Rrënohet strategjia socialiste me Ruzhdijen, prokuroria rrëzon pretendimet pa fakte të Gramoz Ruçit e Fatmir Xhafajt

Organi i akuzës i ka dhënë fund hetimit për 3 padi penale të depozituara muaj më parë nga Partia Socialiste, pretendime këto që lidheshin me procesin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Paditë penale të PS-së depozituar në organin e akuzës, janë pjesë e kaplimit të shpifjeve dhe trillimeve për parregullsi të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të shkuar, të demonstruar fuqishëm në arenën politike dhe mediatike nga Edvin Rama dhe tani së fundmi edhe nga njeriu i tij, Gramoz Ruçi. Baltosja e socialistëve për dokumentet e reja të identitetit ka filluar që 6 muaj më parë, kohë në të cilën PS ngriti padi penale për falsifikimin e një karte identiteti, por që në bazë të hetimeve të organit të akuzës, rezultoi gjithçka e trilluar dhe se e vërteta ishte e gjitha ndryshe dhe nuk kishte të bënte fare me falsifikimin e dokumenteve të identitetit, dokumentit më të sigurt në Europë.
Prokuroria e Tiranës, i jep kështu një shuplakë të rëndë pretendimeve të pabaza të Edvinit dhe klikës së tij dashakeqe në PS, për zgjedhjet e qershorit të kaluar. Duke mbyllur tre paditë penale të depozituara në organin e akuzës nga Sekretari për çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, organi i akuzës hedh poshtë një nga tentativat më të rënda të ngrehinës socialiste për të cenuar procesin elektoral.
Pas 6 muajsh hetime, organi i akuzës i ndërpret hetimet ndaj 3 padive penale, për falsifikim të kartave të identitetit dhe ndërhyrje në listën e zgjedhjeve, nën argumentin se nuk ekzistojnë prova për të vërtetuar pretendimet e socialistëve.
Tre pretendimet e Partisë Socialiste për parregullsi në procesin zgjedhor të vitit të shkuar, që u bënë pjesë e hetimit pas një kallëzimi penal nga selia rozë, më 4 qershor të 2009-ës, hetimet u nisën nga Prokuroria e Trianë në muajin shtator.
Por, pas 6 muaj hetimesh organi i akuzës nuk ka gjetur asnjë provë që të vërtetojë këto pretendime.
Burime të Prokurorisë së Rrethit Tiranë, bëjnë të ditur se dosja hetimore e hapur për këtë çështje, është mbyllur, për mungesë provash.
Denoncimi për falsifikim të kartës së identitetit nga një qytetar nga Korça, nga hetimet rezulton se ai kishte aplikuar për një kartë një dytë, pasi kishte denoncuar humbjen e së parës dhe menjëherë pas aplikimit, karta e humbur ishte fshirë nga sistemi. Për akuzën drejtuar Ministrisë së Brendshme për falsifikime në listën e zgjedhjeve dhe në tabelën emërore të personave me dhe pa pasaportë, Prokuroria ka dalë në përfundimin se nuk janë gjetur prova për ndërhyrje në sistem. Për rastin e tretë, atë të pretendimeve se një pushtetarë lokal i Partisë Demokratike, po shpërndante kuponë falas, organi i akuzës thotë se kuponë të tillë ishin në shitje në zyrën e aplikimit. Pas mbylljes së kësaj dosjeje, Prokuroria e Tiranës ka nisur një tjetër hetim të bazuar përsëri në pretendimet e selisë rozë.
Bëhet fjalë pikërisht për atë që kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi i quajti si falsifikim të kartave të identitetit, gjatë seancës plenare të së enjtes. Hetimi është nisur kryesisht, ndonëse socialistët preferuan që të mos i drejtohen organit të akuzës.
3 kallëzimet penale të PS-së
Manipulim i kartës së identitetit nga një shtetas
Manipulimi i një funksionari lokal të PD-së duke shitur kuponë në këmbim të votës. Falsifikim të të dhënave dhe të dokumenteve zyrtare nga strukturat e Ministrisë së Brendshme.