E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Lufta kundër abuzimeve dhe korrupsionit, burime i fondeve që mundëson reformat tona sociale

Kryeministri Berisha vijon turin "Shqipëria po ndryshon" me një takim me banorë të komunës Thumanë, në Krujë


Kryeministri Sali Berisha deklaroi në Thumanë, një komunë rreth 33 km larg Tiranës, se “lufta kundër abuzimeve dhe korrupsionit është miniera e fondeve të kësaj qeverie". Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim dhe me banorët e zonës së Thumanës, të cilëve i premtoi se "në mandatin e dytë qeverisës nuk do të këtë asnjë metër rrugë të paasfaltuar në komunën e Thumanës". Duke vënë në dukje arritjet e qeverisë në 4 vitet e fundit, Kryeministri Berisha vuri në dukje se "për këtë qeverisje, interesat e qytetarëve kanë qenë përparësia më madhore e saj. Anëtarësimi i vendit në NATO ka qenë një interes madhor strategjik që nga koha e Skënderbeut dhe deri më sot. Udhëtimi ynë drejt këtij objektivi ka qenë i vështirë, por ne ia dolëm që sot liritë tona të jenë më të sigurta se kurrë", tha Kryeministri Berisha, duke shtuar se anëtarësimi i vendit në NATO u bë i mundur në sajë të reformave të ndërmarra. Sipas Kryeministrit "sot është realizuar një ëndërr për të gjithë shqiptarët, rikthimi i Shqipërisë në gjirin e kombeve të qytetëruara". "Për anëtarësimin e vendit në NATO ishin dakord 96 për qind e shqiptarëve, por nuk ishin dakord një grup i vogël njerëzish, të cilët në momentin kur Shqipëria merrte ftesën për anëtarësim në NATO, organizonin në Tiranë mitingje dhe përdornin mediat e tyre, që hapeshin me tituj denigrues ndaj thelbit të vokacionit tonë perëndimor, anëtarësimit në NATO", u shpreh Kryeministri Berisha. Duke u ndalur te disa nga arritjet e kësaj qeverie gjatë këtij mandati qeverisës, Kryeministri solli në vëmendje se "ne ia dolëm të mbajmë premtimin e bërë në vitin 2005 për dyfishimin e pensioneve në fshat, dyfishimin e rrogave të arsimtarëve dhe infermierëve, si dhe rritjen e pensioneve në qytet në masën 48-70%. Ky është interesi i çdo shqiptari të ndershëm që do të zhvillojë vendin e tij, përjashto një grup të vogël njerëzish që i kërkonin qeverisë të mos rriste rrogat dhe pensionet, ndërkohë që për vete firmosnin miliona në bordero”, tha ai. Interesi më i mirë i shqiptarëve, sipas Kreut të Qeverisë, "është integrimi i vendit në BE, marrja e statusit të vendit kandidat në BE dhe lëvizja e lirë". Por, sipas tij, "ky nuk është interesi vetëm i atyre që udhëhiqen nga karrigia e tyre personale. Opozita ishte kundër aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, kundër liberalizimit të vizave dhe kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve”, tha Kryeministri Berisha, duke shtuar se "qeveria e djathtë nuk mund ta pranojë këtë si alternativë". Duke u ndalur te investimet në arsim, Kryeministri vuri në dukje se "gjatë këtyre 4 viteve ne ia kemi dalë të ndërtojmë dhe rikonstruktojmë 1012 shkolla në të gjithë vendin”. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se “në rrethin e Krujës, në 4 vite janë ndërtuar 7 shkolla të reja, ndërkohë që në kryeqytetin e Shqipërisë, i cili ka 700 mijë banorë, janë ndërtuar vetëm 3 shkolla të reja". “Kjo ndodh se për ndërtimin e shkollave nuk mund të vendoset dot gjoba prej 20%”, tha Kryeministri Berisha. Për sa i përket investimeve lokale, kreu i Qeverisë vuri në dukje se në “8 vitet e qeverisjes socialiste në këtë komunë janë investuar vetëm 13 milionë lekë, ndërsa në 4 vitet e kësaj qeverisjeje janë investuar gjithsej 335 milion lekë”. Kryeministri u kërkoi autoriteteve vendore të bëjnë çdo projekt për t'i dhënë kësaj komune shkolla, rrugë, ujësjellësa dhe kanalizime të reja. Kreu i Qeverisë premtoi se "në 4 vitet që do të vijnë, kjo maxhorancë do të bëjë çdo gjë për të barazuar pensionet e qytetit me ato në fshat". Në përfundim, Kryeministri i bëri thirrje banorëve të Thumanës, që në 28 qershor të votojnë nën moton "Shqipëria në BE", për të ripërsëritur edhe një herë fitoren e arritur nga e djathta në zgjedhjet e vitit 1992.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›