Kredia 250 milionë euro, tregues i votëbesimit ndërkombëtar për ekonominë shqiptare

Ministri i Financave, Ritvan Bode i është përgjigjur sot interesimit të gazetarëve për kredinë sindikale, prej 250 milionë eurosh, duke e konsideruar atë si një votëbesim që institucionet financiare ndërkombëtare i japin ekonomisë shqiptare
Pyetje – Z. Ministër cili është komenti juaj për normat e interesit me të cilat është marrë kredia sindikale?
Sigurisht që marrja e një kredie ndërkombëtare nga bankat europiane dhe bankat e vendeve të tjera, përbën një sukses për ekonominë shqiptare. Qeveria shqiptare mundësoi përmes raporteve dhe besueshmërisë që ka shfaqur me partnerë të tillë seriozë ndërkombëtarë si Deutsche Bank dhe Alpha Bank, që drejtuan procesin e kontraktimit të kësaj kredie, që të financojë në këtë vit të krizës financiare ndërkombëtare dhe krizës globale, të ekonominë shqiptarë, të importojë e të injektojë në ekonominë shqiptare një shumë prej rreth 250 milion eurosh si kufirin maksimal. Kjo kredi do merret në dy transhe. Interesi i kredisë është variabël, dhe përbëhet nga indeksi Euribor plus marzhi prej 9.65%. Niveli i kredisë reflekton interesat e tregut dhe si i tillë në treg nuk mund të thuhet kurrë që u mor shtrenjtë apo lirë, sepse çmimet përcaktohen nga tregu. Ne dy vite më parë kemi marrë kredi me 5.2 % interes nga të njëjtët operatorë, Alpha Bank dhe NBG. Sot kriza financiare ka detyruar të tjera rregulla dhe standarde. Sot tregu financiar nuk ka para për të dhënë dhe ju e dini që paraja është një mall dhe si i tillë i nënshtrohet rregullit absolut të kërkesës dhe ofertës. Ka shumë vende të tjera të rajonit tonë, vende në tranzicion, të cilët kanë kërkuar kredi edhe me 20 % apo 23 % dhe nuk kanë mundur dot të kontraktojnë, për arsye se ekonomitë respektive nuk japin besueshmëri tek bankat për të dhënë kredi. Edhe në tregun ndërkombëtar, edhe vende të tjera të zhvilluara, sigurisht që marrin sot bono thesari me interesi sa dyfishi i dy viteve më parë. Dhe ky është tregu. E rëndësishme është që ne injektojmë në ekonominë shqiptare, në mbështetje të stabilitetit monetar të vendit EURO-n e cila është monedhë e fortë dhe garanton stabilitetin e kursit të këmbimit që për një ekonomi si Shqipëria e lidhur fort me tregtinë ndërkombëtare do të thotë stabilitet në çmime dhe mirëqenie. Kur kemi thënë se kriza ekonomike ndërkombëtare do të ndikojë ekonominë tonë, kemi pasur parasysh pikërisht këta faktorë. Kemi pasur në konsideratë faktin që paraja dot shtrenjtohet. Dhe shtrenjtimi nuk është vetëm nga bankat private por edhe nga Bankat e Zhvillimit, normat e interesit të tyre nuk janë më ato që kanë qenë dy vite më parë dhe ky është një rregull i përgjithshëm i tregut.
Çfarë është e favorshme në këtë kredi?
Ne e marrim kredinë për një afat trevjeçar, por në momentin që tregu ofron norma më të ulëta interesi, ne kemi të drejtë që pas vitit të parë të prishim kontratën, pra të kthejmë mbrapsht kredinë pa asnjë lloj penaliteti, as pagim interesash dhe as pagim gjobash a detyrime të tjera për prishje kontrate. Dhe kjo reflekton zhvillimet në tregun financiar ndërkombëtar. Kredia është diskutuar edhe me FMN –në dhe me BB –në. Sugjerimi i tyre ka qenë që e rëndësishme sot është që ju në qoftë se do të arrini të merrni kredi në tregun ndërkombëtar përbën një sukses shumë të madh. Nuk ka rëndësi norma e interesit me të cilën do e merrni pasi sot nuk ofrohen para. Të gjitha vendet, ju e dini, po ndjekin një politikë për shkak të tronditjeve të mëdha dhe të gropës së madhe financiare që është krijuar në to, po ndjekin politikën e bllokimit të eksportimit të parave. Pra nuk lejojnë që paratë të shkojnë drejt një vendi tjetër me qëllimin për t’i pasur dhe për të mbështetur zhvillimet në tregjet e tyre të brendshme dhe për të financuar nevojat e tyre buxhetore. Ne mundëm që të sigurojmë këtë kredi dhe shpresoj që ky është një lajm i mirë sikurse dhe privatizimi që deklaruam sot, sikurse dhe disa privatizime të tjera më të vogla dhe që i japin mundësi Shqipërisë që edhe në këtë vit të krizës financiare botërore, ne të mund të injektojmë valutë mbi 500 milion euro në tregun e brendshëm dhe ekonominë shqiptare. Kjo është një mbështetje e madhe në funksion të rritjes së shpejtë ekonomike. Nuk ka çmim më të madh se sa rënia ekonomike, se sa varfërimi i shqiptarëve dhe se sa futja e ekonomisë shqiptare në krizë. Dhe ne do të bëjmë ç’është e mundur që ekonomia shqiptare të mbetet jashtë vorbullës së krizës.
...