“Dënimi i krimeve të komunizmit të shoqërohet me kompesim për të gjithë viktimat”

Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia vlerëson masat e ndërmarra nga qeveria për kompensimin e ish-të përndjekurve dhe pronarëve
TIRANE - Legalistët deklarojnë se dënimi i krimeve të diktaturës komuniste duhet të shoqërohet me një kompensim real dhe të shpejtë për të gjithë viktimat dhe të shpronësuarit e këtij sistemi. Duke u ndalur te zhvillimet e kohëve të fundit që kulmuan me bllokimin e zbatimit të ligjit të lustracionit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, kreu i PLL-së Ekrem Spahia u shpreh se të gjitha këto tregojnë qartë se tentakulat e regjimit komunist nuk janë shkëputur akoma nga sistemi që po ndërtojmë.
“Në një mobilizim total, që për nga sinkronizimi krahasohet me rebelimin e vitit 1997, eksponentë të hapur apo të fshehtë dhe pasardhës të atyre që duhet të kishin dhënë llogari për krimet e kryera që në vitin 1992, janë bashkuar në një fushatë të egër dhe po tregojnë se janë ende këtu dhe të aftë për t’i bërë karshillëk kërkesës mbarëshoqërore për t’u shkëputur nga e kaluara komuniste”, u shpreh Spahia.
Ky aktivizim i segmenteve të mbetura të diktaturës komuniste, sipas kreut të PLL-së “është një reagim i hapur ndaj masave që po merr qeveria për rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, për kompensimin e pronarëve, por edhe ndaj sukseseve të kësaj mazhorance qeverisëse në drejtim të integrimit euroatlantik të vendit”.
Në këtë drejtim, Spahia ritheksoi qëndrimin e PLL-së për dënimin e diktaturës komuniste në tërësi dhe nxjerrjen e përgjegjësive penale rast pas rasti, për çdo krim politik të kryer prej saj. Ai vuri në dukje se PLL po punon që përfaqësuesit më të spikatur të shtresës së ish-të përndjekurve të kenë pozicione kryesuese në listat e saj të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit. “Në çorientimin e madh mediatik që paraprin natyrshëm fushatat zgjedhore, por edhe në kushtet e një krize botërore, kur nga lindja deri në perëndim, ngjyra e dollarit po bëhet më e fortë dhe po eklipson ngjyrën e kuqe të diktaturës komuniste dhe krimeve që ajo kreu, PLL fton qytetarët shqiptarë që t’i referohen vetëm zemrës së tyre dhe realitetit të përditshëm që po përmirësohet vazhdimisht”, tha në përfundim kreu i PLL-së.