E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri, drejtoresha dhe drejtori

Një dëshmi tronditëse për sistemin shëndetësor në Shqipëri u bë pak ditë më parë nga drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Shëndetit. Drejtoresha, pa tikun më të vogël të përgjegjësisë, tha se sistemi shëndetësor në vend merr nga shteti në një vit rreth 2-3% të GDP. “Në të vërtetë, - tha drejtoresha, - në shëndetësi futen 6-7% të GDP së vendit në një vit”, duke nënkuptuar se pjesa tjetër vjen prej parave që japin qytetarët. Kjo do të thotë se në shëndetësinë shqiptare qytetarët paguajnë në mënyrë të paligjshme një vlerë parash që është të paktën sa 3% e GDP së këtij vendi. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve tha kësisoj se mjekët dhe punonjësit e sistemit shëndetësor marrin në një vit të paktën 300 milionë dollarë. Këtë gjë e tha drejtoresha Elvana Hana, e cila është një nyje e rëndësishme e sistemit shëndetësor dhe është përgjegjëse e drejtpërdrejtë për shëndetin parësor, domethënë, për mjekët e familjes, të ambulancave, për kontrollin e ilaçeve, për rimbursimet e për shumëçka tjetër. Ministri i Shëndetësisë në Shqipëri kësaj shifre të lemerishme ryshfeti prej 300 milionë dollarësh u përpoq t`i gjejë justifikime, duke thënë se qytetarët vetë japin pará dhe se mjekët i marrin ato, pa i kërkuar dhe pa u ndikuar në punën e tyre. Ligjërisht, ryshfeti është një vepër penale e dënueshme dhe kësaj vepre të turpshme, kësaj skute të errët të personalitetit njerëzor, njerëzit më të rëndësishëm të vendit përpiqen t’i gjejnë ligjshmëri, rreken të zbukurojnë një krim. Këtyre përpjekjeve iu shkoi deri në fund me anë të një shkrimi masakër, lebetitës në një përditshme të Tiranës drejtori i spitalit të Elbasanit, i cili thoshte se qytetarët shqiptarë e kuptuan që në vitin 1991 se mjekët nuk mund të paguhen aq pak dhe pranuan me qytetari t’iu japin atyre bakshish. Drejtori spektakolar i këtij spitali thoshte se kjo është njësoj e ngjashme si në restorantet në Amerikë, ku klientit së bashku me faturën i vjen edhe një shtesë në të, ku është bakshishi për kamerierin. Kjo thoshte drejtori është një gjë e detyruar dhe është pranuar nga të gjithë, pasi pronarët nuk i paguajnë kamerierët dhe asnjë klient nuk mund të ikë pa paguar një bakshish prej 15% të vlerës së faturës. Bjerrja kishte rrëzuar çdo kufi në këtë gjykim skandaloz të këtij drejtori, i cili po ashtu si Elvana Hana dhe po ashtu si ministri Ndoka zbukuronte këtë shëmti njerëzore, ryshfetin, dhe ku, në shëndetësi, në të vetmin lëmë ku njeriu kurrë nuk është gjykuar si ujk për tjetrin që prej Greqisë së vjetër. Restorantet amerikane nuk janë spitale publike që mbahen me taksa prej qytetarëve dhe njerëzit aty nuk shkojnë, se duan të mjekohen apo të mpakin dhimbjet e vdekjes. Ajo që ngjet në shëndetësi në këtë vend është padiskutim një nga fyerjet më të mëdha që i bëhet antropologjisë apo shkencave të tjera sociale që e mendojnë njeriun shumëçka, por veç të tillë si në sistemin tonë shëndetësor jo. Çdo qytetar në këtë vend e ka provuar këtë. Me siguri shkencat sociale nuk mund të gjejnë përkufizim për deklaratën e një ryshfeti 300 milionë dollarësh në vit, të cilin e marrin mjekët dhe drejtuesit e shëndetësisë, për shpjegimin dhe ligjërimin që i bën këtij ryshfeti të hatashëm ministri dhe për stilizimin mjeran, të shëmtuar që i bën këtij ryshfeti drejtori i një spitali rajonal. Reforma në shëndetësi është e pakryeme dhe do të mbesë e tillë, sa kohë ryshfeti do të zbukurohet dhe nuk do të jetë ai që parashohin ligjet në këtë vend. Pavarësisht kësaj gjendjeje për të cilën flasin drejtoresha e ISKSH, ministri dhe drejtori rajonal, duhet thënë se shumë mjekë dhe shumë punonjës të tjerë, shumë pak megjithatë, nuk mendojnë kështu, assesi. Njëri syresh ishte i pranishëm edhe në tryezën ku ministri dhe drejtoresha bënë këtë apologji të shëmtuar. Drejtori i maternitetit të Tiranës, një mjek i fisëm, tha se sëmundja e shëndetësisë është mungesa e humanizmit. Kjo që tha ai është e gjitha, është e vërteta. Këtë në radhë të parë duhet ta dëgjonin drejtoresha e ISKSH, ministri, drejtori i spitalit të Elbasanit dhe të tjerët si ata, shumicë në sistemin shëndetësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›