E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini u kthehet kërcënimeve për bojkot, të zgjedhjeve, sheh tek kartat e identitetit humbjen e tij të sigurtë

Rikthehet paniku i Edvinit për zgjedhjet e bashkë me të edhe përpjekjet për të prodhuar alibi për dështimin e ardhshëm elektoral. Në selinë e PS-së ka dalë kasneci i Edvinit, Damian Gjiknuri, i cili ka përsëritur se PS është e gatshme të rishikojë qendrimin e vet për zgjedhjet (lexo, mospjesëmarrjen në to, ose mosnjohjen e rezultatit). Sebepi është sërish diçka e pavertetueshme dhe krejtësisht e trillueshme: fakti se në disa zyra të Postës Shqiptare në kryeqytet, zyrtaret e shkreta nuk po e interpretokan si duhet vendimin e qeverisë për pajisjen e shtetasve me karta identiteti, vetëm në vlerën e 200 lekëve. “I kërkojmë Ministrisë së Brendshme, që të deklarojë zyrtarisht dhe publikisht se çdo qytetar që nuk ka emrin në listat e MB, duhet të aplikojë duke nënshkruar një deklaratë në postë, si dhe të marrë masa që administrata e postës të mos keqinterpretojë vendimin sipas orekseve të drejtuesve të saj. PS është seriozisht e angazhuar që ky proces të përfundojë një orë e më parë, por nëse situata në terren nuk përmirësohet dukshëm në ditët në vijim, ne jemi të detyruar të rishikojmë qëndrimin tonë politik në lidhje me zgjedhje”, theksoi Gjiknuri. Në shumë agjenci postare shtetasit pa pasaportë, që nuk e kanë emrin në listat e Ministrisë së Brendshme nuk po pajisen me kupon kundrejt tarifës 200 lekë, me pretekstin se duhet të dorëzojnë një vërtetim nga policia se nuk disponojnë një të tillë, vijoi ai spekulimin. Ky fenomen është konstatuar në filialet e postave të njësive 1, 2, 4, 5, 7, 9, 11 në Tiranë. Për ta përmbushur kuadrin e spekulimit dhe për t’i dhënë kuptim edhe vendimit të pritshëm të bojkotit apo mosnjohjes, Damian Gjiknuri përfshin tek “shqetësimet” edhe fatin e pasaportave të vjetra në magazinat e Ministrisë së Brendshme, duke parë tek ky kontigjent, mundësinë e manipulimit të zgjedhjeve, siç ka ndodhur rëndom në bashkinë e Tiranës këto kohë, me çertifikatat false ku Edvini çertifikonte fitoren e vet. “Denoncojmë heshtjen e Ministrisë së Brendshme në lidhje me kërkesat e anëtarëve të opozitës në komisionin Ad Hoc sidomos për fatin e pasaportave të vjetra që ndodhen akoma në magazinat e Ministrisë së Brendshme dhe procedurat që po ndiqen me to”, thotë Gjiknuri. Çdo heshtje në këtë drejtim hedh hije të forta dyshimi në lidhje më shpërndarjen e tyre në mënyrë jo ligjore për efekte votimi”. Edhe më herët, PS i pat artikuluar kërcënimet e veta për procesin zgjedhor, por rikthimi i tyre në këtë fazë finale, ngjan më shumë një artikulim i dëshpëruar si dhe një lexim i qartë se prej 28 qershorit s’mund të dalë rezultat tjetër përveç dështimit ylberist në zgjedhje.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›