E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ministri i jashtëm i Sllovenisë Dimitrij Rupel, pro-zgjerimit të Bashkimit Evropian

“Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, hapi që rrëzon përfundimisht ‘Murin e Berlinit’”

Ish-ministri i jashtëm i Sllovenisë Dimitrij Rupel, ka shprehur së fundi qëndrimet e tij për zgjerimin e Bashkimit Evropian edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Me integrimin e Kroacisë, Serbisë, Bosnjës, Kosovës dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të rrëzohet përfundimisht Muri i Berlinit, ka qenë mesazhi Rupel, gjatë një konference në provincën Cividale të Italisë. “20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, prioritet i Bashkimit Evropian duhet të jetë zgjerimi në Ballkanin Perëndimor dhe përfshirja e Serbisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe Shqipërisë”, u shpreh në mënyrë të drejtpërdrejt Rupel.

Ish-ministri i Jashtëm slloven bëri të ditur më tej se, me përfshirjen e Bosnjë Hercegovinës dhe vendeve të tjera, do ët thyhet perdja e hekurt që ndan, myslimanët me botën kristiane, ndaj sipas tij, integrimi i Ballkanit Perëndimor mund të konsiderohet si përmirësimi i sistemit të vlerave të Bashkimit Evropian.

“Nëse BE përfshin edhe Bosnjën e Hercegovinën, ky do të jetë një hap domethënës dhe pozitiv, sepse pas vetes atëherë do të kemi edhe popullatë myslimane dhe përfundimisht të rrëzojmë ‘murin’ në mes të shteteve anëtare të BE-së dhe popujve në jug të Evropës të cilat nuk janë jashtë saj”, ka thënë Rupel në takimin të mbajtur në provincën italiane Cividale. 

Në fund të fjalës së tij Rupel tha se për të arritur këtë më parë Brukseli duhet të kalojë sfidën e ratifikimit të Traktatit të Lisbonës që i hap rrugën zgjerimit të familjes evropiane. 

Ndërkohë Sllovenia bllokoi të premten zyrtarisht kapitullin për Lirinë e Lëvizjes së Punëtorëve në bisedimet e anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian, me argumentin se në këtë kapitull “Zagrebi” kishte paraqitur dokumente që paragjykojnë çështjen e kufirit ndërmjet dy vendeve. Ky vendim i palës sllovene e çon në 14 numrin e kapitujve të bllokuar të bisedimeve, bënë të ditur burime diplomatike. 

Në takimin e së shtunës të Këshillit të grupit “Task Force” të BE-së për zgjerimin, Sllovenia ishte i vetmi vend anëtar që nuk dha konsensusin e saj për mbylljen e kapitullit të negociatave për Lirinë e Lëvizjes së Punëtorëve.

Një burim i presidencës suedeze të radhës së BE-së deklaroi se pavarësisht bllokimit të këtij kapitulli, Kroacia po vazhdon reformat në kuadër të procesit të anëtarësimit, një fakt që u theksua edhe gjatë mbledhjes së grupit “Task Force”.

Sllovenia ka bllokuar hapjen e nëntë kapitujve dhe mbylljen e pesë të tjerëve, duke vendosur në këtë mënyrë një pengesë serioze në procesin e anëtarësimit në familjen evropiane 27-anëtarësh, për shkak të një mosmarrëveshjeje kufitare ndërmjet dy vendeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›