E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini po ëndërron për një revolucion qershori që e lidh me Stalinin

Mësuesi i vizatimit - Kryetar PS-je s’ka asnjë lidhje me enciklopedistin dhe kulturistin Fan Noli, por po evokon protesta e revolucione, sepse ato e lidhin shkurt me Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin, si garancia e vetme që ai mund të kthehet në pushtet dhe të qendrojë në pushtet përmes dhunës dhe diktaturës

Dje s’i ka fshehur dot Edvini ëndrrat me Rusi e me Stalin. I nxitur nga afrimi i qershorit, Rama e ka përmendur drejtpërsëdrejt referencën e revolucionit të qershorit, duke u deklaruar shqiptarëve se s’do të kishte asnjë skrupull për të imituar çfarëdolloj karikature revolucioni që do të mund ta kthente në pushtet. Afrimi i qershorit i ka kujtuar Edi Ramës Fan Nolin dhe përpjekjen e tij të qershorit, kuintesencën e një karriere politike të dështuar dhe që s’i shërbeu shtetit ende të palindur mirë të Shqipërisë. Por ngjarjet e qershorit e çojnë Edi Ramën shkurt tek Stalini dhe tek Bashkimi Sovjetik, diktatura më e madhe e Shekullit XX. Edi Rama nuk shqetësohet fort për metodikën dhe për krahasimin e pashmangshëm të Sali Berishës me Ahmet Zogun dhe përpjekjet e të dyve për legalitet; ai e ka përfaqësimin dhe zemrën tek hazreti Stalin, të cilin qeveria e panjohur ndërkombëtarisht e Fan Nolit nxitoi ta njihte e para, duke treguar edhe se ku e kishte merakun e nga anonte. Analiza historike e ngjarjeve të 1924-s është komplekse por kjo s’e ndalon Edi Ramën të shohë ëndrra me revolucion qershori, por para së gjithash me krijimin e një lidhjeje të fortë e të qendrueshme filosllave, lidhje që s’mund të garantohet ndryshe, veçse duke krijuar lidhjen e trashëgimisë me Stalinin dhe stalinizmin. Kjo lidhje e lidh shkurt Edi Ramën me Kolekët dhe me të atin, që mes minutave të lira nga hedhja e firmave për pushkatime në presidencën e Kuvendit Popullor, gjente kohë të hidhte bocetin për ndonjë shtatore të re të Stalinit. Mësuesi i vizatimit nuk e ka fare mendjen tek enciklopedisti Noli, por tek politikani i pasuksseshëm që të parën gjë që bëri kur erdhi në pushtet, i çoi selamin e njohjes, Bashkimit Sovjetik dhe Stalinit. Kjo trashëgimi i intereson Edi Ramës dhe këtë evokim shpalli dje në Kongresin e socialistëve. është një evokim që i vjen nga një ëndërr, nga një ëndërr për revolucion qershori, nga një ëndërr që risynon ta mbajë peng Shqipërinë në absurdin se ajo është Lindje, se ajo është zgjatim sllav, se ajo është vetëm dalje në Adriatik e hordhive komuniste... Edhe pse ëndërr, ajo është fort ëndërr demode, por një ëndërr e rrezikshme, e cila si e tillë, duhet ndalur të shndërrohet në një kllapi që mund të tjetërsojë rrugën e shqiptarëve drejt Perëndimit... Por format e ndaljes, afërmendsh që i përkasin klasës politike, protagonistëve shqiptarë të të gjithë krahëve të spektrit politik.

Opozita radikalizon qëndrimin

Rama paralajmëron rebelim antishtetëror ndaj orientimit perëndimor të Shqipërisë

Nuk ka më asnjë mëdyshje se mos bindja e opozitës së Edvin Ramës, lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit ka të bëjë me rrugën e demokratizimit dhe integrimit euroatlantik që po ndjek Shqipëria nën qeverisjen aktuale.
Përqendrimi i aksionit shtetëror përmes reformave dhe standardizimit të vendit sipas kritereve të Brukselit, nga ku Shqipëria synon të aderojë në Bashkimin Evropian, ka rikthyer sulmet e të majtës shqiptare, sulme këto të trashëguara nga brezi i parë i nomenklaturës komuniste dhe që po përcillen po aq mirë edhe në ditët e sotme, por me efekt të zbehtë.
Tendencat e opozitës së çalë për të trembur aksionin shtetëror dhe reformat jetike për vendin, e konvertojnë tërësisht partinë e Ramës, kryekëput në dobi të interesave të qarqeve të ngushta hileqare kundër Shqipërisë. Ndaj edhe ngurrimi i Edvinit përmes këtyre sjelljeve të çuditshme dhe aspak reale për aspiratat e vendit, nuk kanë justifikim tjetër, përveç vënies në shërbim të projekteve ogurzeza kundër Shqipërisë dhe integrimit të saj.
Edvin Rama, në kushtet e djegies së plotë të kartave politike dhe pas shuarjes totale të shpresave për zgjedhjeve të parakohshme, organizon të ashtuquajturat Kongrese, ku nuk bëhet gjë tjetër veçse zallamahi dhe aheng me çmendurinë e kryetarit në detyrë.
Dëshpërimi i thellë dhe depresioni në rritje, kanë demotivuar tërësisht prirjen e kryesocialistit për debat politik dhe nisjen e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme, për rimatur edhe njëherë forcat me shumicën parlamentare.
I ndodhur në një fazë të tillë mosnjohje të zgjedhjeve parlamentare, Edvin Rama po i atashon vetes dhe forcës politike që përfaqëson një nga përgjegjësitë më të mëdha kombëtare, siç është kurdisja e kurtheve ndaj vendit dhe aspiratave të integrimit.
Pavarësisht sulmeve të përditshme dhe miratimit të këtyre rezolutave për një masivizim të shpejtë të reaksionit kundër shtetit, opozita e degdisur nuk ka asnjë tezë apo platformë ideale për t’ju kundërvënë progresit shtetëror të vendit, më tepër akoma në kushtet e hapjes së dyerve të integrimit, duke nisur nga liberalizimi i vizave.
Kongresi i socialistëve miratoi projekt-rezolutën, e cila u prezantua nga deputetja Vasilika Hysi.
Kjo projekt rezolutë bën thirrje për një përshkallëzim të qëndrimit reaksionar ndaj strukturave shtetërore dhe mosbindje ndaj ligjit, me pretekstin e transparencës së zgjedhjeve dhe krizës ekonomike.
Edvini apeloi para të pranishmëve socialistë se protestat nuk do njohin kufi deri në një ndryshim të kursit të qeverisë, ku padyshim ajo që presin socialistët është ndërprerja e punës së integrimit të Shqipërisë dhe bllokimin e reformave.

Reagon LMN/Ben Blushi: “Edi Rama endet si lavjerrës nga e majta në të djathtë”

Kritika të ashpra në drejtim të Edvin Ramës ka hedhur dhe Ben Blushi. Deputeti socialist dhe përfaqësuesi i LMN-së u shpreh dje se Edi Rama duke futur në PS elementë që vijnë nga e djathta si Preç Zogaj dhe Spartak Ngjela, po bën thjeshtë një lavierës nga njëri krah në tjetrin.
Reagimi i Blushit erdhi menjëherë pas përshëndetjes që Edvini u faturoi anëtarëve më të rinj të PS. Blushi deklaroi se ka kërkuar në Kongres, që të unifikohet e majta.
“Bëra sot thirrje në Kongres për një unifikim të së majtës, unifikim që nuk mund të fillojë nga e djathta. Nuk është bindëse për PS-në që të bashkohet me Nard Ndokën apo Preç Zogaj dhe jo me Petro Koçin. Jam për bashkim e jo për ndarje të PS-së. Jam për një program të majtë dhe jo një për një lavjerrës që shkon nga e majta në të djathtë. Jam për një parti kolegjiale, të hapur dhe demokratike që garanton bashkëjetese, karrierë dhe kontribute të gjithkujt. Jam për të protestuar, por jo për të marrë pushtetin me dhunë”, tha Blushi për mediat, duke iu referuar fjalës së tij dje në forumin më të lartë socialist, në seancën me dyer të mbyllura.
Lidhur me kërkesën e vazhdueshme të opozitës për transparencën e zgjedhjeve të qershorit, 2009, Ben Blushi u shpreh se i mbetet bindjes se, arsyet e humbjes së PS-së në zgjedhje janë kutitë, por dhe të disa arsyeve të tjera, jashtë tyre.
“Ka shumë arsye jashtë kutive që PS e ka në dorë t’i korrektojë dhe kjo lidhet me një kohezion më të madh brenda radhëve saj. PS ka nevojë për një parti më kolegjiale, e cila akoma nuk po prek në themel statutin e saj, që garanton kolegjialitet, që e decentralizon partinë dhe nuk e centralizon, siç ka ndodhur në 10 muajt e fundit”, deklaroi më tej, përfaqësuesi i LMN-së, Ben Blushi.
Ai tha më tej se është ‘pro’ protestave, por protestat s’mund të kthehen në kryengritje popullore.

Andis Harasani: “Kongresi bën analiza të gabuara, Rama kërkon të mbajë peng PS-në”

Për drejtuesit e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste kongresi, nuk po bën analizat e duhura. Deputeti i PS-së, Andis Harasani tha se përveç faktit që nuk po u jepet falja deputetëve që përfaqësojnë mendimin ndryshe, në kongres nuk po “analizohet se çfarë shkoi keq gjatë kësaj kohe”. “Në kushtet ku ndodhet PS, mendoj se në radhë të parë, duhet të diskutojmë se cilat gjëra ne kemi bërë gabim që patëm këto rezultate në zgjedhje. Duhet të dimë se cila ishte arsyeja që ne u tërhoqëm nga kërkesa jonë ‘për kutitë’, pasi sot askush nuk foli më për hapje kutish, siç ishte rasti i kryetarit të PS-së”, u shpreh deputeti Harasani.
Duke ju referuar projekt-rezolutës së lexuar në Kongres nga deputetja Vasilika Hysi, Harasani u shpreh se “nuk ka mundur të kuptojë shprehjen ‘bashkëpunim me pozitën’”, pasi sipas tij, “opozita nuk e njeh këtë pozitë”.
“Ndërkohë, që këtë pozitë ne nuk e njohim, flasim për bashkëpunim me të dhe këtë vazhdoj të mos e kuptoj”, tha deputeti i Lëvizjes për Mendimit Ndryshe, Andis Harasani
Deputeti i PS-së theksoi se drejtuesit e selisë rozë po japin dhe një model të keq me futjen në parti të njerëzve që më parë e kanë sulmuar atë.
“Nuk di se çfarë shembulli i jepet partisë me marrjen e disa figurave që kanë qenë edhe më të ashpër sesa Partia Demokratike”, deklaroi më tej, Harasani.

Marko Bello: “Rama, gjueti shtrigash ndaj atyre që mendojnë ndryshe”

Deputeti i Levizjes per Mendimin Ndryshe ne Partine Socialiste, Marko Bellon në një prononcim për mediat u shpreh se kryetari Rama do të vërtetojë kur të diskutohen ndryshimet statusore, nëse do të jetë për përçarjen e mëtejshme të PS-së, duke përjashtuar deputetët e LMN-së, ose jo.
“Ne kërkonim edhe fraksione, oponencë kolektive, gjë që nuk është pranuar. Me sa duket PS ose shumica e saj nuk e sheh të arsyeshme. Këtë do ta tregojë Kongresi. Ne do të kërkojmë që të aprovohet, por me sa shoh fryma është për të lejuar mendimin ndryshe, por jo veprimin ndryshe në PS. Propozimet janë të njohura. Ato janë depozituar. Janë shprehur edhe më parë. Kemi diskutuar me delegatët për propozimet për oponencën kolektive. Një pjesë me të cilët unë kam biseduar thonë që oponenca kolektive kur partia është në opozitë ndoshta nuk është e mirëpritur. Mendojnë që të bësh opozitë brenda opozitës është më e vështirë në një kohë që duhet të përqendrohemi te kundërshtari jonë politik që është PD. Po e ndjek me vëmendje lëvizjet në PS pasi këtu do të duket nëse Edi Rama do ta bashkojë apo do ta përçajë partinë. Unë uroj që Edi Rama të reflektojë dhe të krijojë një frymëmarrje për të gjithë zërat ndryshe brenda partisë sepse në rast se do të veprohet me gjueti shtrigash për të eliminuar ata që mendojnë ndryshe kjo do ta rrudhë PS”, tha Bello.

Kastriot Islami: “PS-ja ka nevojë edhe për bashkëjetesën e fraksioneve”

“Partia Socialiste ka nevojë për një integrim të brendshëm, një bashkëjetese të fraksioneve dhe një projekt me aleatët e saj tradicionalë, me qëllim bashkimin e gjithë së majtës”.
Kështu u shpreh deputeti i PS-së, Kastriot Islami, një nga përfaqësuesit e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe (LMN).
Duke iu referuar punimeve të Kongresit të socialistëve, deputeti Islami foli për ndryshimet statusore, duke shtuar se ato censurojnë krijimin e mendimit ndryshe, duke e ndrydhur PS-në. Nisur nga kjo, Islami tha se në paketën e ndryshimeve janë eliminuar të gjitha propozimet e LMN-së. “Për paketën e ndryshimeve LMN paraqiti disa propozime të mbështetura nga rreth 300 delegatë në Kongres, një pjesë e të cilave janë reflektuar në të, kryesisht ato që lidhen me organizimin e partisë në nivel rrethi. Por, LMN kishte idenë e vendosjes së një raporti më të drejtë midis personave me kontribute dhe kapacitete në parti dhe prurjeve të reja, gjë që nuk është reflektuar në paketën e ndryshimeve”, deklaroi Islami.

Ylli Manjani: Edi Rama, një demagog që vazhdon të mashtrojë socialistët

Delegati i Kongresit të PS-së, Ylli Manjani dhe përfaqësues i Lëvizjes për Mendim Ndryshe, e konsideroi kryetarin e PS-së, Edi Rama si një demagog që vazhdon të gënjejë socialistët.
Gjatë një prononcimi për mediat, Manjani reagoi rreth deklaratave në Kongres të kreut socialist, ndaj përfaqësuesve të LMN-së. “Rama e nisi fjalën e tij si Fan Noli, por e mbaroi si Enver Hoxha. U çudita shumë që Edi Rama dhe oligarkia qenkan keq, duke vdekur për bukë, sepse unë pres që në fund të këtij muaji, vetëm nga deklarimi i pasurisë së deputetëve të Edi Rama, minimumi i parave fluide, ose të kapitalizuara do të jenë diku tek 100 milion euro dhe unë nuk e di se kush është ciniku dhe i varfëri në këtë vend”, u shpreh Manjani.
Sipas tij, Rama ka shumë kriza e probleme për të zgjidhur dhe një prej tyre është identiteti politik. Për fatin e keq, socialistët vazhdojnë të mashtrohen nga një demagog si Edi Rama.
Në vijim, Ylli Manjani shtoi “jam i bindur që një ditë PS do t’i fitojë zgjedhjet, por atë ditë është mirë që të mos jetë Rama vërdallë, se ajo fitore nuk do të jetë më e socialistëve, por e oligarkisë dhe ky është problemi që duhet të zgjidhë PS dhe Edi Rama sot”.

Arben Malaj: “Modernizimi i PS konsolidohet nga legalizimi i mendimit ndryshe”

Deputeti i PS, Arben Malaj dhe pjesëtar i Lëvizjes për Mendim Ndryshe, kritikon në Kongresin e PS pushtetin e përqendruar në Parti, radikalizimin e marrëdhënieve me një pjesë të institucioneve të vendit dhe kërkoi konceptimin e shumicave numerike, si prova reale e standardeve të demokracisë së brendshme.
“Modernizimi i PS-së konsolidohet dhe nga vlera e shtuar e diversitetit të mendimeve dhe duhet të mbështetet në harmonizimin e të gjitha kontributeve”, tha Malaj.
Ai kërkoi që Partia të qartësojë vizionin dhe avantazhet si force kryesore politike ndaj sfidave që kalon vendi.
“Partia Socialiste është angazhuar në betejën për vlerën themelore të demokracisë dhe po drejton betejën për transparencën e votës, betejën për demokracinë”, u shpreh ai.
Gjithashtu, ai kërkoi modernizimin e PS, ku veçoi nxitjen e të rinjve, harmonizimin e energjive pozitive të tyre me përvojën dhe përkushtimin e kolegëve, rikrijimin e një sistemi meritokracie, rikrijimin e frymës së ekipit dhe bashkëpunimit real, etj.
Në drejtim të zgjerimit të aleancave publike, ai tha se PS duhet të meritojë rritjen e mbështetjes publike. “Duhet vizion i qartë, strategji e suksesshme, mirënjohje e sinqertë për kontributin e çdo anëtari dhe mbështetësi të Partisë Socialiste”, deklaroi më tej, Arben Malaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›