E Shtunë, 31 Tetor 2026

Absurditeti i shpalljes së absurdit

Para se ta fusim lexuesin shëndetlig në dhomën ku ekzekutohet dashuria e parë dhe thuret alibia Pa Mua, i kemi rezervuar një pritje në paradhomë me Emil Cioran-in, mendues që endet bohem, përkrah vetëvrasjes në periferi të letërsisë, filozofisë dhe marrëzisë.
Me mbresat në takime me Beckett-in, ai do t’i gatisë lexuesit vaksinën ndaj pesimizmit, përftuar nga filozofia e vet praktike, sipas së cilës “jeta është interesante dhe tërheqëse për shkak se s’ka pikë kuptimi”. Kësisoj, mund ta jetosh shumë mirë atë paralel me idenë e dobishme të vetmohimit përsaqë, duke e zotëruar kaq lirisht jetën, vrasja e vetes mund të shtyhet për kur të kesh kohë.
Për të fokusuar imazhin e një dashurie prej Beckett-i, do ta drejtonim objektivin mbi elementin parafabrikat të pranishëm kudo në inskenimin e veprave të tij, murin.
Ballë tij le të përfytyrojmë një trup të tkurrur në pikëpyetje dhe vetë kryet e Samuel Beckett.
Përhumbur drejt një pike të murit, rreket që të rrokë horizontin. Aleph…
Borges-i do të rrëfente më vonë se, ngrirë mes mureve të territ, pat zbuluar pikën aleph, në të cilën përmblidhet horizonti ku ai shquan edhe dashurinë e tij. Ndërsa Beckett-i përkundër, tenton një pikë që të hapet drejt horizontit. Absurdi i tij e gjen pikërisht në dekadencën e dashurisë pikë-mbështetjen. Aty penetron levën për të zhvendosur mendimin drejt vizionit të gjithçkasë.
Edhe Borges-i, si rrëfimi dantesk, e shndërron dashurinë në udhërrëfyese për një vizion universal.
Beckett-i po aq, por nga rruga e kundërt:
- “Nuk ndihesha mirë pranë saj, vetëm se ashtu mund të mendoja për gjithçka, veç saj”.
Dashuria beketiane mbart kështu motivin ‘jam, pra mendoj’ duke e kthyer me këmbëpërpjetë moton karteziane e cila do t’i shkonte më për shtat aleph-it të Borges-it apo opusit të Dantes, dashurive imagjinare që ‘mendohen, pra janë’. Meqë ne e ftojmë vëmendjen, siç vëren Valery, vetëm në shërbim të ndonjë zbavitjeje, le të sjellim një imazh panoramik. Një arkitekt kritizer që stigmatizonte kullën Eifel, pyetjes bizarre të gazetarit: pse e pini përditë kafenë në kullën që ju duket kaq e shëmtuar? iu përgjegj: “Veçse nga kjo pikë, mund ta shoh qytetin pa shpifanepsjen e saj”.
Nëpërkëmbja që pëson Borges-i për hir të Beatriçes së tij, ashtu si sfilitja e Dantes për Beatriçen e Purgatorit, i përkasin dashurisë së Madhe, të pamundur dhe ireale. Ndërsa kjo Premier amour as nuk poshtëron dhe as poshtërohet. Po aq e pamundur, jeton për së vdekuri midis dy të gjallëve.
Aleph i Beckett-it vjen nga rrokullima (“Në rënie, vetëdija është shumë më e theksuar”, thotë Cioran-i). Ndërkohë që Borges-i mbërrin vetë në dijen se aleph-i i tij ishte një aleph i rremë.
Beckett-i do të kërkojë nëpër yje e kostelacione Arushën e Madhe dhe të Vogël, por nuk i gjen dot, ndonëse aty duhet të ishin, meqë të parën ia pat dëftuar i ati.
Rrëfimi i dashurisë çelet me vdekje… Vizitë pranë varrit të atit për të marrë shënim datëvdekjen. Data e lindjes së paraardhësit të tij adamik, nuk i interesonte. Natyrisht e prej këtej, kjo dashuri aleph – emri i gërmës së parë të alfabetit të gjuhës së shenjtë – zë fill prej fundi.
Lulu quhet dashuria numër një e Beckett-it. Një rrokje që përsëdytet për të nisur vargun e parreshtur të numrave, brenda të cilit ai veç mund ta vendosë (zhvendosë) në rresht, duke i shndërruar emrin.
Ana, riemërtohet dashuria beketiane. Megjithë bezdinë për emrat e përveçëm, formalistit i duhet gërma e parë e alfabetit për fillim e fund, lidhur nga një urë bashkë-tingëllore. Kështu mund ta thërrasë me një rrokje të vetme rreshtin e pafund. Kësisoj, raporti i kësaj dashurie brenda vargut është si te numrat transfinit (aleph quhet simboli i tyre), ku e tëra nuk është më e madhe se çdonjëra nga pjesët.
Dashuri origjinale dhe origjinare. E vogël dhe e madhe. Njëshi dhe “rrënja katrore e njëshit”.
Nuk është e vërtetë! Nuk është njësoj!… Pikërisht. Por, në absurd, një soj apo dy soj është pak a shumë njëlloj, ashtu si pak apo shumë bëhet pakashumë.
E vërteta, kujton Cioran-i, nuk gjendet nëpër libra, por veçse në ndjesi. Kështusoj, dashuria e parë mund të tingëllojë si një parodi estrade ose si një simfoni me kadenca biblike (Të qeshurat zëulët dhe rënkimet ngjajnë aq shumë me njëra-tjetrën). Për organo ose orkestër. Apo të dyja bashkë? Ndoshta të gjitha së bashku. Si të dojë. Se dashuria, e parë apo e fundit, e madhe a e vogël, është gjithsesi më e madhe se ne. Ndodh aq sipër nesh, sa mund të thuhet:

Jo Unë, Pa Mua.
Si alibia e gjuhës, syrit a gjeniut vetë, ngritur në dramën pa dramë Not I.
Shkulm fjalësh që rrjedh në eter, nga një gojë mbi tokë, zhytur në terr.

Në pafuqi për të hapur një imazh të denjë për lebetinë Pa Mua, po i falemi sërish pamjes mbinjerëzore të kokës Samuel Beckett.
Gjithë brazda cerebrale, e hirtë ngjyrë truri, duket sikur në të lëkura është cipë korteksi që pështjell brenda shqisat.
Dy zgafella, ku kokërdhokët përmbysen për të mos iu bindur përthyerjes kokëposhtë të imazhit në retinë. Kësisoj, syri percepton realen duke fotografuar drejt në këmbë iluzionin.
Një zgavër, nga ku fjalët dalin krruspull për t’i ikur shtypjes së gjuhës që zgjatet për t’i heshtur. Kësisoj, goja nuk e rresht dot arratinë e fjalës dhe gjuha bën hatanë. Ekses i tillë duhet të jetë edhe gjuha një pëllëmbë e Ajnshtainit në atë foto të çastit, por ndoshta aspak të rastit, ndërkohë që mendimi i tij – të folurit e brendshëm, zëri, fjala – pat dalë përtej kohës në boshin pa zbrazësi…
Nuk është njësoj! Për më tepër në këtë rast, një soj apo dy soj është pak a shumë njëlloj, ashtu si pak apo shumë bëhet pakashumë.
Muri beketian ulet si një digë në ‘përroin e psiqikës’ duke bërë në një anë kataklizmën e duke shpallur në tjetrën zbrazëtinë (Natyra e urren zbrazësinë, vëren miku i tij Joyce-i) që ai e mbush me fjalë.

Kjo përmbytje rrapëllimë e Dashurisë së parë dhe ky shkulm simbolesh i alibisë Pa mua vjen edhe në shqip pas kimerës së përkthimit. Dhe nuk mjafton me kaq. Përkthyesi Azizi e përmbush atë me një pas-thënie-pas-thirrmë, për ta folur shqip në rrëzë të veshit.
Gjuha, promotor i keqkuptimit, bën luftërat, kthesat dhe historinë, denoncon Joyce. Azizi merr përgjegjësinë të shpallë keqkuptimin e urithëve të psiqikës që gërmojnë mure dhe i bëjnë gropën fjalës, e pastaj, fton për mirëkuptim ndaj keqkuptimit.
Duke e vënë “dashurinë përfund”, meqë atë nuk e shtiem dot në dorë, studiuesi ngreh pajimet e hekurkthyesit për ta shtrënguar në darë. Ndryshe, nuk mund të kthehet parç kjo dashuri e temperuar prej metali të kalitur dhe të paepur (cilësi metalore që, nga shpërdorimi gjuhësor, duket sikur ia kemi marrë borxh heroit për t’ia dhënë hekurit).

Meqë ra fjala (fjala është vërtet heroike, një bie mijëra ngrihen), pse të mos themi me të njëjtën pafajësi që historia është borxh, që ia marrim gjuhës për t’ia dhënë syrit, në mos është gjuha vetë.
Si dashurinë që ia kemi marrë borxh metaforës për t’ia (për)veshur njeriut, në mos qenkesh metafora vetë.
Gjenia e Beckett-it sugjeron që gjuha mund të përçojë tek fuqitë dhe thellësitë lirike të rregullit të parë të brendshëm, fare rastësisht, vetminë, refuzimin e emërtimit adamik.
“Vetmia është një gjë e bukur, citon Poe Zimmerman-in, sido që duhet dikush, për t’ju thënë se vetmia është një gjë e bukur.”

Për lexuesin e vetmuar, rrokja e lëndës që rrjedh nga përroi i psiqikës është një mund i pazakontë.
Për përkthyesin e vetmuar është një zhytje rrokapjekthi kundër rrymës.
Për botuesin e vetmuar, botimi i absurdit është i njëjtë me absurdin e botimit.
Këta i përngjajnë tre vajzave të mbretit Danae, përdaljes së Danaideve mitike të ndëshkuara për të mbushur me ujë fuçinë e pabythë.

Kontekstin si, pse, qysh, kur, ku, në të cilin po botojmë absurdin, do ta quanim shkurt:
kohë xhojsiane në një vend beketian.
E meqë shkurt i del më gjatë, le ta quajmë pa pikë pa presje:
“koha e një kurvërimi të kapitur që kërkon qorrazi perëndinë e vet” në arenën madhështore me kufij të vërtetë të teatrit absurd me titull “Pa titull” regjisor hiç skenarist lesh vu regji e dëng skenarë me skenograf sylesh kur e bën me lule qesh dhe me skenografi tërë mure makthi të squllët ku aktorët kaps por vitalë si vullneti i çdo fanatiku zvarrisin historinë zvarrë kush më i pari drejt vetmurosjes vullnetare me të shkuarën çerekbrenda-gjysmajashtë murosur si gji legjende.
“Hiç... si shumë zgjati kjo frazë”, do të thonte Beckett-i.

Gjithsesi ky teatër beketian, që kufizohet vetëm me vetveten, mbart një të madhe shpresë … mençurinë që pason rënien. Zgjuarsia e zgjuar nesër do të dijë ta çelë skenën me pikëçudinë e Emerson-it:
“Çdo mur është një portë”

SAMUEL BECKETT (Dublin 1906- Paris 1989)

Dashuria e parë dhe tre novelat (Fundi, I Zbuari dhe Qetësuesi), janë një urë drejt trilogjisë së famshme (Molloy, Maloni vdes dhe I Paemërtueshmi). Personazhet monologues do të jenë lajmëtarë të temave dhe gjithë poetikës që bashkë me kryeveprën “Duke pritur Godonë”, përbën palcën e korpusit beketian.
Novela që prezantojmë shenjon kalimin në një periudhë të rëndësishme në veprën e Beckett-it, pasi ajo është konceptuar në zhvendosjen e autorit prej gjuhës angleze në atë frënge si mjet shprehës, kryesisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pas shkrimeve të para, mes të cilave trajtesa filozofike (Dante, Vico, Joyce, 1929) një ese kritike, (Proust, 1931), përmbledhja në vargje (Echo’s bones, 1935) dhe romani i tij i parë (Murphy, 1938), më 1943 nis të shkruajë në gjuhën frënge, duke i përkthyer ai vetë veprat në anglisht.
Pjesa Pa Mua që vijon në këtë botim është shkruar fillimisht anglisht me titullin Not I, përkthyer si përherë nga vetë autori me titullin Pa Moi. Për herë të parë është vënë në skenë nga Forum Theater në Lincoln Center, Nju Jork në vitin 1972.
Beckett-i, mik i Joyce-it, nën supervizionin e të cilit ka përkthyer në frëngjisht fragmente nga veprat Finegan’s Wake dhe Uliksi (Zenit 2003, përkthyer nga Idlir Azizi).
Në veprat e tij të hidhëta dhe surreale, eksponenti më i lartë i teatrit absurd portretizon individë paralitikë, të ngurrur në ankth e ngërç përballë një bote pa sens e të detyruar të struken në shkretinë e mendjes. Vepra e tij vendos në skenë makthin e njeriut ballë absurditetit të ekzistencës. Përmes një rrëfimi që bëhet gjithnjë e më i ngjeshur dhe esencial, dramat shprehin, edhe fizikisht, gozhdimin e personazheve në një kuadër ku nuk është i mundur asnjë evoluim ekzistencial apo psikologjik. S. Beckett është nobelist në vitin 1969

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›