Zh-ja e fqinjësisë ballkanike
Edhe ngjarjet marrin domethënien e një përkthimi, siç tekstet shqipërohen, për t’u përcjellë, nga gjuha e krijuesit në të tjera gjuhë, duke humbur diçka. Siç desh fuqia politiko - ushtarake, por jo njeriu shqiptar, 28 Nëntori 1912 nuk mundi të bëjë bashkë të njëjtin popull. Pas gati 100 vjetësh, ajo ngjarje, historike e jetike, u përkthye në 17 shkurtin 2008, me pavarësimin e Kosovës. Duke e ditur që, shqiptarët i kanë shpenzuar energjitë për të siguruar mbijetesën (ndër ne është pyetur gjatë: “A e ke bërë bukën?”), 17 shkurti 2008 i Kosovës, si një përkim rastësor datash, u përkthye në përmbylljen, më 17 shkurt 2009, të ratifikimit të protokollit për pranimin e Shqipërisë në NATO, me votimin e parlamentit të Greqisë. Futja e Shqipërisë nën “ombrellën e lirisë”, (përcaktim që e tha kryeministri Berisha), bëhet një ngjarje e jashtëzakonshme, e rrokur shpirtërisht nga shqiptarët, të strapacuar nëpër shekuj. Ajo që zyrtarisht u paratha, në fillim të prillit 2008, pritet të përfundojë, në fillim të prillit 2009, në Samitin e NATO-s, në Strasburg.
Kjo histori përpjekjesh, pati tri veçori gjatë ratifikimit të protokollit që kryen parlamentet e vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Veçori kryesore ishte që, SHBA, vendi më i madh, më i fuqishëm dhe gjeografikisht më i largëti me ne, veproi shpejt dhe i pari. E pa shoqe mbetet kërkesa e ish-Presidentit Xhorxh Bush, drejtuar senatit, për ta ratifikuar sa më parë, protokollin për antarësimin e plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë, në NATO. Dhe, jo vetëm kaq, por, ai tha që, edhe shtetet e tjera anëtare, poashtu, të mos vonoheshin për këtë zgjerim të Aleancës, me dy vende të reja nga Europa Juglindore. Nëse këtë proces e shprehim përmes alfabetit, A-ja u bë Amerika. Kjo, ngjarja A, u përshëndet shpirtërisht nga shqiptarët. Veçori e papritur ishte që, Greqia - fqinja e parë, më e afërt, anëtare e NATO-s, e ratifikoi protokollin më e fundit fare, duke ndezur ndër shqiptarë hamendje e dyshime, a mos ajo do të shtonte ndonjë kusht, për të ndërlikuar pranimin në NATO? Veçori e pangjarë qe, ratifikimi shumë i shpejtë i protokollit, vetëm në rreth pesë muaj, si një ndreqje e vogël e vonesës, më të hershme e nga vetvetja, të shkaktuar nga rebelimi komunist i vitit 1997.
Shqiptarët janë për NATO-n. Partitë politike shqiptare janë Atlantiste. Qeveria ndjehet krenare që i shërbeu përmbushjes së detyrave, për t’u bërë fakt i kryer, kjo kërkesë e thënë nga kryetari i Partisë Demokratike, Berisha, mënjëherë pas ndryshimeve - e para kërkesë e shqiptuar ndër të gjitha vendet e Lindjes, të sapo dala nga sistemi komunist. Nuk janë të arsyeshëm disa zëra, ndër ne, të së majtës, politikanësh dhe publicistësh, për rezervat që ata bënë me dije se, futja e Shqipërisë në NATO, paska qenë një pranim më shumë nga nevojat gjeostrategjike të Aleancës së Atlantikut të Veriut, se sa për meritë të qeverisjes. Shqipëria ka bërë rrugë të vështirë për ndërtimin e demokracisë, me zik-zake të pashmangshme, ka kryer reforma kurajoze, gjatë të cilave janë shfaqur probleme, por çdo mision i madh futet në histori, si i tillë, kur ai përmbushet, ndërsa të tjerat kthehen në mësime. Merita dhe gjeostrategjia apo gjeostrategjia dhe merita, kur bashkohen në partneritet me aleatë të mëdhenj, formojnë tërësinë e qëllimit të synuar.
Kjo shpejtësi ratifikimesh nxori në pah që, megjithatë, fqinjësia ballkanase, ende është e brishtë. Nëse SHBA e largët shpejtoi të bëhej A-ja, Greqia pranë gjykoi të mbetej Zh-ja. Disa shembuj të tillë, të ngjashëm, mes vendeve të Ballkanit, i bien ndesh thënies “ëmbëlsira në fund”. Serbia është një fqinj që, pasi përdori luftën kundër Kosovën vijon me gjuhën e moskomunikimit. Bosnjë -Hercegovina, pret çfarë t’i thotë Serbia. Rumania nuk ka as Zh. Greqia, për Kosovën, ka qasje të drojshme, por ende nuk e ka thënë Zh-në. Maqedoninë e la jashtë NATO-s, ndërsa Shkupi zyrtar nuk afrohet te kompromisi. Sllovenia nuk e ka ratifikuar protokollin për anëtarësimin e Kroacisë në NATO, madje, lajmet bënë me dije se, për t’u marrë një vendim, mund të shkohet në referendum. Marrëdhëniet fqinjësore duhet të përafrohen me kurajë për përputhjen me fqinjësinë gjeografike, që Ballkani të flasë mes veti, duke përdorur shkronjën A. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe për këtë, shërbejnë mësim të vyer. Kur ish - Presidenti Xhorxh Bush pati ardhur në pushtet, vizitën e parë e kreu te fqinji i parë jugor - Meksika. Kurse Presidenti Barak Obama udhëtimin e parë jashtë Amerikës e bëri te fqinji i parë verior - Kanada.