Brukseli: Shqipëria, i vetmi vend me rritje ekonomike, do nisim heqjen e vizave

Komisioneri për zgjerimin Olli Rehn dhe Eurodeputeti Libour Roucek, raportues për Shqipërinë, kanë vlerësuar reformat e qeverisë “Berisha”, duke përmendur se ajo do të jetë vendi i vetëm me rritje ekonomike në Evropë dhe me marrjen e statusit të kandidatit, automatikisht duhet të përfitojë heqjen e plotë të regjimit të vizave
Parlamentarët Evropianë kanë njohur dhe evidentuar sukseset e Shqipërisë në realizimin e disa reformave të rëndësishme, që lidhen me hartimin e regjistrit civil, prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit e pasaportave biometrike, miratimit të ligjit elektoral, etj. Nga ana tjetër, eurodeputetët, nuk kanë lënë pa shprehur edhe vlerësimet e tyre, për atë që Shqipëria, do të jetë i vetmi vend që do të regjistrojë rritje ekonomike këtë vit.
Këto vlerësime, eurodeputetët i kanë bërë, në takimin mbi zgjerimin drejt Ballkanit. Në këtë takim raportoi edhe Komisioneri Evropian Olli Rehn. Finlandezi 47-vjeçari tregoi se liberalizimi i vizave është çështja më e ndjeshme për qytetarët e rajonit, dhe theksoi se kjo lehtësi ka ekzistuar 30 vite më parë. Duke iu referuar ish-Jugosllavisë ai bëri të ditur se ky regjim i liberalizimit të vizave, duhet të rivendoset në varësi të ecurisë individuale të gjithsecilit vendi, në fushën e sigurisë dokumenteve dhe kufijve.
Ndërsa eurodeputeti çek Libour Roucek, i cili disa ditë më parë vizitoi Shqipërinë, me një delegacion të kryesuar nga Doris Pack, pikërisht në cilësinë e raportuesit për Shqipërinë tërhoqi vëmendjen e Komisionerit Olli Rehn, duke i kërkuar njëherazi atij, të fliste edhe mbi ndryshimin e situatës në këtë vend të rajonit, që kërkon të aplikojë për statusin e vendit kandidat.
Eurodeputeti Libour Roucek
Raportues për Shqipërinë në PE, Eurodeputeti Libour Roucek, ka vlerësuar në takimin për zgjerimin e Ballkanit, progresin e dukshëm të Shqipërisë për sa i përket hartimit të regjistrit civil, kartave të identitetit, pasaportave biometrike, ligjit elektoral, etj, etj. “Do t’iu pyes për një vend që ne nuk flasim shumë, Shqipërinë, Doris e përmendi që ne ishim 10 ditë më parë atje, dhe sa herë që shkojmë shohim progres të dukshëm, si për sa i takon regjistrit civil, kartave të identitetit, pasaportave biometrike, ligjit elektoral madje dhe ekonomia”, filloi deklarimin e tij Eurodeputeti Libour Roucek.
Më pas, ai evidentoi suksesin më të madh të Shqipërisë, vend i cili sipas tij, do të jetë i vetmi që do të shënojë rritje ekonomike për këtë vit. “Shqipëria do të jetë i vetmi vend që këtë vit do të tregojë rritje ekonomike”, u shpreh Eurodeputeti Libour Roucek.
Pas konstatimeve të tij, duke ju rikthyer pyetjes së fillimit për Komisionerin Olli Rehn, Eurodeputeti Libour Roucek, kërkoi të dinte, “se si e shihni këtë vend në prag të zgjedhjeve të përgjithshme dhe çfarë mesazhi i jepni këtij vendi. A duhet të aplikojë Shqipëria për statusin e vendit kandidat apo duhet të presë?”.
Komisioneri Olli Rehn
Nga ana e tij, Komisioneri Evropian për Zgjerimin Olli Rehn, në përgjigje të pyetjes së Eurodeputetit Libour Roucek, njohu ecurinë pozitive të Shqipërisë por përsëriti se zgjedhjet e qershorit do të jenë tregues për pjekurinë demokratike të Shqipërisë. “Atje ka pasur një progres të dukshëm, për momentin zhvillimi ekonomik ka qenë relativisht pozitiv, rritja ekonomike meqenëse po e përmendni ju, po ashtu është më mirë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Vendi ka ruajtur stabilitet dhe në këtë kuadër zgjedhjet parlamentare në fund të qershorit do të përbëjnë një tregues kritik të pjekurisë demokratike të vendit”, u shpreh Rehn. Duke këmbëngulur të rezultatet e mira të pritshme nga Shqipëria, në përmbushjen e detyrimeve të saj, Komisioneri Olli Rehn, sqaroi se, shqyrtimi i kërkesës për statusin e kandidatit, do të varet nga këto rezultate. “Uroj më të mirën për Shqipërinë, por kur të marrim në shqyrtim kërkesën për statusin e kandidatit ne duhet të shohim rezultate të prekshme të zbatimit të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, rezultate të qarta për reformat që lidhen me integrimin, dhe se sa vendi ka qëndrueshmëri politike”, përfundoi Komisioneri Olli Rehn.
...