Credins duhej t’i hiqej licenca si bankë e pasigurt
Guvernatori i Bankës Qendrore, Adrian Fullani, dhe drejtori i Bankës Credins, Artan Santo, duhet të zgjidhin urgjent problemin ligjor që kanë me përdorimin e tyre si pagues fals për blerësit e ARMO-s në nëntor të vitit 2008. Pas publikimit në gazetën “TemA” të dokumentit që provon se Credins ka urdhëruar një pagesë prej 77 milionë eurosh, ajo duhet të ndalohej si veprimtari bankare. Guvernatori Fullani, i cili është përgjegjës për këtë çështje, nuk ka vepruar në kohë dhe mund të ndeshet me ligjin, nëse prokuroria hap padi penale për mashtrim me pasoja dëmesh financiare në ngarkim të klientëve të Bankës Credins.
Sipas rregullores së Bankës Qendrore, nëse një bankë bën një pagesë që tejkalon 10 për qind të kapitalit themelor të saj, ajo duhet të bllokohet dhe t’i hiqet licenca si bankë e dyshimtë dhe e pasigurt. Guvernatori Fullani nuk e ka bërë këtë për shkak të përdorimit të tij politik. Në kohën që debati për pagesën e ARMO-s ishte në kulmin e vet, shumica në pushtet mes të tjerash kaloi kandidaturën e gruas së tij për anëtare të Gjykatës së Lartë.
Banka Credins, e cila ka bërë transaksionin e dyshimtë, nga ana tjetër është zyrtarisht një bankë e lidhur me familjen Berisha. Elvana Hana, mbesë e gruas së kryeministrit, është aksionere familjarisht në këtë bankë, ndërkohë që burri i saj është nëndrejtori i Credins. Ajo ka siguruar prej kësaj banke dhe një kredi prej mbi 2 milionë eurosh për televizionin Mediasat (ish-ATN1), tashmë pronë e saj. Qeveria ka transferuar në këtë bankë gjithë veprimet e saj me buxhetin, përfshi 300 milionë eurot e sistemit shëndetësor, legalizimet, veprime me tatimet e doganat, si dhe rrogat e shumë dikastereve të saj. Por duket se gjithë këto nuk po e minimizojnë rrezikun. Është kjo arsyeja që frikëson guvernatorin Fullani të veprojë ndaj Bankës Credins duke i hequr licencën. Por ky mosveprim i Fullanit mund t’i kushtojë atij duke shkuar jetën në procese gjyqësore, sidomos tani që kriza e bankave është në prag dhe Banka Credins është një nga më të rrezikuarat.
Gazeta “TemA” do të vazhdojë t’i kërkojë publikisht zotit Fullani të shprehet rreth këtij skandali dhe shpresojmë që ai ta bëjë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, me qëllim që të mos dëmtojë kot reputacionin e një banke dhe të mos fusë më shumë në panik klientët e saj, që tashmë janë ndërkohë nën panik.