E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disa takime me Beckett-in

Për të marrë me mend se ç’është ky njeri i veçuar, si Beckett-i, i duhet mëshuar idiomës “të ndenjurit veçmas”, devizë gojëkyçur në secilën prej çasteve të saj, mbi atë që ajo hamendëson rreth vetmisë dhe tërheqjes së nëndheshme, rreth thelbit të një qenieje për-tej, që kryen një punë të pamëshirshme e pa fund. Budistët thonë për dikë që priret drejt iluminimit: ai duhet të jetë aq i ashpër sa “miu që bren arkivolin”. Çdo shkrimtar i vërtetë ndjek një rrekje të tillë. Ai është një shkatërrues që i shton ekzistencës.

“Koha që kemi për ta kaluar mbi tokë është aq pak e gjatë sa mund t’ja kushtojmë veç vetes sonë”. Kjo fjali, e propozuar nga një poet, i aplikohet kujtdo që refuzon faktorin e jashtëm, aksidentalen, tjetrin. Beckett-i, ose arti i pashoq i të qenit vetvetja. Dhe brenda kësaj, asnjë krenari e dukshme, asnjë stigmatizim i qenësishëm ndaj ndërgjegjësimit të të qenit unik. Sikur fjala mirësjellje të mos ekzistonte, do të duhej ta kishim shpikur për të. Diçka gati e pabesueshme, thuajse e përbindshme; ai s’flet keq për asnjeri, e lë pas shpine funksionin higjenik të vërejtjes, virtytet e saj shëndetsore, cilësinë e saj të lehtësimit. S’e kam dëgjuar kurrë të nëpërkëmbë miqtë apo armiqtë. Hasim në një formë të superioritetit, për të cilën ia qaj hallin, e për të cilën i duhet të vuajë në mënyrë të pandërgjegjshme. Sikur të të shtynin të marrësh nëpër gojë: çfarë ngatërresash e vështirësish, çfarë ndërlikimesh në perspektivë!

Ai nuk jeton në kohë, por paralel me kohën. Për këtë arsye s’më ka shkuar kurrë ndërmend ta pyes se ç’mendon për këtë apo atë ngjarje. Ai është një nga ata qenie që të bëjnë të konceptosh se njeriu fare mirë mund ta kish tejkaluar përmasën historike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›