E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi i Edi Ramës, si plenumi i regjimit komunist në kohët moderne

Kongresi i PS-së reagon nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli

Mbledhja e Kongresit të Partisë Socialiste, është konsideruar nga nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, si plenumet e regjimit të kaluar komunist. Kryetarja e Kuvendit Topalli tha sot përmes një deklarate për shtyp se fjalimi i kreut socialist mbajtur në kongresin e Partisë Socialiste, ishin si thirrjet e komunistëve në plenumin e Beratit.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e ka reaguar dje lidhur me mbajtjen e punimeve të Kongresit të PS-së nga socialistët, bijtë e bllokut, duke deklaruar se ajo mbledhje ngjante me mbledhjet e organizuar nga etërit e tyre, të cilët dikur rrinin mbyllur në bunker, ndërsa bijtë e tyre qëndrojnë të mbyllur në kuti. “Me hidhërim të thellë ndoqëm aktivitetin e zotit Rama, në të cilin me vërtetësi e transparencë të trishtueshme, ai dhe fosilet e reja e të vjetra të PPSH-së, refuzuan realitetin ekonomik, politik, social e integrues të vendit, duke e bërë të krahasueshëm vetëm me kongresin e radhës së Partisë së Punës së Shqipërisë.
Ata që ndoqën kongresin e Partisë Socialiste, patën rastin të konstatojnë se ky ishte dëshpërimisht kongresi i etërve dhe bijve të bllokut, që kërkojnë revanshin për të dënuar sërish shqiptarët për përbuzjen që u dëshmuan në 28 qershor me votë”, u shpreh Topalli.
Kryetarja e Kuvendit deklaroi se kongresi i Partisë Socialiste nuk kishte asnjë lloj ndryshimi me 20 vjet më parë kur organizoheshin plenumet e regjimit komunist.
“Natyrisht, në kongres nuk mungonin as anëtaret e Byrosë Politike të KQ të Partisë së Punës, të përfaqësuar denjësisht me patos qesharak nga Edvin Kristaq Rama, e me prezencën e Ilir Xhelil Gjonit, Ilir Hamit Beqjes, Enkeleda Hamit Shamkut, Ditmir Sulejman Bushatit, Dash Myslim Pezës.
Ky ishte kongresi i etërve dhe i bijve të bllokut, sepse në këtë kongres ata faktuan se mbeten njësoj si 20 vjet më parë, kundërshtarë te shtetit ligjor, të lirisë të tregut, të vlerave të sistemit demokratik, betejë që shqiptarët e fituan zyrtarisht ditën kur çliruan Shqipërinë nga regjimi I baballarëve të tyre. Ky ishte kongresi i etërve dhe bijve të bllokut që me platformat që shtruan dëshmuan se janë të gatshëm për të bllokuar e për të larguar Shqipërinë nga Europa”, deklaroi Topalli.
Sipas saj, fytyra e shprishur, tmerri ne sy, fjalori i oratorit kryesor, ishte i denjë për plenumin e Beratit apo shpellat mafioze, por jo për një parti anëtare të Socialistëve Europianë. “Kongresi i etërve dhe bijve të bllokut, dëshmoi se një ditë të shfaqet si parti e maskave dhe viktimizimit, dhe ditën tjetër si parti e shantazhit dhe e revanshit.
Dikur etërit në bunkerë e sot bijtë në kuti, nuk është alternativë për aspiratën evropiane të shqiptarëve. Shqiptarët duke thyer bunkerët e etërve 20 vjet më parë, zgjodhën Europën si ëndërr, e sot po e prekin si realitet. Koreografia e kongresit të radhës së PPSH të cilin e ndoqëm sot, me dënimin e grupeve armiqësore, terminologjinë e përdorur, propagandën fund e krye “shpifje e trillim”, dëshmoi se mendja dhe ora fatkeqësisht u ka mbetur tek “Vaterloja” e etërve te tyre dhe se, e vetmja shpresë që shohin për shpag është “Don Kishotizmi” e “Don Kishoti””, u shpreh ndër të tjera kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, duke iu referuar mbledhjes së Kongresit të PS.
Reagimi i Partisë Demokratike dhe mazhorancës në tërësi, vjen në një kohë kur vendi është në prag të sfidave madhore të integrimit, ndërsa nga ana tjetër opozita, po gatuan një fatkeqësi për Shqipërinë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›