Kuvajti dhe Shqipëria hartojnë një program të ngjeshur projektesh ekonomike
Kryeministri i shtetit të Kuvajtit, Sheik Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, bëri dje homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë. Kryeministri kuvajtian vendosi një kurorë me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”. Al Sabah nisi dje një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u takua me Kryeministrin Sali Berisha. Gjatë takimit të të dy kryeministrave u vlerësuan si shumë miqësore marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërkohë që theksi u vu në thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Në ditën e parë të vizitës në Shqipëri të Kryeministrit kuvajtian, mes dy vendeve u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme.
Al Sabah-Topi: Marrëdhëniet pozitive mes Kuvajtit dhe Shqipërisë, mundësi për të rritur bashkëpunimin/Presidenti i Republikës Bamir Topi priti dje në një takim Kryeministrin e Kuvajtit, Sheikun Naser Mohamed Al Ahmad Al Sabah dhe delegacionin që e shoqëron, gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Gjatë takimit, Kreu i Shtetit vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të hershme mes dy vendeve tona. Ai shprehu se shkëmbimet e vizitave të niveleve të larta politike jo vetëm i forcojnë këto marrëdhënie edhe më tej, por ofrojnë mundësi të reja edhe për rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si në ekonomi, energjitikë, turizëm, etj. Presidenti Topi paraqiti reformat e ndërmarra nga vendi ynë për fuqizimin e shtetit të së drejtës, thellimin e reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore, si edhe për përmbushjen e standardeve që do të mundësojnë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Europian. Nga ana e tij, Kryeministri kuvajtian theksoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa theksoi gatishmërinë e shtetit të tij për të rritur bashkëpunimin në të gjitha fushat. Al Sabah i përcolli Presidentit Topi përshëndetjet e përzemërta të Madhërisë së Tij, Emirit të Kuvajtit, Sheikut Xhaber Al Ahmad Al Sabah, së bashku me ftesën për të vizituar Kuvajtin, ftesë që u mirëprit me kënaqësi prej tij. Duke folur për statusin e ardhshëm të Kosovës si çështja më aktuale e rajonit, Presidenti Topi rikonfirmoi qëndrimin e pandryshuar të Shqipërisë në mbështetje të Planit Ahtisari, por edhe besimin në pavarësimin e shpejtë të Kosovës si zgjidhja më e drejtë që do të sigurojë stabilitetin dhe të ardhmen europiane të të gjitha vendeve të Ballkanit. Duke shprehur mbështetjen për pavarësinë e Kosovës, Kryeministri Al Sabah, u shpreh optimist për të ardhmen e saj. Në këtë takim ishin të pranishëm gjithashtu ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha dhe ai i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli.
Al Sabah-Rama: Hartim projektesh të përbashkëta ndërmjet qeverisë së Kuvajtit dhe Bashkisë së Tiranës/Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, priti dje, në një takim Kryeministrin e Kuvajtit, Sheik Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, në ditën e parë të vizitës së tij në Shqipëri. Gjatë këtij takimi, i zhvilluar në ambientet e Bashkisë, u diskutuan një sërë çështjesh të rëndësishme si hartimi i disa projekteve të bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe Qeverisë së Kuvajtit, kryesisht për banesat sociale (komunitetet në nevojë, të pastrehët), qendrat sociale ditore për të moshuarit, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe fëmijët e braktisur. Biseda u përqëndrua gjithashtu mbi miqësinë e bashkëpunimin mes dy vendeve, si dhe në çështjen e Kosovës. Me këtë rast, Rama falenderoi Kryeministrin për mbështetjen që qeveria e Kuvajtit i dha pavarësisë së Kosovës. Kryebashkiaku Rama ritheksoi edhe një herë se Kosova shumë shpejt do të bëhet e pavarur edhe “de jure”, pasi “de facto” është aktualisht. Më tej, biseda u fokusua mbi historikun e Tiranës së vjetër dhe problemet e kryeqytetit gjatë viteve ’90, si dhe mbi sfidat e rëndësishme, me të cilat është përballuar Bashkia, gjatë misionit të saj për rehabilitimin, zhvillimin dhe rikthimin e Tiranës në një qytet të standardeve evropiane. Në shenjë simbolike, Kryetari i Bashkisë së Tiranës i dhuroi Kryeministrit të Kuvajtit, Sheik Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, Çelësin e Tiranës. Nga ana e tij, Kryeministri kuvajtian ftoi Kryebashkiakun Rama për një vizitë zyrtare në Kuvajt. Al Sabah la një shënim në Librin e Përshtypjeve të Bashkisë së Tiranës, ku shkruan; “Dëshiroj të falenderoj të gjithë punonjësit e kësaj ndërtese që është një monument i vyer kulturor, e cila tregon civilizimin e Shqipërisë në kohët e kaluara. Gjithashtu, dua të falenderoj të gjithë stafin e Bashkisë së Tiranës për mikpritjen që treguan. Një falenderim të veçantë për Çelësin e Qytetit dhe veshjen tradicionale, e cila do të më kujtojë gjithmonë Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Unë jam i bindur se marrëdhëniet mes popujve tanë do të forcohen edhe më tej në të ardhmen”. Gjatë një prononcimi të përbashkët për mediat, pas takimit të zhvilluar, Kryeministri i Kuvajtit u shpreh se “së shpejti, do të kemi një vizitë zyrtare të Kryetarit të Bashkisë dhe administratës së tij në Kuvajt për të nënshkruar një marrëveshje binjakëzimi mes dy qyteteve”. Nga ana e tij, kryebashkiaku Rama, duke iu referuar takimit, tha se “patëm mundësi të bisedojmë dhe të dëgjojmë njëri-tjetrin mbi shanset e mëdha të bashkëpunimit që kjo miqësi e natyrshme sjell dhe me shumë kënaqësi unë prita ftesën e Lartësisë së Tij për të vizituar Kuvajtin, së bashku me ekipin tim në Bashkinë e Tiranës”. Ai shprehu bindjen se “kjo vizitë do jetë një vizitë jo thjesht formale, por një vizitë që do të sjellë një hap të mëtejshëm dhe të rëndësishëm në rrugën e forcimit të urës së miqësisë midis dy vendeve”.