Blushi në rolin e Berishës, mund Ramën në debat
Anëtarët e kryesisë së PS kanë nisur prej disa ditësh një trajnim në disa qytete të vendit si Pogradec dhe Durrës, ku organizohen seanca trajnimi për komunikimin. Në seancën e zhvilluar në Durrës dy ditë më parë, në një debat të improvizuar, Ben Blushi është vendosur në rolin e kryeministrit Berisha për të debatuar me kryetarin e PS, Edi Rama. Debati i improvizuar ka përfshirë një sërë çështjesh të politikës aktuale, akuza që i janë bërë Ramës nga mazhoranca. Debati është zhvilluar me agresivitet, sikur të ishte në të vërtetë përballë Ramës, Sali Berisha dhe jo anëtari i kryesisë së kësaj partie, Ben Blushi, i njohur si një prej njerëzve më me peshë në strukturat aktuale drejtuese të PS. Burime nga PS thanë se vetë Rama ka zgjedhur Blushin për të kryer rolin e Berishës në këtë debat të improvizuar dhe ka rezultuar që Blushi ka dominuar të gjithë debatin përballë Ramës, por sigurisht i vendosur në rolin e Sali Berishës. Duke pasur si audiencë anëtarët e tjerë të kryesisë dhe trajnuesit, Blushi nuk ka kursyer aspak agresivitetin ndaj Ramës. Të njëjtin debat Rama ka realizuar edhe me Pandeli Majkon, por ky i fundit është sjellë më butë me kryetarin duke mos kryer me shumë ashpërsi rolin e kundërshtarit. Debat të improvizuar kanë realizuar edhe Gramoz Ruçi përballë Pandeli Majkos, si kundërshtar.
Trajnimet
Trajnimet e zyrtarëve të lartë të PS kryhen nga një organizatë trajnimesh për komunikim politik, ku përfshihen një sërë ekspertësh në fushën e komunikimit. Trajnimet po kryhen në funksion të fushatës elektorale, në interes të paraqitjes sa më mirë të Ramës dhe zyrtarëve të tjerë të PS në debatet publike me kundërshtarët politikë. Pjesë e trajnimeve janë edhe deputetët e PS, ndërsa deri tani janë kryer trajnime me anëtarët e kryesisë dhe sekretariatit, por edhe kryetari i PS, Edi Rama, është përfshirë. Në seancat e trajnimit, anëtarët e kryesisë vendosen përballë njëri-tjetrit, ku një prej tyre luan rolin e kundërshtarit, dhe debatohet për çështje të rëndësishme të politikës së ditës në funksion të fushatës elektorale të 28 qershorit. Me anë të këtyre debateve të improvizuara, evidentohen dobësitë që kanë zyrtarët e lartë të PS në komunikimin politik dhe përballjen me kundërshtarët. Veç kësaj evidentohen edhe elementët, të cilët kanë më shumë kapacitete për të kryer debate publike me kundërshtarët. Me anë të këtyre debateve të improvizuara mund të evidentohet gjithashtu një grup që do marrë përsipër paraqitjen e imazhit të PS në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit. Trajnuesit vijnë nga kompani evropiane dhe të SHBA të specializuar për fushata elektorale.