Edvini po mban peng Tiranën, pse s’mund të privatizojë 14 milionë eurot e buxhetit
Kreu i këshilltarëve demokratë në Bashkinë e Tiranës ka denoncuar dje terrin informativ që po shoqëron debatin për miratimin e buxhetit të ri, por edhe agravimin e problemeve në kryeqytet, veçanërisht situatën që po përjeton biznesi
“Buxheti i Tiranës nuk është i miratuar, gjë që do të thotë që qytetarët sot kanë më pak rrugë të shtruara, fëmijët nëpër shkolla kanë më pak ngrohje, kanë më pak kënde lojrash, të moshuarit kanë më pak qendra sociale për ta. Pra Tirana sot është në pikë të hallit. Të mos ketë buxhet sot do të thotë se ka më pak banesa sociale dhe le të themi se nuk ka fare, për të pastrehët”
Leonard Quku
TIRANE - Kryeqendra e vendit, Tirana, po përjeton një shumësi problemesh serioze, në kushtet kur për të nuk ekziston një buxhet efektiv, për të mbuluar investimet në infrastrukturë, shkolla, qendra sociale apo edhe banesa sociale. Dështimet e njëpasnjëshme të kryetarit të bashkisë, për të miratuar në Këshillin Bashkiak, një buxhet me të cilin përcaktohen fonde pa destinacion dhe pa projekte konkrete, por i draftuar në mënyrë klienteliste, ku i vetmi destinacion janë 14 milionë eurot, të cilat synohej të shpërdoroheshin në mënyrë antiligjore, gjatë fushatës elektorale, po e kthejnë kryeqytetin në ditë të mjerueshme.
Partia Demokratike reagoi përsëri dje ndaj këtyre problemeve dhe bllokimit të buxhetit nga Rama, duke vënë në dukje se Tirana është kthyer në kryeqytetin e vetëm në Evropë që nuk ka buxhet, dhe njëherazi i vetmi kryeqytet në Evropë që jo vetëm nuk ka një buxhet por nuk ka kryetar, ka një kryetar me korrespondencë.
Zëdhënësi i Partisë Demokratike Gerti Bogdani deklaroi se “buxheti i Tiranës nuk është i miratuar, gjë që do të thotë që qytetarët sot kanë më pak rrugë të shtruara, fëmijët nëpër shkolla kanë më pak ngrohje, kanë më pak kënde lojërash, të moshuarit kanë më pak qendra sociale për ta. Pra Tirana sot është në pikë të hallit. Të mos ketë buxhet sot do të thotë se ka më pak banesa sociale dhe le të themi se nuk ka fare për të pastrehët”, u shpreh Bogdani.
Zëdhënësi i selisë blu tha se, “Tirana sot nuk ka buxhet për një arsye shumë të thjeshtë, sepse buxheti nuk është votuar në këshillin bashkiak pasi kryetari i bashkisë për interesa të ngushta personale, për interesa të klaneve të tij, kërkon të kalojë 14 milionë euro pa i detajuar, pra 14 milion euro që janë pre për abuzim, 14 milionë euro që thjesht do përdoren për fushatë elektorale dhe jo për qytetin e Tiranës.
“Pyetja që lind është e thjeshtë: a është Rama i paaftë të detajojë buxhetin apo është zoti Rama i paaftë të bëjë transparencën e buxhetit”, nënvizoi Bogdani.
Reagimi i zëdhënësit të PD-së, erdhi menjëherë pas deklaratave të nënkryetarit të bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, i cili pohonte se “tashmë e kemi buxhetin tonë, duan apo nuk duan kryeministri Sali Berisha dhe Ilir Meta”.
Ndonëse, prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, vetëm pak ditë më parë e ktheu për rishqyrtim të Këshillin Bashkiak buxhetin e Tiranës, Edvini dhe klika e tij e hajdutërisë nuk po pajtohen me humbjen e 14 milionë eurove, të destinuara sipas Koço-buxhetit, për financimin e paligjshëm të fushatës elektorale të Partisë Socialiste dhe pseudopartisë anekse si 99-shat e nënkryetarit de facto të PS-së, Erion Veliaj, apo edhe partizës së Gjinushit, e ngelur së fundmi jo vetëm pa elektorat, por edhe pa mbështetje financiare.
Prefekti deklaroi qartë se buxheti i ardhur në tavolinën e tij nuk mund të firmoset për shkak se përmban përplasje serioze në disa nene. Duke argumentuar mos hedhjen e firmës së tij për miratimin e këtij projekt-buxheti, prefekti Keçi parashtroi edhe një sërë argumentesh duke thënë se buxheti bie ndesh me disa nene të veçanta, kryesisht të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor në Shqipëri.
Përpos kësaj, nëpërmjet dhunës verbale të ushtruara nëpërmjet mediave të blera me leje ndërtimi, apo me premtime se atë do ta bëjë deputet dhe këtë ministër, Edvini dhe klika e tij manipuliste, po përpiqet që të manipulojë opinionin publik, se buxheti i bashkisë është i miratuar tashmë dhe se janë gati projektet për t’u financuar, pavarësisht se, në fakt në Koço-buxhetin, llogariten disa miliarda lek të taksapaguesve kryeqytetas, pa asnjë destinacion se ku do të investohen në infrastrukturë apo në rikonstruksione të shkollave të kryeqytetit në ndërtimin e qendrave sociale apo të banesave sociale, për t’u ardhur në ndihmë sado pak, të pastrehëve.
Faktikisht, ato miliarda lek apo miliona euro, që janë jo pak, por 14 milionë të tilla, nuk janë të përfshira në investimet publike, por janë mbajtur si fonde shtesë, që do të thotë se në momentin e përshtatshëm dhe larg çdo vëmendjeje të taksapaguesve kryeqytetas, paratë e tyre do të përfundojnë në financimin e fushatës së edvinëve, erionëve apo edhe gjinushëve.