E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini sillet si feudal, vendos taksë për të hyrë në Tiranë

Regjimi i ri i taksave që Edvini po aplikon për kamionët dhe automjetet që vijnë nga rrethet për në kryeqytet nuk do të mund të zbatohet më tej. Qeveria ka vendosur kufizimin e të drejtës së pushtetit vendor për të rritur vetëm deri në 10 për qind mbi taksën e biznesit të vogël, me kusht që të mbrojë interesat e biznesit të vogël

Kreu i qeverisë Sali Berisha kundërshtoi fuqishëm dje idenë absurde dhe pa logjikë të kryebashkiakut Edi Rama, për një taksë të veçantë për hyrjen në Tiranë. Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, Kryeministri Berisha bëri të ditur se, qeveria do të vendosë kufizimin e të drejtës së pushtetit vendor për të rritur vetëm deri në 10 për qind mbi taksën e biznesit të vogël, shumën që ata duhet të paguajnë për të gjitha tarifat dhe taksat e tjera së bashku.

Taksa për hyrjen në Tiranë

Sipas shefit të qeverisë, ideja e taksës për hyrjen në Tiranë, është si një regjim i pashpallur vizash dhe njësoj si një ide feudale dhe e pamenduar. “Ideja e taksës për hyrjen në Tiranë është ide më feudale se feudalizmi. Kjo ide është një lloj regjimi vize, i pashpallur. Nuk e di, se ku e ka gjetur kryetari i bashkisë këtë ide, por është e pabesueshme. Në konceptimin e vërtetë, aksionerë në kryeqytetin e vendit janë të gjithë qytetarët shqiptarë. Si qytetari shqiptar që jeton mbrapa Dajtit, ashtu edhe ai që jeton në shpatet e Çajupit apo të Shkëlzenit, të gjithë kanë pikëzat e djersës së tyre në këtë kryeqytet. Është jashtë çdo imagjinate që targat e kamionëve, mikrobusëve, autobusëve të tatohen me 1 mijë lekë për çdo hyrje në kryeqytet. Kjo, absolutisht nuk mund të ndodhë. Kjo ka ndodhur në kohën e principatave. Ne kemi hequr edhe 1 euro-n që kishim vendosur për të hyrë në Shqipëri dhe të vendosësh taksë për të hyrë në kryeqytet është tmerrësisht e pamenduar. Prandaj, e donte kryetari i bashkisë edhe mbikalimin-bunker në Zogun e Zi. Ndaj, nuk do të lejohet të ndërtohet asnjë lloj barriere. Nuk dua t’i ndërhyj në kompetenca, por në Tiranë janë aksionerë jo vetëm 3.4 milion shqiptarë, por është aksioner mbarë kombi shqiptar. Kjo çështje duhet të diskutohet me kryetarin e bashkisë së Tiranës dhe në rast se ka nevojë për fonde mbi bazë projektesh, qeveria rrit fondin. Këtë, ne e bëjmë për çdo qeveri vendore”, u shpreh Kryeministri.

Shefi i ekzekutivit theksoi se partneriteti me qeveritë vendore është një nga zhvillimet më pozitive, të e krijuara në këto 4 vite.

“Një nga zhvillimet më të mëdha e pozitive të këtyre 4 viteve, u shpreh kryeministri, ka qenë ky partneritet që ne vendosëm me qeveritë vendore, meritat e tyre në investime në tërësi. Nuk them se nuk ka pasur defekte, por, nëse janë ndërtuar me mijëra kilometra rrugë rurale, pa pjesëmarrjen e kontributin e qeverisë vendore, sot nuk mund të ecnin aq mirë. Këtë praktikë të re, që kaluam nga çaklli tek asfalti, nga moskomunikimi te partneriteti me qeveritë vendore, e kemi një trashëgimi shumë pozitive”, përfundoi Berisha.

Taksa për biznesin e vogël

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, Kryeministri Berisha theksoi midis të tjerave se biznesi i vogël punëson forcën kryesore të punës, ndaj dhe përkujdesi ndaj tij duhet të jetë një përparësi si e qeverisë qendrore, ashtu edhe e asaj vendore. “Ne nuk jemi një vend i industrive gjigante, por edhe këto vende 70 për qind të forcës së punës e ka të punësuar në biznesin e vogël. Prandaj, përkujdesi ndaj këtij biznesi duhet të jetë përkujdesja e parë e qeverisë qendrore dhe asaj vendore, në mënyrë që mbarëvajtja e tij të mos cenohet, pasi ai është gjeneratori i punësimit në Tiranë, Shkodër, Vlorë e kudo. Edhe sikur të ishim një vend i industrive të mëdha, çka nuk jemi, por që do të bëhemi, ne duhet të tregonim përkujdesje maksimale ndaj biznesit të vogël. Le të quhet taksë apo tarifë, ato janë para që dalin nga kontot. Unë nuk jam që ata të mos kenë të drejta për tarifat dhe të kenë një hapësirë, por qeveria i ka lejuar vetes totalisht vetëm 10 për qind mbi tatim fitimin, totalisht vetëm 10 për qind mbi të ardhurat personale, nga 25 për qind që ka qenë më parë dhe nuk po bën asgjë tjetër, por po u kërkon qeverive vendore të përdorin të njëjtën përqindje mbi taksën e biznesit të vogël, që vilet tërësisht për llogari të arkës së qeveritarëve vendorë”, u shpreh kryeministri Berisha. Shefi i qeverisë, duke e konsideruar spekulimin me këtë çështje të rëndësishme të padobishëm, theksoi se kjo masë e qeverisë synon që mbi biznesin e vogël të mos vendoset një barrë fiskale më e madhe se 1.5 për qind dhe 10 për qind e saj, një kufi ky i njëjtë edhe për qeverinë qendrore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›