Edvini po mbush sallat e zijafeteve të Kreshnik Spahiut
6 autobusë, votues të federuar të aktiviteteve politike të Aleancës së Kreshnikut - Ortakëria politike e të dyve tashmë është kuptuar edhe nga Erion Braçe, i cili publikisht deklaroi se kjo do të hiqte vota nga PS-ja
Kreshnik Spahiu, kryetari në pritje i partisë në ardhje Aleanca Kuq e Zi (AKZ), konfirmoi dy ditë më parë nga Durrësi se është asgjë më shumë se “zorra e trashë” e PS-së. Për ti bërë qejfin Edi Ramës, për më tepër për të mos “i rënë në qafë” në mënyrë “të pamerituar”, pse ai nuk lejon “hapjen e partisë”, mund ta quajmë “zorrën e trashë” AKZ edhe “fraksion” të PS-së.
Këtë etiketim “zorra e trashë” e PS-së (le ta quajmë edhe “fraksion”), Kreshnik Spahiu e ka merituar që para dy ditëve, kur nga Durrësi, jo thjesht dhe vetëm pse fjalimi i tij fund e krye ishte i mbushur me fraza antiqeveritare dhe antiberishiste, por sepse “të eksituarit” e thirrur për të mbushur sallën e tubimit të AKZ-së, ishin votues të federuar prej PS-së, për aktivitetet politike të “zorrës së trashë” të PS-së (le ta quajmë edhe “fraksion”) të Kreshnikut.
Gjashtë autobusët që shoqërojnë kreshnik Spahiun, të mbushur me votues të federuar të aktiviteteve politike të AKZ-së së tij, kanë zemëruar edhe Erion Braçen. Edhe këtë herë Erion Braçe, duke marrë shkas edhe nga mbushja në Tiranë e sallës së “zorrës së trashë” të PS-së (le ta quajmë edhe “fraksion”) të Kreshnik Spahiut, ishte një arsye më shumë, që për inatet e vjetra që ai ka me Erion Veliajn si “investitorin” kryesor të kontraktimit dhe ndjekjes së mbarëvajtjes së gjashtë autobusëve me votues të federuar të aktiviteteve politike të AKZ-së, të shprehë edhe një të vërtetë të madhe... atë të “thithjeve” të votave të elektoratit të majtë prej AKZ-së.
Alarmi për rrezikun që e kërcënon PS-në nga trafikimi i votave te AKZ-ja, i denoncuar së fundmi edhe nga Erion Braçe si ortakëri politike e Edi Ramës e Kreshnik Spahiut, besohet të jetë aq e vërtetë sa ka detyruar Erion Braçen të lëshojë “përbetimin” sipas të cilit, “nëse (Kreshnik Spahiu) ky do jetë në qeverinë e socialistëve, atëherë unë do të jem në opozitë!”.
Por, ky “përbetim” i Erion Braçes është “sa për të thënë”. Sepse Erion Braçe do të vazhdojë të jetë në opozitë..., por jo pse Kreshnik Spahiu mund të hyjë në qeverisjen e socialistëve, por sepse kryetari në pritje i partisë në ardhje AKZ, është një papagall i paaftë që përsërit fjalimet e Erion Veliajt. Dhe sipas ligjit të kalimit në matematikë, meqenëse fjalimet e Erion Veliajt (bashkë me disa vota që i hoqi PS-së në vitin 2009), i rezervoi Edi Ramës dhe Erion Braçes një “vend nderi” në opozitë, atëherë edhe Kreshnik Spahiu do ti konfirmojë të njëjtin “vend nderi” Edi Ramës, duke i nxjerrë frikën dhe merakun edhe Erion Braçes, se mund të jetë ai “i vetmi trim në luftë”...
Fakti-Shkarkimi i Kreshnik Spahiut, raporti dorëzohet sot në Kuvend/Komisioni Hetimor për shkarkimin e Kreshnik Spahiut nga detyra e nënkryetarit të KLD-së, në mbledhjen e fundit, të zhvilluar javën e kaluar, deklaroi mbylljen e hetimeve. Teksa raporti përfundimtar është përpiluar, sot në mesditë komisioni do të mblidhet për të miratuar raportin e veprimtarisë hetimore, për t’i hapur rrugë shkarkimit të Spahiut, në seancën plenare të së enjtes. Komisioni anti-Spahiu nisi hetimet për shkelje të Kushtetutës nga ana e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu i cili është vënë në krye të një lëvizje politike, duke u pozicionuar kështu në shkeljen e ligjeve dhe Kushtetutës. Pjesë e hetimeve ishin lëvizjet e mjeteve monetare në valutë, në lekë, të lëvizjeve financiare në thesarin e shtetit, dokumentet që kanë të bëjnë me tenderët, prokurimet, në lidhje me karburantin, me blerjen e pajisjeve të telekomunikacionit, riparim automjeteve.