E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini prapë u kthehet bubullimave në zonën e Aldo Bares

Në vitin 1913, pas nja 4 atentateve të pasuksesshme që lebërit i bënë në Vlorë, Esat Pasha tha batutën e famshme: “Mos m’i lini lab’t me iu avit Lushnjes, se m’prishin Kavajën”.
Por nipi i Spirokolekë labit të Vunoit (origjinën labe të të cilit, ndërmjet edhe të tjerësh himariotë, e ka kënduar para 4 vjetësh vetë krahu i djathtë i nip-labit Edvin, labi Gramoz Ruçi), jo vetëm që iu avit Kavajës me enciklika, por gati sa s’këndoi këngën “Bubullin tek shkomi i Kavajës...”, kur gjëmoi me enciklika trangujsh e kungujsh në Bubullimë të Ushnjes.
Edhe atje, ashtu sikurse me veteranët komunistë të Përmetit (të cilëve në kujtim të trimërive të 24 Majit u shkoi në takim me qillotat e Enverit, që Nexhmija ia dha si kujtim të Kumandarit, në gjurmë të të cilit ai po ecën jo vetëm gjeografikisht), Edvini mblodhi do veteranë, nga ata që morën pjesë në pushkatimet që Mehmeti e Fiqireti u bënë 70 ballistëve të gjorë në fshatin Matjan, në vitin 1943.
Dhe Edvini i mallëngjeu sërish veteranët e partisë së tij, të cilëve u dërgoi edhe do veteranë pezakë të Babë Lymit, lidhja midis të cilëve u çelnikos qysh në kohën kur vidhnin sëbashku bagëtitë e bejlerëve lushnjarë, nën drejtimin e Kajan Karafilit dhe Shyqyri Pezës. Thonë se Edvini u foli bujqve dhe blegtorëve të Bubullimës edhe për përdorimin e kuajve hergjele të Karavastasë për punimin e tokës, që ua shpërndau Kumandari në vitin 1946, krahas shokut Rrapi (Artan) Gjermeni, të cilin e bëri edhe kryetar të kooperativës së parë bujqësore në Krutje.
Dhe kish të drejtë Edvini kur vendosi të shfrytëzojë ditët e punës së kalit për të punuar tokat e Bubullimës, ngaqë ministria e Bujqësisë u ra hasha për naftën pa akcizë dhe nuk ua dha...
Por kur fshatarët i thanë se tufa e kuajve hergjele ka marrë fund me kohë, ngaqë i kanë vrarë banda e Aldo Bares dhe e Tan Gjermenit, dhe se më pas i kanë shitur tek tregtarët e mishit për të prodhuar sallam, Edvini i ngushëlloi ata dhe i porositi që të mbjellin rasat peshku në lagunë deri kur ai, në kërkim të 600 veprave ujitëse të Enverit, të hapte me firmat socialiste kanalet e famshme të Hoxharës dhe atë “Peqin-Kavajë”, që me anë të rrjetit kullues do të ndihmonte edhe në sjelljen e ujit për vaditjen e tokave të komunës “Bubullimë”. Më pas Edvini e thelloi enciklikën me porositë për mbjelljen e sa më shumë kungujve dhe trangujve, si dhe të përgatitjes për mbjelljen e bostanit, këtyre kultivarëve të shquar dhe plot vlera ushqyese. “Aldo Baren do t’ua sjell përsëri, sepse më ka thënë zyshë Arta se e keni xhan”, gati sa s’u tha Edvini bujqve dhe blegtorëve të Bubullimës. “Ashtu de! Hë më ju lumtë”, - u tha Edvini me gëzim fshatarëve të moçëm veteranë, që qeshnin nën takije, teksa ndërmendnin adetet e Kumandarit legjendar dhe Babë Lymit, pas të cilit thonë se është marrosur i biri (politik), truproja manaxher, që i vete pas... Edvinit!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›