E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE bie dakord për misionin në Kosovë

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord në parim për dërgimin e një misioni policor dhe sigurimi në Kosovë pas takimit njëditor në Bruksel, i cili u përqendrua në përpjekjet për të njëjtësuar qëndrimin e vendeve anëtare të BE në mbështetje të një Kosove të pavarur në të ardhmen.
Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, thotë se udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë marrë vesh në parim për dërgimin e një misioni civil prej 1800 punonjësish të policisë dhe gjyqësorit në Kosovë kur, siç pritet, ajo të shpallë pavarësinë vitin e ardhshëm.
Duke folur në samitin e Bashkimit Evropian në Bruksel, zoti Sarkozy tha se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme.
Shumë udhëheqës evropianë kanë nënvizuar nevojën për t'i parashtruar Serbisë mundësinë për lidhje më të ngushta me organizatën dhe anëtarësim të shpejtë në BE në shkëmbin të zbutjes së qëndrimit të Beogradit. Por, në komentet e fundit nga Beogradi, autoritetet serbe e bëjnë të qartë se një kompromis i tillë është i papranueshëm.
Kosova ishte ndër temat kryesore në takimin e udhëheqësve të Bashkimit Evropian në Bruksel. Me gjithë hedhjen e një hapi të rëndësishëm përpara në njëjtësimin e qëndrimit evropian ndaj Kosovës, Evropa ende nuk ka arritur unanimitet. Presidenti i Parlamentit Evropian, Hans-Gert Potering, theksoi se ka ardhur koha që Evropa të jetë e bashkuar në mbështetje të pavarësisë së Kosovës:
“Këshilla ime do të ishte që vendet anëtare të Bashkimit Evropian të jenë të bashkuara në mbështetje të vetëvendosjes për Kosovën. Por, gjithashtu, këshilloj të gjitha palët të tregohen të prera në ndjekjen e parimeve, por elastike në procedura dhe nuk duhet të harrojmë se në Serbi do të ketë zgjedhje në janar dhe ky është një tjetër fakt që duhet marrë parasysh”, - tha zoti Potering.
Brenda BE, Qipro mbetet kundërshtari më i fortë i pavarësisë së Kosovës dhe dërgimit të misionit policor dhe të sigurimit prej 1 mijë e 800 trupash. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, mbështet gjetjen e një zgjidhjeje pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Serbi:
“Ne jemi shumë të kënaqur dhe mbështesim vendimin e presidentit të Serbisë, Tadiç, për zhvillimin e zgjedhjeve dhe, siç e dini, ne besojmë se duhen mbyllur tani edhe fazat e fundit të çështjes së Kosovës”, - tha zoti Solana.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 20 janar, por partia e kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica, kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve, derisa të zgjidhet çështja e Kosovës.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, përsëriti sot në Moskë qëndrimin e Rusisë që zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të bëhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe duhet të gëzojë edhe mbështetjen e serbëve.
“Ne po na kërkohet të mos përfillim ligjin ndërkombëtar, rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe deklaratat e OSBE, por, nga ana tjetër, duhet të mos marrim në konsideratë as faktin që në Kosovë jetojnë jo vetëm shqiptarë, por edhe serbë”, - tha shefi i diplomacisë ruse.
Udhëheqësit evropianë kanë nënvizuar nevojën për t’i parashtruar një ofertë Serbisë në mënyrë që të pranojë pavarësinë e Kosovës. Por, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, tha në Beograd se anëtarësimi i Serbisë në BE nuk është kompensim për shkëputjen e Kosovës: “Qeveria aktuale serbe nuk mendon se çështja e Kosovës dhe çështja e së ardhmes evropiane të Serbisë nuk janë të kompensueshme. Me fjalë të tjera, shkëmbimi i territorit serb për anëtarësim në BE është jashtë diskutimit”, - tha zoti Jeremiç.
Rezerva për pavarësinë e Kosovës mësohet të ketë shprehur edhe kryeministri rumum, Kelin Popescu Teriçeanu.
Ndërkaq, ministri gjerman i Mbrojtjes, Franc Jozef Jung, tha se shpresonte që të dyja palët të heqin dorë nga dhuna.
Çështja e Kosovës ishte tema mbizotëruese e takimit të udhëheqësve evropianë, në një kohë që Bashkimi përpiqet të dalë me një politikë të jashtme të bashkërenduar, në mënyrë që të rrisë rolin e tij në arenën ndërkombëtare. Më 19 dhjetor, Këshilli i Sigurimit do të diskutojë raportin e Treshes ndërmjetësuese mbi Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›