UNESCO, 1,3 mln USD për shpëtimin e shenjtorëve
Alma Mile
Ndërsa qarkullojnë fjalët se Berati rrezikon UNESCO-n, në qytetin e një mbi një dritareve, po zbatohet një projekt prej 1,3 milionë dollarësh. I financuar pikërisht nga UNESCO. Një pjesë e projektit konsiston në restaurimin e pikturës murale të Kishës së Shën Kollit, i cili drejtohet nga restauratorja Edlira Caushi. Pikturat, të cilat janë realizuar nga Onufër Qiprioti, paraqesin dëmtime të shkaktuara prej viteve, faktorëve atmosferikë, por edhe ndërhyrjeve të gabuara, gjatë dekadave. Caushi tregon për shpëtimin e shenjtorëve të Shën Kollit, por edhe pjesën tjetër të projektit, në të tjera monumente të rëndësishme të qytetit, tashmë pjesë e trashëgimisë botërore. Sa i takon rrezikut të daljes nga kjo listë, Caushi siguron se asgjë nuk është e vërtetë dhe këtë e tregon dhe projekti që është duke u zbatuar tashmë.
Drejtoni punimet, në një nga kishat karakteristike të Beratit, ku konsiston ky operacion?
Bëhet fjalë për projektin e restaurimit të pikturës murale të kishës së "Shën Kollit", që është pjesë e projektit të UNESCO-s, për Qendrën e Konservimit dhe restaurimit të monumenteve të kulturës. Piktura që mbulon muret e kësaj ndërtese shekullore, i takon vitit 1591 dhe është pjesë e rëndësishme e pikturës postbizantine shqiptare. Aq më tepër që mbajnë firmën e Onufër Qipriotit, një prej ikonografëve të shquar shqiptarë. Ashtu si në të gjitha veprat e këtij lloji, pikturat murale të kësaj kishe paraqesin tema biblike, me skena të njohura dhe shenjtorë.
Ç'probleme paraqesin këto murale dhe cilat janë shkaqet?
Veprat paraqesin shkëputje të pelikulit të pikturës nga suporti dhe një pjesë e mirë e saj ka humbur përgjithmonë. Gjithashtu paraqet dhe shkëputje të shtresave përgatitore nga muri.
Tërmeti i vitit 1851, si gjithë banesave të Beratit i solli dëme edhe kësaj kishe, por sigurisht që ka edhe dëmtime të mëvonshme që vijnë si pasojë e kohës, lagështirës, por edhe ndërhyrjeve. Është ndërhyrë shumë herë në të kaluarën nga Instituti i Monumenteve si në pikturë edhe në arkitekturë.
Ka pasur ndërhyrje të gabuara?
Në të kaluarën, në vitet '80 piktura është lyer me materiale konsolidante në tretësira të gabuara. Në këtë mënyrë, mbi sipërfaqe është krijuar një cipë e trashë, e shkëlqyeshme që nuk e lejonte murin të "merrte frymë". Nga lagështira, forca e saj për të dalë jashtë, e ka çarë këtë shtresë të shkëlqyer dhe e ka shqyer nga muri. Kjo ka marrë me vete edhe pikturën e ngjitur në të.
Kush po punon për këtë projekt?
Për këtë projekt po punojnë pjesëmarrësit e Qendrës së Konservimit dhe restuaratorët e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ky është një projekt, i cili u shtri në 18 muaj dhe mbaron në tetor 2009. Ka dy grupe të trajnuarish. Njëri prej tyre është grupi i arkitektëve dhe i inxhinierëve, që po punon për dokumentimin, studimin, rilevimin dhe hartimin e projekteve të restaurimit të tre monumenteve të rëndësishme të kalasë: Kishës "Shën Mëria" e Vllahernës, kishën e "Shën Triadhës" dhe Xhaminë e Kuqe. Ndërsa grupi i restauratorëve po merret përveç leksioneve të teorisë, me restaurimin e 2 ikonave dhe 1 porte të një ikonostasi nga fondi i Muzeut Historik Kombëtar.
Thatë që bëhej fjalë për një projekt të UNESCO-s...
Ky është një projekt i UNESCO-s, me një financim të qeverisë italiane, që arrin shumën 1.3 milionë dollarë. Disa vite më parë i është bërë një kërkesë UNESCO-s nga qeveria shqiptare për hapjen e një qendre restaurimi. Në janar të këtij viti, ish-ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango i bëri një kërkesë drejtorit të përgjithshëm të UNESCO-s, që qendra jonë të bëhet një qendër e kategorisë së 2-të e UNESCO-s për gjithë Ballkanin, pra që do të trajnojë specialistë nga të gjitha vendet e rajonit. Shanset janë të mira dhe tani jemi në procedura për ta realizuar.
Vetëm pak kohë më parë u fol për rrezikun e daljes së Beratit Nga UNESCO, sa e vërtetë është kjo?
Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë thashethemnajë. Thjeshtë është thënë nga drejtues të IMK-së, që "po nuk e mirëmbajtëm, dalim nga UNESCO".
Pas këtyre trajnimeve, mund të thuhet se tanimë kemi një brez të ri restauratoresh, që mund t'i dalin ballë projekteve restauruese, pasi gjithnjë ka pasur ankesa për mungesën e tyre?
Po mund ta themi. Frekuentuesit e kësaj qendre, të cilët janë 19, kanë bërë një trajnim 18-mujor dhe janë vërtetë të specializuar. Por për ne është shumë i rëndësishëm krijimi i Qendrës Ballkanike. Marrëveshja është firmosur në vitin 2005 nga Ministri i atëhershëm i Kulturës dhe UNESCO-s.
Shën Kolli
Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar se muret e kishës janë ndërtuar në shekullin e XVI. Kjo është vërtetuar edhe nga mbishkrimi i vitit 1591 që ndodhet te pikturat në portën veriore. Kisha ka një planimetri drejtkëndore dhe përbëhet nga naosi, kthina e altarit dhe absida trefaqëshe. Në kishë gjendet një kapitel i ripërdorur si altar për shërbesat fetare, i cili është një element i arkitekturës paleokristiane. Kisha është pikturuar nga Onufër Qiprioti. Në pjesën e sipërme, nën konstruksionin e çatisë është vizatuar brezi i profetëve. Në brezin e dytë të afreskëve janë pikturuar skena ungjillore dhe në brezin e poshtëm janë pikturuar martirët dhe apostujt. Në anët e kishës ekzistojnë dy pjesë paraklisesh të rrënuara nga të cilat njëra mbante emrin e Shën Anastasit dhe tjetra të Shën Thanasit.