E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reportazh/ Vala e nostalgjisë sovjetike që po sponsorizohet nga Rusia e Putinit

Rusia po zhytet në një valë të re nostalgjie: Televizioni, muzika, moda, dhe madje edhe kafenetë po lulëzojnë në stilin e kohëve të sovjetëve në vitet ‘50-‘60. Para së gjithash, rinia ka gjetur kënaqësi ndërsa imiton ato kohë dhe beson gabimisht se jeta në ish-Bashkimin Sovjetik paskësh qenë “e bukur”. Këtë, ata e dëgjojnë shpesh të thuhet nga prindërit e gjyshërit e tyre. Por, mungesa e perspektivës për të ardhmen, thonë intelektualët rusë, është fajtore për këtë situatë që po na sjell prapa në kohë të errëta. Shumë prej tyre mendojnë se nuk ka asgjë realisht për të tentuar një rikthim në ato kohë.

(Shën Petërburg) - Në barin “Hemingway” në Shën Petersburg takohen në fundjavë të rinjtë dhe VIP-at që jetojnë e punojnë në metropolin verior të kulturës ruse. Por kush pret të shohë bjodina me këmbë të gjata në funde të shkurtra pa fund, aty do të zhgënjehet. “I gjithi ky gërshetim i kohëve moderne, është i tejkaluar aty “, thotë Igor Seçin, drejtues i këtij lokali në brendësi të qytetit mitik, themeluar nga Car Pjetri. Në kësi lloj klubesh, janë bërë modë organizimi i festave me shije nostalgjie ish-sovjetike. Para një jave, 28-vjeçari Seçin organizoi konkretisht një “Retro-Party” në barin e tij në stilin e viteve ‘50-të. Ajo besohet se ishte një sukses më vete, thotë ai, duke iu referuar edhe mendimeve të vjela nga pjesëmarrësit në atë festë. “Një sukses i paparë e kënaqësi e madhe“, pohon ai. “Patëm rreth 600 të ftuar, e gjysma e tyre erdhi e veshur në stilin e viteve ’50 – në fustane dhe kostume të çelura, me këmisha plot ngjyra, këpucë lustrafine dhe me frizurën e asaj kohe“, rrëfen Igor Seçin. Ai që i dha tonin festës ishte filmi muzikor i shfaqur muajin e shkuar i regjizorit Valerij Todorovskij, nën titullin “Stiljagi“, (apo në shqip pak a shumë: “Ata që duan të bien në sy me stil“ shën. i përkthyesit).
Filmi i shumëdiskutuar ndër të rinjtë - mbi jetën, muzikën dhe dashurinë në një shtet totalitar - bën fjalë për Lëvizjen Rinore jokonformiste në ish-Bashkimin Sovjetik të fillimviteve ‘50. Nga një protestë e brendshme kundër përditshmërisë sovjetike të ashtuquajturit “Stiljagi” sovjetikë asokohe u orientuan drejt muzikës Rock'n'Roll  të stilit perëndimor dhe sigurisht, edhe ndaj trendeve të tjera që e shoqëronin atë në modë, shije e vlera artistike intelektuale. Ata visheshin plot ngjyra dhe i mbanin frizurat e flokëve si ato të Elvis Presley-t dhe blinin në treg të zi disqe të ndaluara me hite perëndimore. Gjithsesi, nuk ishte muzikali i Todorovskit i stilit “Broadway”, që bëri të rilindte imitimi i viteve ‘50, thotë Lev Lurje, ekspert i artit dhe historisë dokumentare në TV e qytetit të Shën Petërburgut. Ky film është një tribut ndaj kësaj vale nostalgjie që Rusia po e përjeton prej shumë kohësh, dhe jo shkaktari i saj, beson ai.
Në fakt, Rusia po përjeton momentalisht një valë të fortë nostalgjie. Kafenè dhe restorante në stilin e epokës sovjetike, janë shumë të frekuentuara.  Në modë, shumë janë tashmë filmat e vjetër sovjetikë, ndërkohë që në filmat “e rinj” idealizohet epoka e Stalinit dhe e Brezhnjevit. Yjet e moçëm të skenës së Pop-it sovjetik si; Alla Pugaçova, Sofia Rotaru, Valerij Leontijev dhe Lev Leshçenko - si në TV, ashtu dhe në radio, janë bërë të përditshëm. Televizioni sjell programe argëtuese dhe lajme sipas shembujve që vijnë nga kuzhinat e kohës së Brezhnjevit. Ndër transmetuesit radiofonikë më të dëgjuar në Rusi tashmë renditen “Radio Nostalgjia” dhe “Radio Retro.fm”. Hite të vjetra të viteve ‘50 deri në ato të viteve ‘ 80, po njohin rilindje aty - me sukses, si tek brezat e rinj, ashtu  dhe tek të vjetrit. Të krijohet përshtypja se në Rusi nuk ka njeri që të mos ketë një nostalgji të vërtetë ndaj asaj kohe me ritme sovjetike. Njerëzit që i përkasin gjeneratës së vjetër kujtojnë me mall kohët e rinisë. Komunizmi me paranojën e vet ideologjike, mungesat e përjetshme në mallra e ushqime, radhët e gjata, racionet dhe ditët gri, të ngulitura thellë në memorien e një kombi të tërë. “Shumë nga bashkëmoshatarët e mi ulen sëbashku me fëmijët dhe nipërit e tyre si të mahnitur para një magjie, kur shohin shfaqje në pista akulli dhe koncerte Pop-i me yjet e rinj të muzikës ruse që imitojnë hite të kohës së Brezhnjevit”, ankohet 74-vjeçarja nga Shën Petërsburgu, Nina Karneli. Kolegu i saj, Samuil Lurje, pohon: “Rusia është me shumë gjasa, i vetmi vend, ku yjet e Pop-it dhe TV-së,  imitojnë forma të shëmtuara nga vitet ‘70”. Samuil Lurje është i mendimit se e gjitha kjo vjen ngase ish- Bashkimi  Sovjetik dhe pushteti i KGB-së, nuk do pushojnë kurrë realisht së ekzistuari. “Pushteti sovjetik dhe regjimi ynë i sotshëm janë në fakt, e njejta dukuri. Asokohe , ashtusikurse dhe sot, ata duan të kultivojnë vetëm një lloj njeriu – që tenton të arrijë nivelin mediokër, absolutisht të patalentuar e të paaftë të rezistojë e kundërshtojë regjimin. Dhe kur qeveria jonë arrin të kalojë mbi brezat, atëherë kjo çon pashmangshmërisht në një rrënim kulturor, moral dhe madje edhe psikologjik”. Në Rusinë e re, deri më sot ka qenë gjerësisht e panjohur, që jo vetëm nën Stalinin, por edhe në kohën e Brezhnjevit, ka pasur shumë represion, thotë Nina Karneli. Shumëkush beson se të gjithë ata që kanë qenë në burg politik, e kanë merituar atë dënim. Edhe mbi mungesat e vazhdueshme në mallra e ushqime në qytetet e mëdha sidomos, ashkush nuk do të dijë më e bëjnë sikur nuk e kujtojnë. Që më parë, për shembull, ka pasur rregullisht trena plot me njerëz që vinin nga fshatrat drejt Moskës apo Leningradit, për të marrë atje pak sallam, çokollatë, kafe e artikuj të tjerë që mungonin në mënyrë kronike, për të gjitha këto askush nuk kujtohet më dhe rrëfejnë tërë nostalgji vetëm për parqet, shëtitjet dhe shfaqjet e cirkut. Në fillimet e Perestrojkës së Gorbaçovit, faji për shuëmçka - në fakt - për mungesat në ekonomi, iu vu elementëve me prirje demokratike çuditërisht, paçka se po pranohej në heshtje se sistemi ishte i dështuar, kujton Nina Karneli. Gjatë Perestrojkës,  njerëzit  nuk arrinin të kuptonin se çfarë po ndodhte dhe pse të gjitha këto “lëvizje shpëtimtare” ishin të nevojshme, thotë ajo. “Shteti i ri” i Vladimir Putinit duhej të gjente sërish një pikë referimi tek “stabiliteti” që rrezatonte “epoka Brezhnjev”. Si çmim për këtë “rend të ri”, u lejuan disa liri civile, të cilat shpesh shkelen me këmbë pa e çarë shumë kokën. Por fenomenin që brezi i ri (nga mosha 16-25-vjeçare), të cilët s’e përjetuan komunizmin, e që kanë rënë lehtësisht prè e nostalgjisë sovjetike, Igor Seçin ndërkohë e shpjegon kështu: “Ata kanë dëgjuar shumë gjëra të mira nga prindërit dhe gjyshërit e tyre mbi ish-Bashkimin Sovjetik, kështu është normale që ata të tentojnë ta provojnë në një version të ri modelin e jetës sovjetike”. Përveç kësaj, rinia ruse nuk gjen kurrfarë orientimi, shton Seçin. Shumë prej të rinjve u mungojnë mundësitë dhe paratë për një shpërfaqje kreativiteti gjatë kohës së lirë. Ata e dinë se në ish-Bashkimin Sovjetik , talenti i tyre mund të merrte hov në drejtime të ndryshme, pa pasur nevojë për para . Për fenomenin e nostalgjisë, Seçin megjithatë ka edhe një shpjegim tjetër: “Ne po përjetojmë aktualisht një krizë të ideve. Për këtë arsye tentohen sërish modelet e së shkuarës, pasi nuk gjenden të reja”. Shkrimtari Samuil Lurje është i mendimit se shoqëria ruse nuk ka jetuar kurrë të sotmen, pasi e sotmja për ta ka qenë gjithmonë e tmerrshme. Për këtë arsye, ajo është vërtitur me besimin se mund të ngushëllohet me një të ardhme më të mirë. Fatkeqësisht, kjo ndjenjë mbi të ardhmen është plotësisht e gabuar, mendon shkrimtari. Kjo është, me shumë gjasa, edhe arsyeja se pse ndërkohë edhe botimi i tretë në radhë i Lëvizjes së Protestës  me emrin “Stiljagi” (brezi i dytë i tyre lindi gjatë Perestrojkës) nuk gjen asnjë përkrahje, nuk sjell asnjë lëvizje proteste në fakt. Ata janë më shumë imazhet esë shkuarës, të cilët ndikojnë për të bërë të mundur të kundërtën; të kujtojnë të shkuarën dhe bëjnë thirrje për imitimin e saj.
Përgatiti Armand Plaka. Marrë nga Agjencia “N-Ost” (Gjermani)

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›