi sa më të gjerë evropian, si dhe vazhdimin e luftës morale antikomuniste, në aleancë me SHBA-në dhe me anëtarët e tjerë të oksidentit.
Aneksi i liberalizimit të vizave: Për të kuptuar më mirë se ç’është BE-ja, dhe jo Evropa –e cila është koncept më i madh, duhet të dimë njëherë e mirë se themelimi i BE-së u lind nga dëshira e afirmimit politik të një qytetërimi të bashkuar, por vetvetiu ishte edhe një kundërpërgjigje federale ndaj problemeve që shfaqeshin herë pas here. Mbeten dy projekte që u janë lënë në dorë drejtuesve të Brukselit, dy projekte që nuk po përparojnë realisht.
Kemi edhe pak hapësirë, prandaj po vemë dy pika mbi disa “i”. Së pari: Problemi që ka Bashkimi Evropian sot është zgjerimi në hapësirat gjeografike që nuk po i piketon. Me një llaf, kryesia politike e BE-së është akoma e paqartë se ku janë kufijtë e vërtetë fizikë të Evropës si rrjedhojë afërmendsh pastaj duke u sjellë pas kësaj pyetje hamletiane, humbet në “gjumin” e letrave, të standardeve, presioneve dhe ndërhyrjeve pa shkak. Bashkimi Evropian sot për sot duhet të gjejë pikësëpari rrënjët e vlerave të përbashkëta. Vlerat Evropiane të etërve të saj: De Gasperi, Schuman dhe Adenauer. Nëse një trup shoqëror evropian – përshembull, ta zëmë Shqipëria - do antibiotikë për t’u shëruar, një mjek nuk mund t’i japë asaj mjekim me suposte. Në këtë rast, supost mund ta klasifikohet vendimi për shtyrjen e shqyrtimit të liberalizimit të vizave. Po të mendoni se është vetëm shqyrtim, sepse vendimi do të jetë akoma në sirtarët e Strasburgut, më mirë të përgatitemi moralisht që të durojmë humorit e BE. S’kemi rrugë tjetër. Së dyti: Ajo që i mungon Evropës sot është shpirti, një identitet i theksuar e i përbashkët. Ende BE nuk di të flasë në unison, me një gjuhë të vetme, çka e ka demonstruar disa herë: përshembull, në krizën ekonomike, tek pamundësia për t’i bërë ballë fluksit të emigrimit masiv apo ajo që është më me interes për ne, njohja e plotë e pavarësisë së Kosovës. Mungesa e konsensusit u pa edhe kur bëhej fjalë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si në këto kohët e fundit në republikën e mullahëve të Iranit apo në Kinën komuniste. BE jo vetëm nuk është prezente me deklarata sterile, por bile po shquhet edhe për mungesën e tyre. 15 mijë personat që punojnë sot në institucionet e Brukselit a Strasburgut nuk duhet të jenë vetëm vulosës raportesh që vijnë nga Ballkani, por të jenë largpamës, për të mos e thënë me gjuhën këshilluese të De Gasperit: të mos shohin vetëm punët e një viti, por punët e një gjenerate.
...