E Diel, 1 Nëntor 2026

Institucionet e hetimit të kryejnë punën e tyre lidhur me çështjen “Xhindi”, nuk tolerohen presionet e politikës

Pas skadimit 48-orësh të “ultimatumit” të kryesocialistit për institucionet hetimore, ka ardhur shuplaka diplomatike e Ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë

TIRANE – Në përfundim të skadimit të afatit prej 48 orësh, që Edi Rama i kishte lënë Prokurores së Përgjithshme Ina Rama për zbardhjen e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindit, Ambasadori i SHBA në Tiranë John Withers i ka tërhequr vëmendjen duke i kujtuar kryesocialistit respektimin e pavarësisë së organit të akuzës.
“Pavarësisht nga situata, prokurorët duhet të mbeten të pavarur dhe të lirë nga shtrëngimi apo ndikimi politik. Duhet të jenë të lirë të gjurmojnë faktet kudo që çojnë, si dhe duhet të kenë guximin për ta bërë këtë. Shqipëria duhet të përkushtohet ndaj mbrojtjes së pavarësisë së prokurorëve për të siguruar përparimin e saj demokratik. Çfarëdo kanosje ndaj kësaj pavarësie është një hap i qartë prapa. Mbi prokurorët nuk duhet të ketë kurrfarë trysnie politike”, theksoi dje Ambasadori Withers në ceremoninë e Nënshkrimit të Memorandumit për Ngritjen e Njësive të Përbashkëta të Hetimit Rajonal. Ky nënshkrim Memorandumi u bë në kuadrin e Programi të Pragut II, “Shqipëri – Korporata Sfida e Mijëvjeçarit”.
Ultimatumi i Edi Ramës për Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, “Të zbardhet vrasja e deputetit brenda 48 orëve, në të kundërt ne do të reagojmë politikisht”, u bë publik dy ditë më parë nga mediat, të cilat saktësuan gjithashtu duke ju referuar edhe organit të akuzës se, “kreu i selisë rozë është shprehur se nuk do të bënte asnjë deklaratë që do të krijonte insinuata politike, duke i dhënë Prokurorisë kohën e mjaftueshme për të zbardhur një krim të tillë”.
Një mesazh i tillë ultimativ dhe me afate, detyroi dje Ambasadorin John Withers, “ti priste vrullin” kreut ët PS-ës, Edi Ramës.
Memorandumi për Ngritjen e Njësive të Përbashkëta të Hetimit Rajonal, e nënshkrua dje në një ceremoni zyrtare nga krerët e gjashtë institucioneve shqiptare. Nënshkruesit e këtij Memorandumi ishin, Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, Ministri i Financave Ridvan Bode, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror Bahri Shaqiri, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit Robert Çeku, dhe kreu i Inpektoriatit të Lartë i Deklarimit të Pasurive Adriatik Llalla.
Në bazë të nënshkrimit të këtij memorandumi, mësohet se pas Tiranës hapen edhe 6 zyra të reja të “Task Force” në rrethet, Fier, Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Korçë dhe Durrës. Program  OPDAT do të punojë me të gjitha agjencitë e përfaqësuara këtu për të ndihmuar ngritjen dhe trajnimin e këtyre njësive dhe për të ofruar pajisjet që nevojiten që ata të kryejnë punën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›