Edvini urdhëron ngritjen e grupeve të survejimit, për të gjetur spiunët e mediat në PS
Kryetari i PS s’bën shaka kur është puna për të zbuluar të gjithë ata deputetë apo funksionarë politikë që kanë marrëdhënie me mediat dhe flasin për vendimet spastruese që merren në forumet drejtuese. Me shembullin e Nesti Kerenxhit nga e shkuara apo “grupin e kasketave” nga vitet ’80, ka pak gjasa që fshesat partiake të raportohen si duhet para opinionit publik
Edvinin e ka zënë paniku. Punët po i ecin keq e më keq. Nuk paskan të sosur armiqtë e fshehur të partisë. Gjithnjë janë rrotull e nuk po mbarohen. Armiku po punon intensivisht kundër tij. Duhen marrë masa të ngutshme para se të jetë vonë. Në një prej mbledhjeve të fundit të kryesisë së partisë që ai drejton prej 6 vitesh në opozitë ka shprehur shqetësimin e thellë se ka rrjedhje të informacionit të klasifikuar “sekret partie”. Kësisoj bëhet e ditur se Edvini ka kërkuar që sekreti i partisë jo vetëm të ruhet më mirë nga ç’e ruante dikur Enveri, por edhe shtypi i armikut i llojit reaksionar apo revizionist të mos furnizohet me lajme që dalin nga mbledhjet që zhvillon Partia Socialiste. Për këtë arsye është menduar ngritja e grupit të survejimit në PS, apo thënë ndryshe grupi i hafijeve. Jo se tradita nuk është e pasur në këtë drejtim, porse vihej re një lëshim i përgjegjësisë së anëtarëve që përbëjnë kupolën më të lartë të përgjegjësisë. Gjithmonë informacione që lidhen me mbledhjet e rëndësishme Partisë Socialiste gjejnë botim në shtypin “reaksionar” apo atë “revizionist”. Grupet e survejimit që kujtojnë traditën më të keqe të kësaj partie, të kohës së Nesti Kerenxhit e Koçi Xoxes do ruajnë të pastër partinë nga elementët antiparti që po vërehen me shumicë kohët e fundit. Grupet e survejimit do merren me çfarëdolloj informacioni që del nga selia rozë në drejtim të gazetave, mënyrën se si del ky informacion “sekret partie”, kujt i serviret, pse i servilet, qëllimi i posaçëm pse dërgohet. Në analizën e vigjilencës revolucionare kërkohet që hermetizmi dhe bunkerizimi i partisë të jetë sa më i plotë dhe i përcaktuar. Gjurmimi që ka nisur të bëjë Edvini do të jetë më profesional se grupet e kasketave apo AGBV-së të lagjeve. Ai do jetë pak më lart se niveli i gjurmimit partizanit, jo thjesht se është plotësuar nga “refleksionet”, por se ka ecur me stadin socialist të kohës. Grupet e survejimit do sigurojnë më së mirë “sekretin e partisë” duke e bërë partinë më të fortë se kurrë.